Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, [Rev.nr.295/2022], të 27 shkurtit 2023

Nr. të lëndës KI128/23

Parashtruesit: Ilirjana Shabanaj

Shkarko:

KI128/23, Ilirjana Shabanaj: Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, [Rev.nr.295/2022], të 27 shkurtit 2023

KI128/23, Aktvendim për papranueshmëri i 29 prillit 2024, publikuar më 28 gusht 2024

Fjalët kyçe: largim nga puna; riorganizim; diskriminim;

Parashtruesja e kërkesës ishte në marrëdhënie të punës me punëdhënësin “ProCredit”, nga viti 2006 deri më 2014, kur u largua nga puna me vendim të bordit menaxhues të punëdhënësit. Në arsyetimin e largimit nga puna, punëdhënësi theksoi se pozita që e mbante parashtruesja e kërkesës ishte shuar për shkak të riorganizimit dhe ristrukturimit të vendeve të punës. Parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore dhe kërkoi anulimin e vendimit të punëdhënësit, për shkak se nuk e kishte arsyetuar largimin nga puna dhe faktin që pozita e saj e punës ishte shuar; dhe se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte lajmëruar paraprakisht për largimin nga puna, sipas kërkesës së nenit 70 dhe 71 të Ligjit të Punës. Gjykata Themelore e miratoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, obligoi kthimin në punë të parashtrueses së kërkesës dhe caktoi dëmshpërblim financiar për të. Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore dhe vlerësoi që parashtruesja e kërkesës nuk mund të kthehet në vendin e punës dhe që kompensimi financiar për të duhej rivlerësuar. Gjykata Supreme, pas revizioni të punëdhënësit, i prishi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe vendosi që vendimi i punëdhënësit për largim nga puna ishte i ligjshëm dhe i arsyetuar.

Parashtruesja e kërkesës pretendon në Gjykatë shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, për shkak të interpretimit të gabuar të ligjit. Parashtruesja e kërkesës pretendon që është diskriminuar për shkak se gjatë largimit nga puna, ishte në pushim të lehonisë.

Gjykata ritheksoi se është detyrë e gjykatave të rregullta interpretimi dhe zbatimi i ligjit dhe Gjykata nuk mund t’ ndryshojë konstatimet dhe vlerësimet e tyre në lidhje me çështjet e faktit dhe të ligjit. Gjykata vlerësoi se parashtruesja e kërkesës kishte mundësi që gjatë procesit gjyqësor të ngritë argumentet e saj juridike dhe të paraqiste prova, dhe nuk ngrit ndonjë të metë procedurale që do të mund ta cenonte procesin e rregullt gjyqësor. Në lidhje me pretendimin për diskriminim, Gjykata theksoi se parashtruesja e kërkesës në asnjë instancë gjyqësore nuk e kishte ngritur çështjen e diskriminimit, prandaj nuk mund ta ngritë për herë të parë në Gjykatë, sepse nuk i ka shterur mjetet juridike në kuptimin substancial para gjykatave të rregullta. Gjykata e shpalli kërkesën e papranueshme.

Parashtruesit:

Ilirjana Shabanaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile