Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkitazi me lëndën C. nr. 4953/2022

Nr. të lëndës KI153/23

Parashtruesit: Bujar Kika

Shkarko:

KI153/23, Parashtrues: Bujar Kika, Vlerësim i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkitazi me lëndën C. nr. 4953/2022

KI153/23, Aktvendim për papranueshmëri i 26 qershorit 2024, publikuar më 30 tetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, tejzgjatje e procedurave, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se objekt i shqyrtimit në këtë rast është kërkesa e parashtruesit për vlerësim të kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave përkitazi me gjykimin e lëndës [C. nr. 4953/2022], në Gjykatën Themelore. Parashtruesi i kërkesës kishte ngritur padi më 4 tetor 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensim dëmi dhe mbulimin e shpenzimeve nga sigurimi shëndetësor vullnetar. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë para gjyqtarit të çështjes në Gjykatën Themelore duke kërkuar afat më të shpejtë për shqyrtimin e padisë dhe caktimin e një seance përgatitore, me arsyetimin se vonesa në shqyrtimin e çështjes po shkakton dëme të pariparueshme në disfavor të tij.  Parashtruesi i kërkesës, pas dështimit të përshpejtimit të procedurës në Gjykatën Themelore, kishte kërkuar ndihmë edhe në institucione tjera.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës konteston arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurës duke theksuar se tejzgjatja e procedurave i ka shkelur atij të drejtën për një gjykim përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm kohor nga gjyqësori i rregullt. Parashtruesi i kërkesës nuk ka identifikuar shkeljen e  ndonjë neni specifik të Kushtetutës. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se padia e tij, e dorëzuar në vitin 2022 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensimin e dëmit dhe mbulimin e shpenzimeve nga sigurimi shëndetësor vullnetar, ende nuk është zgjidhur.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës bie në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së, meqë ankesa e tij ndërlidhet me tejzgjatjen e procedurës në gjykatat e rregullta, respektivisht me të drejtën për një gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme. Në këtë drejtim, Gjykata vërejti se Gjykata Themelore ka ndërmarrë hapa procedural të nevojshëm, duke përfshirë kërkesën për përgjigje në padi nga pala e paditur, si dhe më pas organizimin e një seance përgatitore pas plotësimit të kritereve ligjore për të adresuar më tej rastin e parashtruesit të kërkesës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se gjykata respektive, që nga momenti i vënies në lëvizje së saj, ka qenë aktive duke proceduar rastin brenda limiteve kohore të arsyeshme. Prandaj, Gjykata arriti në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë pretendime që kategorizohen me (ii) “mungesë evidente apo të dukshme të shkeljes”, prandaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

Bujar Kika

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile