Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.306/2023 të 17 gushtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI16/24

Parashtruesit: Isa Baçaj

Shkarko:

KI116/23, Parashtrues: Isa Baçaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.306/2023 të 17 gushtit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetimin e të drejtës së pronësisë, pasiqë më 15 maj 2006, përmes parakontratës kishte blerë një paluajtshmëri nga pala e interesuar A.Z. në komunën e Gjakovës, të cilën nuk e kishte regjistruar në librat e tokës konform procedurës ligjore. Pas refuzimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Themelore, i njëjti parashtron ankesë të cilën gjithashtu e refuzon Gjykata e Apelit. Përfundimisht, edhe kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës e refuzoi Gjykata Supreme e cila e theksoi se i njëjti nuk ka provuar përmes asnjë baze juridike pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese sikundër parashihet me nenin 20 dhe 38 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Pronësore Juridike.

Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar: (I) shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i  mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, për sa i përket zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; (II) pretendime për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, përkatësisht cenim të të drejtave pronësore si rezultat i pamundësimit të realizimit të kërkesëspadisë së tij lidhur me vërtetimin e të drejtës së pronës, si dhe (III) pretendimit për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] si rezultat i asaj se në një çështje juridike relativisht të ngjashme, në shkallë të parë e gjykuar nga e njëjta gjykatë, është vendosur ndryshe, ku qytetarit i janë mbrojtur të drejtat njerëzore dhe lirive themelore.

Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës për sa i përket refuzimit të kërkesëpadisë së tij, ku konkluduan se: (i) bazuar në provat e administruara nuk mund të konkludohet që parashtruesi i kërkesës është pronar i paluajtshmërisë kontestuese; (ii) i njëjti me asnjë bazë juridike nuk e provuar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese, siç kërkohet me dispozitat e nenit 20 dhe 33 të Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Pronësore Juridike; (iii) parashtruesi i kërkesës nuk e ka provuar se e ka fituar pronësinë në bazë të parashkrimit fitues nga neni 28 i LMTHPJ-së, përkatësisht se me posedim dhe mirëbesim e ka fituar pronësinë mbi paluajtshmërinë kontestuese; (iv) tek çështja e parashkrimit fitues, posedimi është me mirëbesim në qoftë se mbajtësi nuk e din apo nuk mund ta dijë se paluajtshmëria që mban nuk është e tij, ndërsa në rastin konkret parashtruesi e ka ditur duke u bazuar edhe në parakontratën e shitblerjes së 15 majit 2006; (v) kontrata e shitblerjes nuk ishte e vërtetuar në organin kompetent, e njëjta nuk ishte e legalizuar dhe e regjistruar në librat publik. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se si të tilla i takojnë kategorisë së pretendimeve qartazi të pabazuara në baza kushtetuese si “të pambështetura apo të paarsyetuara ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimit të parashtruesit që atij i është cenuar e e drejta në pronë, i njëjti nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohet konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës). Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 24 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk shpjegoi specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtij neni. Rrjedhimisht, ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Isa Baçaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile