Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ Nr.01/2016 për zbatimin e Ligjit Nr.05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale

Nr. të lëndës KI 122/20

Parashtruesit: Rijad Jusufi

Shkarko:

KI122/20 Parashtrues: Rijad Jusufi, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ Nr.01/2016 për zbatimin e Ligjit Nr.05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale

KI122/20 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 20 janar 2021, i publikuar më 05 shkurt 2021

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, pale e pa autorizuar, actio popularis

Parashtrues i kërkesës Rijad Jusufi nga fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, i cili kërkoi interpretimin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2016 të 15 marsit 2016 për zbatimin e Ligjit Nr.05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale.

Parashtruesi kërkoi nga Gjykata sqarim nëse (i)Udhëzimi Administrativ i obligon palët huadhënësin dhe huamarrësin që të lidhin kontratë kundër vullnetit të tyre, dhe të caktojnë interes, kur ata nuk kanë dhënë dhe as nuk kanë marrë interes; dhe (ii) prej cilës datë Administrata Tatimore e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK) ka të drejtë për ta zbatuar këtë Udhëzim Administrativ. Ai i drejtohet Gjykatës me kërkesës si në vijim: “Ne dëshirojmë që neni 19, paragrafi 1.1.3 dhe 1.2 të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2016, a është në përputhshmëri me juridiksionin e Kosovës dhe udhëzimi administrativ nr.01/2016 prej cilës datë zbatohet dhe a ka të drejtë të zbatohet retroaktivisht.”

Për sa i përket kërkesës së parashtruesit për vlerësim të kushtetutshmërisë së nenit 19 të Udhëzimit Administrativ, Gjykata thekson qëndrimin e saj konsistent se personat fizikë ose juridikë nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësim abstrakt të përputhshmërisë së legjislacionit me Kushtetutën, apo kërkesa të natyrës actio popularis. Pra, në praktikë e saj gjyqësore, Gjykata në vazhdimësi ka theksuar se individët nuk mund të kontestojnë in abstracto akte normative të karakterit të përgjithshëm.

Gjykata ripërsëritë faktin se Kushtetuta nuk parasheh të drejtën e individëve që të paraqesin kërkesë për kontroll kushtetues abstrakt, gjegjësisht t’i sfidojnë drejtpërsëdrejti në Gjykatë Kushtetuese aktet e përgjithshme normative të autoriteteve publike. Kushtetuta ofron mbrojtje për individët sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike, vetëm përbrenda fushëveprimit të përcaktuar me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës. Këto dispozita kushtetuese kërkojnë nga parashtruesit e kërkesave kushtetuese që të dëshmojnë se: (1) janë palë të autorizuara; (2) janë të prekur drejtpërsëdrejti nga akti konkret ose mosveprimi i autoriteteve publike; dhe (3) kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. (Shih, rastet e Gjykatës: KI21/19, parashtrues Pjetër Boçi, Aktvendim për papranueshmëri i 27 majit 2019 – ku ishte kërkuar interpretim i legjislacionit relevant në lidhje me definimin e “pozitës zyrtare”, paragrafët 21-28 dhe referencat e cituara aty; KI92/12 parashtrues Sali Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri i 6 dhjetorit 2012 ­– ku ishte kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pensionet; KI62/12 parashtrues Liridon Aliu; Aktvendim për papranueshmëri i 20 shtatorit 2012 – ku ishte kërkuar interpretim i Kushtetutës; KI40/11 parashtrues Zef Prenaj, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shtatorit 2011 – ku ishte kërkuar vlerësim i kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ nr. 11/2010 për pagesën e pensionit themelore të nxjerrë nga MPMS në tetor të vitit 2010).

Rrjedhimisht, Gjykata thekson se ajo nuk mund të përgjigjet në pyetjet dhe mëdyshjet e aplikueshmërisë së Udhëzimit Administrativ, që parashtruesi i kërkesës i ka paraqitur, në mënyrë abstrakte, përmes kërkesës së tij. Ne dritë të kësaj që u tha më lart, kërkesa e parashtruesit duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar, siç përcaktohet me paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit si dhe rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Rijad Jusufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar