KI206/23, Parashtrues: Kastriot Islami, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pzd.nr.26/2023 të 16 marsit 2023 të Gjykatës Supreme
KI206/23, Aktvendim për papranueshmëri i 16 korrikut 2024, publikuar më 29 gusht 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paafatshme, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të veprës penale Vrasje në tentativë, në pajtim me nenin 178, lidhur me nenin 28 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të veprës penale Lëndim i lehtë trupor, në pajtim me nenin 188, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore vendosi që parashtruesit të kërkesës t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vitesh e 6 (gjashtë) muajsh. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër vendimeve të lartpërmendura të gjykatave të instancës më të ulët. parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se me shqiptimin e këtij dënimi gjykatat e instancës më të ulët nuk kanë marrë parasysh fare rrethanat e rastit konkret që kanë të bëjnë me lartësinë e dënimit të shqiptuar. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër vendimeve të lartpërmendura të gjykatave të instancës më të ulët.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe në kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit kishte hudhur poshtë të dyja kërkesat duke mos marrë fare parasysh arsyetimet të cilat i ka paraqitur pala mbrojtëse përkatësisht parashtruesi i kërkesës.
Në vlerësimin të kritereve të pranueshmërisë, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pzd.nr.26/2023] e 16 marsit 2023 të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 14 prill 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 25 shtator 2023, më shumë se një (1) muaj pas afatit të parashikuar me ligj.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Kastriot Islami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Penale