Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit E. Rev. br. 75/20] të 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI199/22

Parashtruesit: P.T.P. “Arta XH”

Shkarko:

KI199/22, Parashtrues P.T.P. “Arta XH”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit E. Rev. br. 75/20] të 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme

KI199/22, Aktgjykim, i 30 majit 2024, publikuar më 30 korrik 2024

Fjalët kyçe: lejueshmëria e revizionit në Gjykatën Supreme, pragu ratione valoris, e drejta në qasje në gjykatë, proporcionaliteti i kufizimit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 maj 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI199/22, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. Rev. nr. 25/20] të 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [E. Rev. nr. 25/20] i 1 gushtit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhje me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [E. Rev. nr. 25/20] e 1 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) ta kthejë të njëjtin për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest për kompensim dëmi dhe kompanisë përkatëse me të cilën kishte marrëdhënie kontraktuale.

Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) parashtruesi i kërkesës dhe kompania përkatëse kishin lidhur një kontratë në vitin 2002, lidhur me shitjen e mbetjeve metalike; (ii) në dhjetor të vitit 2010, kompania iu nënshtrua procesit të privatizimit dhe u regjistrua si person i ri juridik, dhe vijoj përmbushjen e detyrimeve kontraktuale deri më 19 gusht 2011, kur e ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontratën me parashtruesin e kërkesës; (iii) parashtruesi i kërkesës filloi procedurën ligjore, duke kërkuar kompensimin përkatës të dëmit, duke specifikuar gjithashtu që vlera e objektit të kontestit duhet të përcaktohet përmes provave dhe ekspertizës financiare të ofruar nga një ekspert financiar. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, e refuzuan padinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi, përfshirë kërkesën specifike për të përcaktuar vlerën e objektit të kontestit sipas përcaktimeve të nenit 36 (pa titull) të LPK-së, ndërsa kërkesa për revizion e parashtruar në Gjykatën Supreme, u refuzua për arsye procedurale, përkatësisht arsyetimit që vlera e objektit të kontekstit nuk e ka tejkaluar pragun prej 10,000 euro sipas përcaktimeve të nenit 508 (pa titull) të LPK-së.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i Gjykatës Supreme kishte cenuar të drejtën e tij për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash sepse (i) përkundër kërkesës së vazhdueshme, vlera e kontestit nuk ishte përcaktuar në procedurë gjyqësore; (ii) gjykatat kishin dështuar të përcaktojnë vlerën e objektit të kontestit sipas detyrës zyrtare përkundër detyrimit specifik që buron nga Ligji për Procedurën Kontestimore; ndërsa (iii) Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion pikërisht mbi bazën e vlerës së kontestit, përkundër dështimit të gjykatave më të ulëta që të përcaktojnë këtë vlerë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe nëse e drejta e tij për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.

Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata në rrethanat specifike të rastit konkret,  vlerësoi  nëse: (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit në pajtim me testin e zhvilluar nga Gjykata  Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit në shumë prej 10,000 € (dhjetë mijë euro) të përcaktuar me nenin 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore; (b) atë nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme duhet të bartë pasojat e  lëshimeve të kryera gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme.

Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në nenin 508 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.

Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse pragu ratione valoris (iii) ishte proporcional me qëllimin legjitim, Gjykata konsideroi se konstatimi i Gjykatës Supreme në rrethanat e rastit konkret, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kualifikohet si “formalizëm të tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekst të qasjes në drejtësi, ndër tjerash, sepse është detyrim i Gjykatës Supreme që dispozitat e Ligjit për Procedurën Konstimore të i interpretojë dhe zbatojë në tërësinë e tyre, dhe që referenca në nenin 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, dhe i cili përcakton që revizioni në kontestet tregtare nuk lejohet në qoftë se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit të formës së prerë nuk i kalon 10,000 € (dhjetë mijë euro), nuk mund të aplikohet në izolim prej dispozitave tjera të aplikueshme, përfshirë nenin 36 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe i cili, i detyron gjykatat më të ulëta që të veprojnë sipas detyrës zyrtare në përcaktimin e vlerës së objektit të kontekstit në rrethanat e specifikuara në nenin e lartcekur. Sipas sqarimeve të dhëna, dështimi i gjykatave më të ulëta, përfshirë përkundër kërkesave të vazhdueshme të parashtruesit të kërkesës, për të përcaktuar vlerën e objektit të kontestit sipas detyrimeve ligjore, nuk mund të rezultojë në cenimin e të drejtave të parashtruesit të kërkesës për qasje në drejtësi, përkatësisht të drejtën për përdorimin e mjetit juridik të kërkesës për revizion sipas përcaktimeve të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky veprim i Gjykatës Supreme nuk ishte proporcional me qëllimin legjitim të pragut ligjor ratione valoris përkitazi me garantimin e të drejtës për qasje në gjykatat më të larta.

Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, si dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme, ashtu që në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

Parashtruesit:

P.T.P. “Arta XH”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile