KI156/23, Parashtrues: Elvan Imami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, nr. AC-I-21-0781-A0001, të 6 prillit 2023
KI156/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 19 nëntor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e ushtruar nga parashtruesja e kërkesës fillimisht në Gjykatën Komunale në Prizren kundër të KBI “Progres-Export”, duke kërkuar anulimin e kontratës mbi shitblerjen e paluajtshmërisë të datës 20 nëntor 1963. Më pas, pas parashtrimit të padisë, parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar nga Gjykata Komunale edhe vendosjen e masës së përkohshme mbi ngastrën kontestuese. Më 1 nëntor 2011, Gjykata Komunale në Prizren ishte shpallur jokompetente në pikëpamje lëndore për të vendosur në këtë çështje dhe i dërgoi shkresat e lëndës pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme si gjykatë kompetente. Më pas në vitin 2019, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kërkesë/propozim për lëshimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë, e cila sipas saj do të pamundësonte tjetërsimin e pronës kontestuese deri në një vendim meritor. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kishte refuzuar kërkesën e parashtrueses për lëshimin e masës të sigurisë. Vendimi i shkallës së parë lidhur me masën e sigurisë ishte vërtetuar edhe nga Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke vendosur lidhur me meritat e rastit refuzoi kërkesëpadinë e parashtrueses duke theksuar se Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve i RSFJ-së i vitit 1978, në të cilin thirret parashtruesja nuk ofron mundësinë e revokimit të kontratës së shitjes, pasi dispozitat e tij në lidhje me nulitetin e kontratave nuk mund të zbatohen për veprimet juridike të vitit 1963 kur edhe është nënshkruar kontrata e kontestuar. Më tej në Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme shtohet se ka kaluar afati për kërkimin e anulimit të kontratës, i cili ka qenë një vit nga data e lidhjes së saj, në rastin konkret kanë kaluar mbi 44 vite dhe se parashtruesja nuk ka parashtruar prova mbi faktet e pretenduara. Aktgjykimi i Kolegjit të Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili kishte vendosur për meritat e rastit ishte miratuar nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Në mënyrë shprehimore parashtruesja e kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin [AC-I-21-0781-A0001] e 6 prillit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, përmes së cilit ishte vendosur në merita duke u refuzuar padia e saj.
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e saj të mbrojtura me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Thelbi i ankesës së parashtrueses të kërkesës kishte të bënte me shkeljen e nenit 31 në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe që ka të bëj me (i) mos vendosjen nga ana e Gjykatës Komunale në Prizren lidhur me kërkesën e saj për masë të sigurisë ; (ii) zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit; (iii) tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, si dhe (iv) pretendimi për shkeljen e nenin 46 të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimet e parashtrueses për mos vendosjen nga ana e Gjykatës Komunale në Prizren për kërkesën e saj për masë të sigurisë, bazuar në vendimet e gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi se ky pretendim i parashtrueses ishte adresuar nga gjykatat e rregullta dhe Gjykata nuk do të lëshohej më tej në elaborim të këtij pretendimi.
Lidhur me pretendimin e parashtrueses për zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit dhe tejzgjatje të procedurave gjyqësore, Gjykata konstatoi se pretendimet e saj janë të pambështetura sepse parashtruesja në kërkesën e saj nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimet e saj se gjykatat e rregullta gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale kanë shkelur të drejtën e saj të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës apo kanë shkelur të së drejtën e saj për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Elvan Imami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile