KI119/23, Parashtrues, Adem Peci; Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
KI119/23, Vendim për Refuzim të Kërkesës, i 29 prillit 2024, publikuar më 13 qershor 2024.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, refuzim me procedure të shkurtër
Sipas pohimeve të parashtruesit të kërkesës, ai transportoi armë në Kosovë në vitet 1999, bashkë me 42 ushtarë dhe komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më pas, në nëntor të vitit 2017, ai fitoi statusin e veteranit të UÇK-së dhe një pension mujore nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Megjithatë, sipas tij ky status iu hoq në qershor të vitit 2021, për shkak të një vendimi administrativ të paidentifikuar. Gjykata nuk ka informacione shtesë lidhur me këtë çështje.
Gjykata rikujton se kërkesën e parashtruesit të kërkesës e kishte pranuar më 31 maj 2023. Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, më 26 qershor 2023, në pajtim me paragrafin 4, të nenit 22 të Ligjit, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që (i) të plotësojë formularin e kërkesës duke specifikuar saktë se cilin vendim të autoritetit publik konkretisht e konteston para Gjykatës; (ii) të specifikojë cilat të drejta dhe liri janë cenuar; dhe (iii) të dorëzojë vendimin e fundit të kontestuar së bashku me vendimet tjera apo dokumentet e nevojshme që kanë të bëjnë me kërkesën e paraqitur. Gjykata vëren se edhe pas kësaj date, parashtruesi i kërkesës nuk kishte dorëzuar ndonjë shkresë tjetër në mbështetje të kërkesës së tij.
Gjykata rithekson se në rrethanat e rastit konkret, kërkesa e parashtruesit është e paqartë; (i) cilin akt të autoritetit publik parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës; (ii) cilat janë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për cenimin e të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese; dhe (iii) bazuar në shkresat e lëndës dhe përmbajtjen e tyre, faktet e rastit janë të pakuptueshme.
Në këtë aspekt, dhe duke marrë parasysh atë që është cekur më lart, Gjykata në bazë të Rregullores së saj të punës, mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër, meqë parashtruesi i kërkesës nuk ka adresuar kërkesat e Gjykatës edhe pas kërkesës specifike të saj.
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesave, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesave nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesave (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës, KI121/21, parashtrues Bajram Hasani, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 23 shtatorit 2021, paragrafi 38; KI135/21 Isuf Musliuu, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 10 shtatorit 2021, paragrafi 35; dhe KI101/21, ‘N.T.SH. Morina B”, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 8 shtatorit 2021, paragrafi 36). Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 26 (3) dhe 54 (2) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata përfundon se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
Adem Peci
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës