Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 83/2024] të 6 marsit 2024, të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI76/24

Parashtruesit: Dukagjin Haxhijaha

Shkarko:

KI76/24, Parashtrues Dukagjin Haxhijaha, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 83/2024] të 6 marsit 2024, të Gjykatës Supreme;

KI76/24, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2024, publikuar më 2 tetor 2024

Fjalët kyçe: aksident komunikacioni; teshtitja; vlerësim i provave;

Parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të kryerjes së veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 297, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 të KPPK-së dhe ia shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Gjykata Themelore arsyetoi se, parashtruesi i kërkesës e kishte drejtuar automjetin përtej normave të shpejtësisë së lejuar dhe pasi e kishte humbur kontrollin e goditi shtyllën elektrike. Në atë rast kishte mbetur e vdekur viktima Z.H. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apeli dhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, me pretendimin se arsyeja e aksidentit ishte teshtima e tij dhe jo shpejtësia e drejtimit të automjetit. Sipas tij, kjo gjë ishte dëshmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe nga dëshmitë e dëshmitarëve. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme refuzuan pretendimet e tij dhe vërtetuan aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke arsyetuar se ekspertiza e komunikacioni tregoi që shkaktari i aksidentit ishte shpejtësia e drejtimit të automjetit dhe jo teshtitja.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë me pretendimin se gjykatat e rregullta shkelën të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, përkitazi me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor dhe vlerësimin e gabuar të provave.

Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta ofruan arsyetime të mjaftueshme në lidhje me përgjegjësinë penale të parashtruesit të kërkesës dhe shkaktarin e aksidentit në komunikacion. Gjykatat e rregullta u bazuan në ekspertizën e komunikacionit që e dëshmoi një gjë të tillë. Në lidhje me administrimin e provave, Gjykata theksoi se ekspertiza mjeko-ligjore nuk kishte konstatuar që teshtitja ka qenë shkaktari i aksidentit në rastin konkret. Gjykata përsëriti që është detyrë e gjykatave të rregullta administrimi dhe vlerësimi i provave. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pati mundësinë që t’i kundërshtonte provat dhe t’i paraqiste argumentet gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Gjykata konstatoi që pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës ishin qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Dukagjin Haxhijaha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale