KI113/17, Parashtrues: X, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. A. (U) nr. 13/2017, të 4 gushtit 2017
KI113/17, Aktvendim, kërkesë e papranueshme, publikuar më 23 prill 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtat e fëmijëve, qartazi e pabazuar
Më 29 qershor 2011, parashtruesi është kthyer nga autoritetet suedeze në
Kosovë, pasi që kishte kaluar rreth 1 (një) vit në përpjekje për të përfituar nga statusi i refugjatit atje.
Pas kthimit parashtruesi kishte paraqitur kërkesë tek autoritet e Komunës ku jetonte dhe ato të nivelit qendror për të realizuar përfitimet nga statusi i të riatdhesuarit dhe, njëkohësisht ka kërkuar edhe ndërtimin e një shtëpie banimi.
Më 27 qershor 2014, Komisioni Qendror për Riintegrim (KQR) dhe më 22 korrik 2014, Komisioni i Ankesave për Riintegrim, si organ i shkallës së dytë kanë refuzuar kërkesën e parashtruesit.
Parashtruesi i pakënaqur me vendimet administrative të komisioneve të MPB-së ka iniciuar me padi procesin e konfliktit administrativ dhe më 24 nëntor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktgjykimin A. nr. 1643/2014, refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit, ndërsa më 31 maj 2017, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit AA. nr. 91/2017, refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesit iu refuzuan edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike: kërkesa për revizion nga Gjykata Supreme me Aktvendimin Rev. A. (U) nr. 13/2017, e 4 gushtit 2017, e cila u hodh poshtë si e palejuar si dhe kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila me njoftimin KMLA. nr. 12/17, të 15 shtatorit 2017, u shpall e pabazuar.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit, Gjykata nuk gjeti se vendimet e kontestuara, as ato administrative dhe as ato të gjykatave të rregullta, nuk janë tregues i shkeljeve kushtetuese, andaj në përputhje me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesën e shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuar.
X
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri