KI118/23, Parashtruese: Shehide Muhadri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.530/2016] të 30 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 5 nëntor 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI118/23, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.530/2016] të 30 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [Ac. nr. 530/2016] i 30 marsit 2023 i Gjykatës së Apelit, nuk është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me pretendimet e parashtrueses së kërkesës përkitazi me të drejtën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues. Gjykata për të njëjtën çështje kishte pranuar më parë edhe dy (2) kërkesa nga parashtruesja e kërkesës, respektivisht kërkesat KI145/18 dhe KI49/20. Në kërkesën e parë, përkatësisht KI145/18, Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit. Pas vendimmarrjes së Gjykatës, Gjykata e Apelit, në procedurë rivendosje, kishte nxjerrë Aktgjykim të ri, dhe i cili, sërish u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, përmes kërkesës KI49/20. Gjykata konstatoi përsëri shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, më 30 mars 2023, bazuar në rekomandimet e Gjykatës, Gjykata e Apelit nxori aktgjykim të ri, duke konfirmuar vendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore, ndër tjerash, me arsyetimin se “pronësia në prona shoqërore nuk mund të fitohej me parashkrim fitues” dhe arsyetimin e saj, kësaj radhe, e kishte bazuar edhe në mendim juridik të lëshuar nga Gjykata Supreme, e cila kishte sqaruar se si duhej vendosur gjykatat e instancës më të ulët për raste me rrethana të ngjashme faktike dhe juridike.
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Ac.nr.530/2016] e 30 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me saktësisht parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, sërish kishte shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet e sipërcekura, ndër tjerash, sepse Gjykata e Apelit përsëri nuk kishte marrë parasysh gjetjet e Gjykatës në Aktgjykimin e saj, në rastin KI49/20.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata konsideroi se Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 530/2016] të 30 marsit 2023, (i) kishte adresuar pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës, duke iu përgjigjur konkretisht çështjes që ndërlidhej me konsistencën në vendimmarrje për çështjet e fitimit të pronësisë me mirëbesim nëpërmjet parashkrimit fitues; dhe (ii) kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm, gjithëpërfshirës dhe konkret përkitazi me pretendimet e ngritura. Për pasojë, Gjykata konkludoi se Gjykata e Apelit në Aktgjykimin [Ac. nr. 530/2016] të 30 marsit 2023, (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar me qartësi se përse në rastin e parashtrueses së kërkesës nuk mund të pritej një rezultat ndryshe në lidhje me të drejtën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues; dhe (ii) se përse rastet të cilave iu ishte referuar parashtruesja e kërkesës në procedurë të rregullt para Gjykatës së Apelit, nuk përbënin praktikë gjyqësore dhe burim të së drejtës në lidhje me mënyrën e fitimit të pronësisë me parashkrim fitues.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se Aktgjykimi [Ac. nr. 530/2016] i 30 marsit 2023 i Gjykatës së Apelit, nuk është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shehide Muhadri
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile