KI139/24, Parashtrues Avdylvehab Bytyqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PAKR.nr.43/2024] të 12 marsit 2024 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI139/24, Aktvendim për papranueshmëri i 5 nëntorit 2024;
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, mjetet juridike efektive, shterimi i mjeteve juridike, e papranueshme
Rrethanat e rastit ndërlidhen me shpalljen fajtor të parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Themelore në Gjakovë për kryerjen e veprës penale “dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nën-paragrafi 4.4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Si pasojë parashtruesit të kërkesës i’u shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh. Si rezultat i ankesës së tij në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 43/2024] vërtetoi qëndrimin dhe konstatimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës kontestoi para Gjykatës Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Gjykatës së Apelit, me pretendimin se të njëjtat janë në kundërshtim me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes tjerash, për shkak se (i) Gjykata e Apelit kishte mbajtur seancën gjyqësore pa praninë e tij; dhe se (ii) Prokuroria Themelore kishte ngritur Aktakuzën pa e marrë asnjëherë në pyetje atë gjatë procedurës paraprake të hetimeve.
Gjykata fillimisht vlerësoi nëse parashtruesi i kërkesës kishte plotësuar kriteret e pranueshmërisë, përkatësisht nëse ai kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion para se ta dorëzonte kërkesën e tij në Gjykatë. Lidhur me këtë Gjykata rikujtoi se paragrafi 7 i nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] i Kushtetutës dhe paragrafi 2 i nenit 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe nën-paragrafit (b) i paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e Pranueshmërisë) të Rregullores së Punës, përcaktojnë detyrimin për shterimin e “të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me ligj”.
Prandaj Gjykata, në kuptim të parimit të subsidiaritetit, vlerësoi nëse në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte në dispozicion “mjete juridike efektive të përcaktuara me ligj”, për t’i ngritur pretendimet e tij ndaj Aktgjykimit [PAKR. nr. 43/2024], të Gjykatës së Apelit, para se i njëjti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me këtë Gjykata theksoi se paragrafi 3 i nenin 419 (Mjetet e jashtëzakonshme juridike) të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës parasheh mundësinë që pala të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, brenda tre (3) muajsh nga dita kur është dorëzuar aktgjykim i formës së prerë. Arsyet për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 432 (Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës përfshijnë: (i) shkeljet e ligjit penal; dhe (ii) shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, ashtu siç përcaktohet me dispozitat e lartcekura. Gjykata po ashtu i’u referua praktikës se saj gjyqësore, sipas së cilës rezulton se Gjykata Supreme përmes kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë në një numër rastesh kishte vendosur që të deklarojë si të bazuara kërkesat e të pandehurve për mbrojte të ligjshmërisë dhe të kthejë në rigjykim vendimet e Gjykatës së Apelit. Prandaj, Gjykata vlerësoi se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë si mjet juridik në procedurë penale (i) është mjaftueshëm i sigurt, jo vetëm në teori por edhe në praktikë, për të ofruar zgjidhje përkitazi me pretendimet e parashtruesit; dhe (ii) është mjet juridik në dispozicion, i qasshëm dhe efektiv, pasi palëve i mundëson (a) korrigjimin e gabimeve që mund të jenë bërë nga gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (b) adresimin në mënyrë të suksesshme të pretendimeve të tyre për shkeljet e ligjit penal dhe atij të procedurës penale.
Përfundimisht, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi që kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, përmes së cilës mund të kishte ngritur pretendimet e tij specifike që ndërlidheshin me (i) pjesëmarrjen e tij në seancë dëgjimore; dhe (ii) marrjen e tij në pyetje nga Prokuroria Themelore. Kjo për arsye se këto dy pretendime të parashtruesit të kërkesës i referohen edhe çështjeve të zbatimit të dispozitave të procedurës penale, për të cilat parashtruesi i kërkesës mund të paraqiste kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet efektiv juridik, pranë Gjykatës Supreme.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shteruar mjetet juridike dhe për pasojë kërkesën e tij e shpalli të papranueshme, ashtu siç përcaktohet në paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
Avdylvehab Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale