Prishtinë, më 8 gusht 2024
Nr. ref.: RK 2504/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI196/23
Parashtrues
Eshref Qafleshi
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Eshref Qafleshi (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), nga fshati Bellobrad, Komuna e Dragashit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë akt konkret të autoriteteve publike.
Objekti i çështjes
Parashtruesi i kërkesës ka bashkëngjitur disa vendime të gjykatave, mirëpo nuk ka specifikuar saktë aktin e autoritet publik që konteston para Gjykatës e as nuk ka cekur në mënyrë specifike ndonjë të drejtë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), për të cilën konsideron se është shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila kërkesë arriti dhe u regjistrua Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) më 19 shtator 2023.
Më 26 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr.GJR.KI196/23] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe përmes vendimit [Nr.KSH.KI196/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzie Istrefi Peci anëtarë.
Më 20 nëntor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me dokumentet dhe informatat si në vijim: (i) të plotësoni formularin e kërkesës duke specifikuar saktë aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestoni para Gjykatës Kushtetuese;(ii) të cekni dhe sqaroni cilat të drejta dhe liri pretendoni se u janë cenuar; dhe (iii) të bashkëngjitni kopjet e vendimit që e kontestoni dhe vendimeve tjera që mendoni se janë të nevojshme për ti bashkëngjitur kërkesës.
Më 1 dhe 14 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë disa dokumente shtesë përfshirë disa vendime të gjykatave të rregullta, si dhe formularin e paplotësuar në tërësi dhe të pa nënshkruar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 1 maj 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një shkresë në Gjykatë, përmes së cilës kërkoi trajtimin e rastit të tij.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtë.
Përmbledhja e fakteve
Më 6 prill 2017, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të kryerjes së veprës penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 8 gusht 2019, Gjykata Themelore në Prizren përmes aktgjykimit [P.nr.773/17] shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 398 paragrafi 1 i KPRK-së, dhe i shqiptoi dënimin me kusht në kohëzgjatje prej 4 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin kohor prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale. Gjykata po ashtu i shqiptoi edhe dënimin plotësues, marrja e sendit respektivisht marrja e automjetit “ Renault Espace” me targa të regjistrimit 04-150-EP ngjyrë hiri e çeltë metalike me nr. të karrocerisë VEBIEOL0526387867.
Më 25 shtator 2019, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, me propozimin që aktgjykimi i Gjykatës Themelore të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Më 8 nëntor 2019, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit [PAI.nr.1237/19] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore e vërtetoi.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës kishte bërë kërkesë për rishikimin e procedurës penale kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore [P.nr.773/2017] të 8 gushtit 2019.
Më 26 janar 2022, Gjykata Themelore përmes aktvendimit [P.nr.699/2022] kishte hedhur poshtë si të palejuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishikim të procedurës penale.
Në një datë të pasaktësuar parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore.
Më 28 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes aktvendimit [PN.nr.187/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, me propozimin që të miratohet kërkesa e tij dhe të ndryshohet aktvendimi i shkallës së dytë.
Më 14 prill 2023, Gjykata Supreme përmes aktvendimit [Pml.nr.148/2023] hodhi si të pasafatshme kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës nuk sqaron se cilat të drejta të tij të garantuara me Kushtetutë janë shkelur por thekson se “ ... mua personalisht mu sekuestrua një makinë, e cila ishte komplet proces i montuar nga prokurori tepër i korruptuar i cili vjen nga një familje e udbes së Prizrenit ... makina ka qenë e ndërmarrjes toni com kurse kjo ndërmarrje është pronë e H.Q, unë bashkë me haxhin jemi intervistuar nga 4 herë në polici në Prizren, mirëpo kallëzimin penal policia e kishte bërë në emër timin si punëtor i ndërmarrjes toni, e jo në emër të pronarit”.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se “ aktakuza u bë kundër meje dhe gjykimi ne te tri shkallet u be kundër meje, unë konsideroj se ka qenë gjykim i pa drejtë për faktin se nëse ka vepra penale duhet ndiqet pronari e kurrsesi punëtori duke u bazuar ne ligjet në fuqi që vepra penale është individuale”.
Parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që “ të bëjë ndryshim vendimi, edhe të më shpallë i pa fajshëm, pasi makina u ble nga një person i cili e kishte sjell nga jashtë dhe se doganën taksat komunale, homologimi janë kryer në mënyrë të rregullt, ska pas asnjë arsye me u falsifiku makina, pasi makina ka qenë në gjendje super të rregullt”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të parapara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata i referohet edhe nenit 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit, që parasheh:
Neni 22
[Procedimi i kërkesës]
“[...]
4. Nëse kërkesa […] nuk është e […] kompletuar, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve për të […] plotësuar kërkesën […]
[...].”
Përveç kësaj, Gjykata i referohet rregullit 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës, i cili specifikon:
[...]
“(2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
[...]
(e) mbrojtjen juridike të kërkuar;
[...]
(g) arsyetimin rreth pranueshmërisë dhe meritave të kërkesës; dhe
(h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës;
(3) Nëse pala ka përfaqësues, përfaqësuesi dorëzon në Gjykatë bashkë me kërkesë, autorizim të vlefshëm.
[...].”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet edhe nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit, i cili përcakton:
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Andaj, në vlerësimin nëse parashtruesi i kërkesës i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton se neni 48 i Ligjit specifikisht detyron parashtruesit e kërkesave që të qartësojnë saktësisht aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestojnë dhe që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë të jenë cenuar. Ndërsa, rregulli 25 (2) (e), (g) dhe (h) të Rregullores së punës parasheh që kërkesa e parashtruesve të përmbajë edhe mbrojtjen juridike të kërkuar, arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës si dhe informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.
Gjykata rikujton se pasi që kishte pranuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe e cila ishte e paqartë, duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, pasi: i) nuk e kishte specifikuar saktë aktin e autoriteti publik që e konteston para Gjykatës; ii) nuk kishte cekur se cilat të drejta kushtetuese pretendonte se i ishin shkelur; si dhe iii) nuk ishin dorëzuar të gjitha vendimet që ndërlidhen me rastin e parashtruesit. Gjykata, kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që: i) të plotësojë formularin e kërkesës duke specifikuar saktë aktin konkret të autoritetit publik të cilin e konteston para Gjykatës; ii) të cekë se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar; iii) të bashkëngjisë kopjet e vendimit që e konteston dhe vendimeve tjera që mendon se janë të nevojshme për ti bashkëngjitur kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar disa vendime të gjykatave të rregullta, mirëpo nuk i ishte përgjigjur kërkesave specifike të Gjykatës.
Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se përkundër kërkesës specifike të Gjykatës, parashtruesi i kërkesës: i) nuk e ka sjellë formularin e kërkesës të plotësuar në tërësi dhe të nënshkruar, duke mos specifikuar aktin e autoritet publik që e konteston; ii) nuk kishte specifikuar të drejtat e tij që pretendon se i janë cenuar sipas Kushtetutës; si dhe iii) nuk i kishte dorëzuar të gjitha vendimet që ndërlidhen me rastin e tij.
Andaj, në bazë të Rregullores së saj të punës, Gjykata nëse konstaton se kërkesa është e paplotë ose e paqartë mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër. Në këtë aspekt, Gjykata i referohet rregullit 54 të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 54
[Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
[...]
“(2) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë përkundër kërkesës ose kërkesave nga Gjykata ndaj palës që të plotësojnë ose të qartësojnë kërkesën.”
[...]
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesës (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI 60/20, parashtrues Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame, Vendim për refuzim i 18 shkurtit 2021, paragrafi 36; KI90/20, parashtrues Arben Boletini, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 25; dhe rastet nr. KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 7 dhjetorit 2020, paragrafi 33 dhe referencat e përdorura aty).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mos kompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 25 (2) (e) dhe (h) të Rregullores së punës.
Prandaj, Gjykata përfundon se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 22.4 dhe 48 dhe të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 25 (2) (e) dhe (h) dhe 54 (2) (a) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Eshref Qafleshi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile