Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.45/23] të 20 shkurtit 2023  të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI151/23

Parashtruesit: H.R.Zh.A,

Shkarko:

KI151/23, Parashtrues: H.R.Zh.A, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.45/23] të 20 shkurtit 2023  të Gjykatës Supreme

KI151/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 majit 2024, publikuar më 11 korrik 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar 

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesja e kërkesës kishte lidhur martesë me B.A ne vitin 2005, dhe nga e cila martesë kishte lindur një fëmijë A.A. Bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës kishte paraqitur padi për zgjidhjen e martesës në Gjykatën Themelore, të cilën padi e kishte aprovuar Gjykata Themelore dhe kishte vendosur që ta zgjidhë martesën, ndërsa fëmiun e mitur e kishte lenë në mbikëqyrje të nënës në këtë rast parashtrueses së kërkesës. Parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar kërkesë për përsëritje të procedurës, me arsyetimin se ajo nuk kishte qenë e informuar lidhur me procedurën gjyqësore që ishte mbajtur në Gjykatën Themelore. Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta aprovojë kërkesën për përsëritje të procedurës të parashtruar nga parashtruesja e kërkesës, dhe rastin e kishte rikthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore. Gjykata Themelore prapë vendosi që martesa të zgjidhet dhe fëmiu ti lihet në mbikëqyrje parashtrueses së kërkesës. Në të njëjtën kohë ishte zhvilluar një procedurë gjyqësore edhe në shtetin Kanadez, ku Gjykata Supreme Familjare e Otnarios kishte vendosur lidhur me mbikëqyrjen dhe alimentacionin e fëmiut, por jo edhe për shkurorëzimin. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit vendosi si në vijim: (i) pjesërisht aprovoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të bazuar ashtu që pika II, III dhe IV e dispozitivit të aktgjykimit [C. nr. 268/21] të 14 marsit 2022 të Gjykatës Themelore prishet; (ii) Hodhi si e palejuar padinë e paditësit B.A kundër parashtrueses së kërkesës lidhur me besimin e fëmijës A.A, kontaktit me fëmijën dhe caktimin e alimentacionit; dhe (iii) refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar lidhur me pikën I , V dhe VI të aktgjykimit [c.nr.268/21] të 14 marsit 2022 të Gjykatës Themelore, dhe në këtë pjesë aktgjykimin e Gjykatës Themelore e vërtetoi. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit paraqiti revizion në Gjykatën Supreme paditësi – bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës.  Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 45/2023] pranoi si të themeltë revizionin e paditësit, dhe ndryshoi pjesën e parë të dispozitivit të aktgjykimit [Ac.nr.3384/2022] të 2 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit, që ka të bëjë me pjesën e II, III, dhe IV të dispozitivit të aktgjykimit [C.nr.268/21] të 14 marsit 2022 të Gjykatës Themelore, ashtu që në këtë pjesë aktgjykimin e Gjykatës Themelore e la në fuqi.

Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 50 [Të Drejtat e Fëmiut] të Kushtetutës, dhe neni 6 (E drejta për proces të rregullt) i KEDNJ-së.

Gjykata vërejti se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me pretendimin: (i) me pretendimin për res judicata, pasi që parashtruesja e kërkesës pretendon se kjo çështje është e gjykuar nga Gjykata në Kanada; dhe (ii) për zbatim të gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Sa i përket pretendimit për res judicata, Gjykata vërejti se me vendimin e kontestuar Gjykata Supreme vetëm kishte përfunduar procedurën lidhur me zgjidhjen e martesës e filluar në Gjykatën Themelore, dhe se vetëm kishte vendosur lidhur me njohjen e vendimit të gjykatës së huaj, mirëpo nuk ishte marrë as me shfuqizimin dhe as rihapjen e tij. Kjo pasi kishte konstatuar, se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me res- judicata, pasi që nuk janë plotësuar kushtet për tu konsideruar kjo çështje si res judicata. Andaj, Gjykata vlerësoi se të dy Gjykatat edhe ajo Themelore dhe ajo Supreme, kishin konstatuar se procedura për njohjen e një vendimi të huaj  do duhej të zhvillohej në procedurë jo-kontestimore, ose në procedurë kontestimore me kundërpadi, mirëpo në rastin konkret parashtruesja e kërkesës nuk e kishte ushtruar një mjetë të tillë.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, përfundimi i procedurës për zgjidhjen e martesës me Aktgjykimin [Rev.nr.45/2023] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, në rastin e parashtrueses së kërkesës kundër ish-bashkëshortit të saj, nuk cenon vendimin e formës së prerë, res judicata, pasi ajo nuk ka rihapur apo rishikuar çështjen për të cilën është vendosur përmes vendimit të Gjykatës Supreme – Familjare në Kanada, por vetëm nuk ka bërë njohjen e tij duke u bazuar në ligjet e zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Sa i përket pretendimit për zbatim të gabuar të dispozitave ligjore Gjykata nuk vërejti zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me njohjen e vendimit të një Gjykate të huaj.

Nga sa më sipër, Gjykata vlerësoi se çështja e njohjes së vendimit të huaj është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se vendimi i gjykatës së huaj barazohet me vendimin e gjykatës së vendit dhe prodhon efekt juridik vetëm nëse njohët nga gjykata e vendit, që në këtë rast nuk është njohur pasi që gjykata në Kosovë ka marrë vendim të formës së prerë për këtë çështje.

Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 50 të Kushtetutës, Gjykata konsideroi se pretendimin për shkelje të nenit 50 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, i ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre të drejtave themelore, me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore, për çfarë Gjykata sa mësipër konstatoi se në ketë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetueses dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.

Lidhur me kërkesën për moszbulim të identitetit, Gjykata konsideroi se në një rast familjar publiciteti mund, madje edhe në mënyrë të tërthortë, të ndikojë në identitetin, emrin dhe marrëdhëniet familjare të fëmijëve.

Prandaj, në pajtim me nenin 8 (1) të Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe rregullin 24 (1) të Rregullores së punës, Gjykata miratoi kërkesën e parashtrueses si të bazuar për moszbulimin e identitetit të saj dhe të palëve në procedurë publikisht.

Parashtruesit:

H.R.Zh.A,

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile