Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.59/2024] të 29 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI119/24

Parashtruesit: Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi

Shkarko:

KI119/24Parashtrues Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.59/2024] të 29 shkurtit 2024 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI119/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 17 korrikut 2024, publikuar më 26 gusht 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara, kërkesa për moszbulim të identitetit.

Nga shkresat e lëndës rezulton se në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës, ishte shkaktuar aksident i komunikacionit, në të cilin morën lëndime trupore parashtruesit e kërkesës, aksident i shkaktuar nga drejtuesi i automjetit që kishte qenë i siguruar te Kompania e Sigurimeve “Siguria”. Si rezultat, më 9 mars 2007, ishte lidhur ujdi jashtëgjyqësore për kompensim nga KS “Siguria”, të dëmit material dhe jo-material, shkaktuar parashtruesve të kërkesës. Pas më shumë se pesë (5) viteve pas lidhjes së ujdisë jashtëgjyqësore, parashtruesit e kërkesës paraqitën padi kundër KS “Siguria” ku kërkuan prishjen e ujdisë jashtëgjyqësore, me pretendimin se (i) ishin mashtruar dhe lajthitur nga përfaqësuesi i të paditurës KS “Siguria”; (ii) ujdia jashtëgjyqësore nuk iu ishte dorëzuar asnjëherë parashtruesve të kërkesës dhe se nuk ishin konsultuar as paraprakisht lidhur me të. Gjykatat e rregullta e kishin refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, përfshirë Gjykatën Supreme e cila duke vendosur sipas revizionit të parashtruesve të kërkesës arsyetoi se (i) nuk rezulton të jetë provuar se ujdia jashtëgjyqësore është lidhur nën lajthim dhe mashtrim; (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dorëzuar ujdinë jashtëgjyqësore përderisa as KS “Siguria” nuk e posedonte pasi kishte kaluar afati pesë (5) vjeçar për ruajtjen e saj megjithatë, përkundër kësaj, në bazë të deklarimit për datën e lidhjes së ujdisë jashtëgjyqësore dhe datës së paraqitjes së kërkesëpadisë në Gjykatën Themelore, kishin kaluar më shumë se pesë (5) vite, dhe si pasojë kishte kaluar afati për të kërkuar anulimin e rrëzueshmërisë së kontratës; dhe (iii) parashtruesit e kërkesës kishin pranuar kompensimin për dëmin e shkaktuar.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtën e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, me arsyetimin se (i) gjykatat e rregullta gjatë shqyrtimit të rastit të tyre nuk kanë marrë për konsideratë kërkesat e paditësve sa i përket lëndimeve trupore që i kanë pasur në aksident trafiku të shkaktuar nga i siguruari i KS “Siguria”; dhe (ii)  KS “Siguria” ju ka caktuar “një avokat, pa pëlqimin e tyre, dhe pa i dhënë fare autorizim” dhe KS “Siguria” ka dhënë arsyetimin se të dhënat financiare i ruajnë vetëm 5 (pesë) vite, dhe se asnjëherë nuk kanë qenë në posedim të ujdisë jashtëgjyqësore. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kërkuan që identiteti i tyre në këtë rast të mos zbulohet, duke mos dhënë ndonjë arsye specifike për këtë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, konsideroi se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesve të kërkesës për pretendimet e tyre sa i përket paraqitjes së ujdisë jashtëgjyqësore dhe çështjes së ngritur përkitazi me mashtrimin dhe lajthimin si rezultat i ujdisë jashtëgjyqësore.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës. Në fund, Gjykata, në pajtim me paragrafin 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës dhe duke u bazuar në shkresat e lëndës, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit.

Parashtruesit:

Duda Krasniqi dhe Lulzim Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile