Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K.DH.SH. II. nr. 425/2022], të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI93/23

Parashtruesit: AAB CONSTRUCTION sh.p.k

Shkarko:

KI93/23, Parashtrues: AAB CONSTRUCTION sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [K.DH.SH. II. nr. 425/2022], të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës

KI93/23, Aktvendim për papranueshmëri i 28 majit 2024, publikuar më 6 nëntor 2024

Fjalët kyçe:  e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me pagesën e një fature të cilën parashtruesi i kërkesës kishte refuzuar ta paguaj me arsyetimin se nuk ishin kryer shërbimet e kërkuara. Në këtë drejtim, kreditori OK GROUP sh.p.k. pas paralajmërimit paraqiti propozim për përmbarim tek përmbaruesi privat, i cili nxori Urdhrin Përmbarimor mbi bazën e titullit ekzekutiv, për pagesën e faturës në fjalë. Kundër këtij Urdhri, parashtruesi i kërkesës parashtroi prapësim në Gjykatën Themelore, përmes së cilës kishte kundërshtuar faturën dhe fletë-dërgesat e faturës, me arsyetimin se të njëjtave iu mungonte nënshkrimi dhe vula. Gjykata Themelore, përmes aktvendimit e refuzoi në tërësi si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës, duke lënë në fuqi Urdhrin përmbarimor, deri në përmbushjen përfundimtare të detyrimit, me arsyetimin se në kuptim të dispozitave ligjore të Ligjit për Përmbarimin, fatura përbën dokument të besueshëm. Më pas, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit përmes së cilës kërkoi anulimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore me propozimin që i njëjti të shfuqizohet. Pas miratimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale rasti në fjalë kaloi për shqyrtim në Gjykatën Komerciale, e cila përmes Aktvendimit refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës duke vërtetuar si të vlefshëm Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Më tej, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për mbrojtje të ligjshmërisë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila kërkesë u refuzua si e palejuar në kontestet që zgjidhen nga Gjykata Komerciale.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar i Gjykatës Komerciale shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] si dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se Gjykata Komerciale kishte ofruar arsyetime të mjaftueshme në gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke sqaruar se fatura e prezantuar së bashku me fletëdërgesat e prezantuara përbëjnë fakt të besueshëm në kuptim të dispozitave ligjore të parapara me Ligjin për procedurën Përmbarimore. Ndërkaq, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i qasjes divergjente në vendimmarrjen gjyqësore, Gjykata vlerësoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore, duke u thirrur në 1 (një) vendim gjyqësor.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

AAB CONSTRUCTION sh.p.k

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër