KI272/23, parashtrues Ali Tahiri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AKPA.II.nr.163/23] të 1 nëntorit 2023, të Prokurorisë së Apelit
KI272/23, Aktgjykim i 16 nëntorit 2024, publikuar më 28 gusht 2024
Fjalët kyçe: kallëzim penal; hedhje poshtë e ankesës; afati ligjor;
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 16 korrik 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI272/23, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AKPA. II. nr. 163/23] të 1 nëntorit 2023 të Prokurorisë së Apelit. Gjykata, njëzëri vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [AKPA. II. nr. 163/23] i 1 nëntorit 2023 i Prokurorisë së Apelit, nuk është në përputhje me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [AKPA. II. nr. 163/23] e 1 nëntorit 2023 të Prokurorisë së Apelit; dhe (iv) ta kthejë të njëjtin për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Rrethanat e rastit ndërlidhen me afatet kohore të saktësuara në ligjet e aplikueshme për paraqitjen e ankesës ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore për hedhjen poshtë të kallëzimit penal. Më saktësisht, në rrethanat e rastit, (i) parashtruesi i kërkesës paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë kundër A.T-së dhe T.K.-së, dhe të cilin, Prokuroria Themelore e hodhi poshtë, me arsyetimin që vepra penale për të cilën akuzoheshin A.T dhe T.K., kishte arritur parashkrimin absolut; dhe (ii) ankesë kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur në Prokurorinë e Apelit, të cilën kjo e fundit e hodhi poshtë, me arsyetimin se ishte dorëzuar jashtë afatit të paraparë ligjor prej tetë (8) ditësh. Prokuroria e Apelit theksoi se, parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktvendimin më 16 tetor 2023, ndërsa ankesën e dorëzoi më 25 tetor 2023.
Vendimin e lartcekur të Prokurorisë së Apelit, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës, duke pretenduar që i njëjti është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, sepse i është cenuar e drejta për qasje në drejtësi dhe mjet juridik efektiv, duke qartësuar që Prokuroria e Apelit gabimisht kishte aplikuar dispozitat ligjore ndërlidhur me afatet procedurale, sepse ankesa e tij në Prokurorinë e Apelit ishte dorëzuar përmes postës më 23 tetor 2023 dhe jo më 25 tetor 2023, prandaj dita e dorëzimit në postë llogaritet si dita e dorëzimit në Prokurorinë e Apelit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi shtjelloi parimet që burojnë nga praktika e saj gjyqësore por edhe ajo e Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut në kontekst të qasjes në drejtësi dhe mjetit efektiv juridik dhe, ndër tjerash, sqaroi që parashtruesi i kërkesës e kishte përdorur një mjet juridik i cili ishte i parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale, që përcakton të drejtën e paraqitjes së ankesës kundër vendimeve të Prokurorisë Themelore në rastet kur kjo e fundit vendos të hedhë poshtë kallëzimin penal, ndërsa bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar ankesën në Prokurorinë e Apelit përmes postës më 23 tetor 2023 dhe rrjedhimisht brenda afateve kohore të përcaktuara përmes paragrafit 3 të nenit 444 (Afatet) të Kodit të Procedurës Penale. Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Prokuroria e Apelit e kishte llogaritur në mënyrë të qartazi të gabuar afatin e dorëzimit të ankesës, duke cenuar të drejtat e parashtruesit të kërkesës për qasje në drejtësi dhe mjet juridik.
Ali Tahiri
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike
Penale