KI282/23, Fehmi Pozhegu, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-22-0440-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 30 nëntorit 2023;
KI282/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024;
Fjalët kyçe: taksa gjyqësore, vështirësi ekonomike; lirim nga pagesa;
Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë në Autoritetin e Likuidimit për Ndërmarrjen Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare”, për kompensim financiar në lidhje me një pronë të paluajtshme. Kjo e fundit refuzoi kërkesën e tij dhe për këtë arsye parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilën e kundërshtonte vendimin e Autoritetit të likuidimit. Dhoma e Posaçme e konsideroi të tërhequr kërkesëpadinë e tij, për shkak se nuk e kishte paguar taksën gjyqësore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit kundër këtij vendimi për tërheqjen e kërkesëpadisë. Kolegji i Apelit i kërkoi parashtruesit të kërkesës të paguante taksën gjyqësore për paraqitjen e ankesës. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Kolegji i Apelit lirimin nga pagesa e taksës gjyqësore për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Mirëpo, Kolegji i Apelit kërkoi prova për të mbështetur gjendjen e vështirë ekonomike. Kur parashtruesi i kërkesës nuk dorëzoi prova për këtë çështje, Kolegji i Apelit e konsideroi të tërhequr ankesën e tij.
Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimet e gjykatave të rregullta ishin në kundërshtim me nenin 31 dhe 32 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe 13 të KEDNj-së, përkitazi me “qasjen në gjykatë”.
Gjykata ritheksoi se kërkesa për pagesën e taksës gjyqësore është e përcaktuar nga dispozitat ligjore dhe nuk përbën në vetvete mohim të “qasjes në gjykatë”. Gjykata theksoi se Udhëzimi Administrativ [nr.01/2017] për unifikimin e tarifave gjyqësore, përcakton të drejtën e palëve për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore, ndër të tjera për personat me gjendje të vështirë ekonomike. Palët duhet të sjellin dëshmi se janë përfitues të ndihmës sociale. Në rastin konkret, Gjykata vërejti se Kolegji i Apelit kërkoi prova nga parashtruesi i kërkesës për të dëshmuar gjendjen e vështirë ekonomike të tij, mirëpo ai nuk i kishte sjellë provat, përpos njoftimit që ishte pensionist dhe kishte të hyra të ulëta financiare. Gjykata vlerësoi se Kolegji i Apelit veproi në përputhje me dispozitat ligjore dhe trajtoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lirim nga pagesa.
Fehmi Pozhegu
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile