KI 11/21 Parashtrues, Sami Nuhaj, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML. nr. 325/2020 të 16 dhjetorit 2020
KI 11/21, Aktvendim për papranueshmëri i 25 marsit 2021, publikuar më 1 qershor 2021
Fjalët kyç: person fizik, rast penal, kërkesë për masë të përkohshme, kërkesë për mbajtjen e seancës dëgjimore publike, aktvendim për papranueshmëri
Parashtruesi i kërkesës kishte themeluar një kompani ndërtimore dhe se gjatë kryerjes së punimeve në vend punishte, një nga punëtorët pësoi një aksident, si rezultat i të cilit ai vdiq.
Prokuroria ngriti aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, si person përgjegjës, për veprën penale “në bashkëkryerje asgjësim, dëmtim ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës nga neni 367 par. 2 lidhur me par. 7 dhe 3 dhe nenit 31 të Kodit Penal të Kosovës”.
Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor, duke e dënuar atë me burgim. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme vërtetuan aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar, ndër të tjera, shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenit 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 7 (Nuk ka dënim pa ligj) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke deklaruar se gjykatat nuk i arsyetuan vendimet e tyre dhe se në rastin e tij ishte zbatuar analogjia.
Pasi analizoi shkresat e lëndës si dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kishin respektuar parimet e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së në lidhje me vendimet e arsyetuara, dhe se nuk ka pasur zbatim të analogjisë në rastin e tij.
Prandaj, Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar.
Nuhaj Sami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile