Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AA. nr. 51/2023] të 5 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI179/23

Parashtruesit: Kastriot Thaqi

Shkarko:

KI179/23, Parashtrues: Kastriot Thaqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AA. nr. 51/2023] të 5 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës

KI179/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar 6 qershor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pune, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil, gjegjësisht kontest pune, ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Telekomit të Kosovës, ku kjo e fundit, nëpërmjet organeve të veta, e kishte suspenduar atë nga puna. Fillimisht parashtruesi i kërkesës më 1 shkurt 2022 kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, departamenti për çështje administrative, kundër vendimit të komisionit të ankesave të Telekomit të Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të precizonte ankesën/parashtresën e tij.  Pasi i njëjti e kishte precizuar parashtresën e 1 shkurtit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktvendimin A. nr. 214/2022, e kishte hedhur poshtë, si të palejuar, parashtresën e tij, me arsyetimin se i njëjti nuk kishte parashtruar padi, me të cilën do të kërkonte prishjen e vendimeve të Telekomit të Kosovës, dhe ndalimin e efektit pezullues të tyre, në pajtueshmëri me nenin 26 të Ligjit për Konfliktet Administrative. Parashtruesi i kërkesës, kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktvendimin [AA. nr. 51/2023], e refuzoi ankesën e tij dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se i njëjti nuk kishte arritur që të bënte të qartë kërkesën e tij për anulimin e ndonjë akti administrativ përfundimtar apo për heshtje administrative.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se me aktvendimin e Gjykatës së Apelit i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Efektive Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, Gjykata, pasi shtjelloi parimet e përgjithshme të vendosura nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, dhe i aplikoi ato në rrethanat e rastit konkret, fillimisht vlerësoi se parashtruesi i kërkesës në fakt e kishte ndërtuar pretendimin e tij në baza ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, duke insistuar që çështja e vonesës për të marrë vendim nga gjykatat e rregullta, sipas dispozitave të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), në rastin e tij do të duhej konsideruar si shkelje e nenit 31 të Kushtetutës. Në lidhje me këtë , Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të dëshmonte se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale, në rastin e tij ishin jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa, përkitazi me pretendimin për shkelje të së drejtës për mjet efektiv juridik, Gjykata fillimisht rikujtoi se nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcaktojnë që sistemi juridik duhet të vë në dispozicion një mjet efektiv juridik që autorizon organin kompetent të adresojë thelbin e një pretendimi për shkelje të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, Gjykata vërejti se shkeljen e kësaj të drejte parashtruesi i kërkesës e kishte ndërlidhur me faktin se gjykatat e rregullta nuk trajtuan ankesën e tij, sipas paragrafit 5 të nenit 130 të LPPA-së, duke shtuar se me paragrafin 4 të nenit 130 të LPPA-së, atij i është garantuar e drejta në ankesë pranë gjykatave të rregullta. Gjykata, në këtë rast vlerësoi se Gjykata Themelore i kishte dhënë mundësi parashtruesit të kërkesës që mjetet juridike në dispozicion të ligjit, t’i përdorte në mënyrë efektive, duke kërkuar nga ai që të precizonte parashtresën në kuptim të nenit 30 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të së drejtës për vendim brenda afatit të arsyeshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane  për të Drejtat e Njeriut, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kualifikohen të natyrës së “shkallës së katërt” prandaj të njëjtat, në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; dhe se pretendimi i tij për shkelje të së drejtës për mjet efektiv juridik, të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës, duhej të kualifikohej në kategorinë e dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.  Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës së Gjykatës, u shpall e papranueshme, si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Kastriot Thaqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative