Vendimet e publikuara gjatë muajit maj 2024

10.06.2024

Gjatë muajit maj 2024, në Gjykatën Kushtetuese:

• janë shqyrtuar njëzet (20) raste;
• janë marrë vendimet për tetëmbëdhjetë (18) raste:
• janë publikuar pesë (5) vendime;

Gjatë kësaj periudhe, në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese janë publikuar (i) një (1) Aktgjykim; (ii) dy (2) Aktvendime për papranueshmëri; dhe (iii) dy (2) Vendime.

Aktgjykimet
______________________________
I.
1. KI121/22
Parashtrues: Mexhid Asllani, Ekrem Asllani dhe Nuredin Xhaferi
Publikuar më: 17 maj 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 434/2022] të 24 majit 2022 për plotësimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 426/2021] të 29 qershorit 2021 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ac. nr. 1148/2018], të 4 marsit 2020

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 434/2022] të 24 majit 2022, për plotësimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 426/2021] të 29 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme dhe Aktgjykimit [Ac. nr. 1148/2018] të 4 marsit 2020 të Gjykatës së Apelit. Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil mes parashtruesve të kërkesës dhe kompanisë së sigurimeve “Sigal Uniqua Group Austria” në lidhje me një aksident komunikacioni që kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, nga i cili parashtruesit e kërkesës pësuan lëndime trupore. Si rezultat, parashtruesit e kërkesës, më 15 korrik 2015, parashtruan kërkesëpadi për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Kjo e fundit kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e tyre, duke akorduar për secilin prej parashtruesve një vlerë monetare të caktuar.

Të pakënaqur me vlerën e kompensimit, parashtruesit e kërkesës dhe “Sigal Uniqua Group Austria” e kishin apeluar në Gjykatën e Apelit Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit, më 4 mars 2020, kishte vendosur vetëm përkitazi me ankesën e të paditurës “Sigal Uniqua Group Austria”, por jo edhe për ankesën e parashtruesve të kërkesës. Si rrjedhojë, me të pranuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesit e kërkesës, por edhe e paditura “Sigal Uniqua Group Austria”, parashtruan kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit, më 29 qershor 2021, nxori Aktgjykimin [Rev. nr. 426/2021] nëpërmjet të cilit kishte refuzuar në tërësi revizionin e të paditurës “Sigal Uniqua Group Austria”, por nuk kishte vendosur sërish lidhur me kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës. Këta të fundit, i ishin drejtuar sërish Gjykatës Supreme dhe për pasojë, Gjykata Supreme nxori Aktvendim plotësues [Rev. nr. 434/2022], më 24 maj 2022, nëpërmjet të cilit hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesve të kërkesës, për shkak të vlerës së kontestit nën shumën prej tre mijë (3,000) euro për secilin parashtrues. Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kontestuan vendimet e lartcekura, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në esencë, parashtruesit pretenduan cenimin e të drejtës së tyre për “qasje në drejtësi” nga ana e (i) Gjykatës së Apelit, për shkak të mos shqyrtimit të ankesës së tyre; dhe (ii) Gjykatës Supreme, për shkak të mos marrjes në shqyrtim të pretendimit thelbësor për mohimin e drejtësisë dhe të mjetit juridik nga Gjykata e Apelit. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e qasjes në drejtësi; dhe (ii) më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, duke rikujtuar që, në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, gjegjësisht për qasje në drejtësi, nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë e pavarur e themeluar me ligj. Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me shkeljen e të drejtës për qasje në drejtësi nga ana e Gjykatës së Apelit, duke arritur në përfundimin se kjo e fundit, duke mos e trajtuar fare ankesën e 31 gushtit 2017, as me Aktgjykimin [Ac. nr. 1148/2018] e 4 marsit 2020 dhe as me ndonjë vendim të veçantë, ua kishte pamundësuar parashtruesve të kërkesës shqyrtimin e thelbit të pretendimeve të ngritura në ankesë, kundër Aktgjykimit përkatës të Gjykatës Themelore.

Ndërsa, përkitazi me shkeljet e pretenduara nga ana e Gjykatës Supreme, Gjykata vlerësoi kjo gjykatë do të duhej fokusuar në thelbin e shkeljes së pretenduar nga parashtruesit e kërkesës, që ishte e drejta në mjet juridik para Gjykatës së Apelit dhe jo të pranonte si të mirëqenë Aktgjykimin [Ac.nr.1148/2018] e 4 marsit 2020, të Gjykatës së Apelit, me të cilin nuk u vendos për të drejtat dhe detyrimet civile të parashtruesve të kërkesës, por për ato të të paditurës, përkatësisht, “Sigal Uniqua Group Austria”. Për pasojë dhe siç është shpjeguar në hollësi në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konkludoi se Aktvendimi [Rev. nr. 434/2022] i 24 majit 2022, për plotësimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 426/2021] të 29 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, dhe Aktgjykimi [Ac. nr. 1148/2018] i 4 marsit 2020 i Gjykatës së Apelit janë nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesës, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendime mospajtuese.

Njoftimin përkitazi me Aktgjykimin mund ta lexoni duke klikuar këtu

Ndërsa, tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri
______________________________
II.
Në dy (2) Aktvendime për papranueshmëri të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesat e parashtruesve janë të papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës sepse (i) pretendimet e parashtruesve të kërkesave reflektojnë pretendime me “mungesë të dukshme të shkeljes”, dhe/ose (ii) të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

2. KI30/23
Parashtrues: Telekomi i Kosovës Sh.A.
Publikuar më: 2 maj 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [AC-I-21-0618], të 6 tetorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI76/23
Parashtrues: Suva Rechtsabteillung
Publikuar më: 28 maj 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [E. Rev. 81/2021], të 8 dhjetorit 2022

Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vendimet
______________________________
III.
Në një (1) Vendim për Refuzim të Kërkesës të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesa refuzohet bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (b) paragrafin (2) të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, sepse e njëjta nuk është e plotë.

4. KI268/23
Parashtrues: Hysen Shehu
Publikuar më: 2 maj 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Në një (1) Vendim për Hedhje Poshtë të Kërkesës të publikuar nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se, kërkesa refuzohet bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit, pikën (a) paragrafin (1) të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, sepse Aktvendimi i kontestuar nga ana e parashtruesit për shkelje kushtetuese nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm për shkak se i njëjti është anuluar nga Gjykata Supreme dhe çështja e paraburgimit të tij është kthyer në rivendosje.

5. KI115/23
Parashtrues: Bratislav Nikolić
Publikuar më: 10 maj 2024
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [PN1.nr.422/2023], të 28 prillit 2023

Tekstin e plotë të Vendimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje:

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.