Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit AC. nr. 406/2021 të 23 shtatorit 2022

Nr. të lëndës KI51/23

Parashtruesit: Elmi Simnica

Shkarko:

KI51/23, Parashtrues: Elmi Simnica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AC.nr.406/2021, të 23 shtatorit 2022

KI51/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar 6 qershor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe të paditurës Korporata Energjetike të Kosovës. Ndaj kësaj të fundit, parashtruesi i kërkesë kishte ushtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar pagesën e pagave jubilare. Gjykata Themelore lidhur me këtë rast nxori Aktgjykim [C. nr. 2041/18], me të cilin aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, detyroi të paditurën Korporata Energjetike të Kosovës që t’ia paguajë atij shumën prej dymijë e tridhjetë e katër euro (2034.00 euro), duke refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë që kishte të bënte me pagesën e shumës prej treqind e nëntëdhjetë e shtatë pikë tridhjetë e dy euro (397.32 euro). Ky Aktgjykim u apelua nga e paditura Korporata Energjetike e Kosovës, me pretendimet për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës material. Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin Ac.nr.406/21, aprovoi ankesën e  të paditurës Korporata Energjetike e Kosovës dhe ndryshoi Aktgjykimin e 23 nëntorit 2020, të Gjykatës Themelore, duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është marrë në shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit],  nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke iu referuar pretendimeve të ngritura në kërkesë, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me shkeljen e të drejtës së  tij për gjykim të drejtë, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar të fakteve dhe aplikimit të gabuar të ligjit material, si dhe (ii) për shkak të praktikës gjyqësorë jokonsistente nga ana e Gjykatës së Apelit për të vendosur në mënyrë uniforme për çështje me natyrë të njëjtë faktike dhe juridike. Gjykata, në shqyrtimin e pretendimit të parë, paraprakisht i shtjelloi parimet e përgjithshme të përcaktuara nëpërmjet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vetë Gjykatës dhe konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk dëshmoi dhe nuk mbështeti në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se Gjykatat e Apelit në rastin e tij kishte aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar, prandaj pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit i kualifikoi si pretendime  të shkallës së katërt të cilat ishin argumentuar në nivel ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie. Përkitazi me pretendimet për praktikën gjyqësore jokonsistente nga ana e Gjykatës së Apelit, Gjykata aplikoi parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe vetë Gjykata  dhe arriti të konkludojë se në rastin konkret nuk ishte e mundur të konstatohej ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit, duke u thirrur në vendime gjyqësore të cilat nuk ishin pjesë e lëndës, e për të cilat Gjykata e kishte të pamundur të hyjë në analizë krahasuese për të konfirmuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës për moskonsistencë në praktikën gjyqësore për çështje të njëjta faktike dhe juridike. Ndërsa sa i përket pretendimeve tjera të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata rikujtoi se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të fakteve dhe i aplikimit të gabuar të ligjit material, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve të shkallës së katërt dhe si të tilla, që reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie; pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, përkitazi me praktikën gjyqësore jokonsistente, i takojnë kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë nën b) të pretendimeve të pambështetura apo të paarsyetuara, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; dhe pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 3, 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës, dhe të nenit 13 të KEDNJ-së, i takojnë kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë nën a) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj edhe këto pretendime në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, u shpall e papranueshme, si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Elmi Simnica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile