Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E. Rev. 81/2021] të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI76/23

Parashtruesit: Suva Rechtsabteillung

Shkarko:

KI76/23, Parashtrues “Suva Rechtsabteillung”; Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit [E. Rev. 81/2021] të 8 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI76/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më 28 maj 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar

Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident të vitit 2012. Ai ishte shkaktuar “në mes dy automjeteve në lëvizje, automjeti “Nisan” me targë 03-944-CJ, i siguruar te e paditura e ku H.H., ishte pasagjere e automjetit të paregjistruar që drejtohej nga E.D.,, i cili duke mos ia përshtatur kushteve dhe shpejtësisë së lëvizjes e godet automjetin “Nisan”, e ku e siguruara e paditëses pëson lëndime trupore […]”. Parashtruesi i kërkesës e kishte kompensuar të siguruarën e tij, përkatësisht H. H., në shumën prej 56,994.45 CHF, në emër të trajtimit mjekësor dhe kompensimit për shkak të paaftësisë në punë. Përkitazi për këtë shumë në vitin 2014, parashtruesi i kërkesës në mungesë të një marrëveshjeje për realizmin e kompensimit të dëmit mbi bazën e të drejtës në subrogim me Kompaninë Eurosig”, iu drejtua Gjykatës Themelore përmes padisë duke kërkuar kompensim dëmi në emër të regresit, fillimisht në shumën prej 46, 560.30 euro me kamatë ligjore prej 12% (dymbëdhjetë për qind) e pas precizimit të kërkesëpadisë, kërkoi kompensimin e dëmit në vlerë prej 32, 273. 11 euro, duke filluar nga 26 shtatori 2012 e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. Kompania e Sigurimeve “Eurosig” kishte paraqitur përgjigje në padi, përmes së cilës kundërshton në tërësi bazën juridike të kërkesëpadisë me arsyetimin se aksidenti i trafikut nuk ishte shkaktuar me fajin e të siguruarit të saj, përkatësisht nga personi A. A., por me fajin e një personi tjetër E. D., i cili ishte duke drejtuar veturën tjetër të paregjistruar. Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [III. EK. nr. 319/14] të 20 nëntorit 2017 duke u bazuar në nenin 178 të LMD-së kishte refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se në aksidentin e trafikut të 10 marsit 2012, meqenëse kishte konkluduar se lëndimet e shkaktuara tek personi H. H., ishin shkaktuar me fajin e personit E. D., që ishte duke drejtuar veturën tjetër dhe jo të personit A. L., që ishte duke e drejtuar veturën në të cilën gjendej e siguruara e parashtruesit të kërkesës H. H., dhe rrjedhimisht, konsideroi se Kompania e Sigurimeve “Eurosig” nuk kishte përgjegjësi për shpërblimin e dëmit nga ky rast i siguruar. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae. nr. 13/2018] të 3 qershorit 2020 e aprovon ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe rastin e kthen në rigjykim në shkallë të parë.

Gjykata Themelore në procedurën e rigjykimit përmes Aktgjykimit [III. EK. nr. 292/20] të 26 marsit 2021 duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 154 dhe specifikisht në paragrafin 4 të nenit 178, në lidhje me nenin 195, 300 dhe 939 të LMD-së, detyroi Kompaninë e Sigurimeve “Eurosig”, që t’ia paguaj kompensimin e dëmit në emër të regresit për shpenzimet e trajtimit mjekësor dhe kompensimin për paaftësi për punë gjatë mjekimit të siguruarës së parashtruesit të kërkesës për aksidentin e 10 marsit 2012, në shumën prej 33,466.77 € me kamatë në lartësi vjetore sipas mjeteve të deponuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar, duke llogaritur nga 26 shtatori 2012 e deri në pagesën defintive. Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 96/2021] të 26 tetorit 2021.

Pas paraqitjes së revizionit nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig”, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E. Rev. nr. 81/2021] të 8 dhjetorit 2022 ndryshoi Aktgjykimin [III. EK. nr. 292/2020] e Gjykatës Themelore të 26 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [Ae. nr. 96/2021] e Gjykatës së Apelit të 16 dhjetorit 2021, duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin qendror se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit gabimisht kanë aplikuar të drejtën materiale, përkatësisht nenin 178 dhe nenin 939 të LMD-së “sa i përket vërtetimit të faktit nëse e paditura është e detyruar t’ia kompensoj dëmin paditësit, dispozitën e nenit 178, para.4, të LMD-së, e ka aplikuar në mënyrë të gabuar.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata rikujton se në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon (i) mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe (ii) cenim të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i mungesës së konsistencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme.

Në lidhje me pretendimin e parë, Gjykata konsideron se përgjigjja e dhënë nga Gjykata Supreme lidhur me interpretimin e saj se cila dispozitë ligjore do të zbatohet përkitazi me kompensimin e dëmit në bazë të të drejtës në suborgim është në pajtueshmëri me arsyetimin e saj të dhënë në aktgjykimin e kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në rastin konkret. Prandaj, Gjykata konsideron se interpretimi dhe zbatimi i dispozitave përkatëse ligjore nga Gjykata Supreme në rastin e parashtruesit të kërkesës hynë në sferën e ligjshmërisë, e që është në juridiksionin e  kësaj gjykate. Thënë këtë, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të saj ka arritur të shpjegojë raportin midis fakteve të paraqitura dhe zbatimit të ligjit në të cilin ajo është thirrur, gjegjësisht në çfarë mënyre ato vijnë në korrelacion me njëra-tjetrën dhe se si kanë ndikuar ato në vendimet e Gjykatës që t’i ndryshojë vendimet e gjykatës së shkallës më të ulët përkitazi me  përcaktimin e kompensimit solidar të dëmit.

Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e dytë (ii) pretendime me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”,  andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij, Gjykata Supreme ka vendosur ndryshe duke ndryshuar aktgjykimet e instancave më të ulëta në disfavor të tij lidhur me çështjen kompensimit solidar të dëmit mbi bazën e të drejtës së subrogimit. Në mbështetje të pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës iu referohet dhe i ka dorëzuar katër (3) vendime të Gjykatës Supreme, respektivisht Aktgjykimin [Rev. nr. 331/2014] të 12 marsit 2015; dhe aktgjykimet [Rev. nr. 402/2020] të 12 janarit 2021; [Rev. E. nr. 54/2022], si dhe Aktgjykimin [AC. nr. 2438/17] të Gjykatës së Apelit të 10 dhjetorit 2019. Gjykata vëren se pjesa më e madhe e aktgjykimeve në rastet kur ishte aprovuar apo konfirmuar kompensimi solidar i dëmit ishte bërë mbi bazën e konstatimit të përgjegjësisë solidare në shkaktimin e aksidentit. Kjo qasje ishte zhvilluar mbi bazën e një vlerësimi të kujdesshëm të përgjegjësisë për shkaktimin e aksidentit, duke reflektuar një shqyrtim të hollësishëm të faktorëve të përfshirë në situatën konkrete. Në shumicën e këtyre rasteve, është zbatuar përgjegjësia e përbashkët dhe solidare të palëve të përfshira, fakt i cili ka qenë determinues përkitazi me detyrimet për kompensim solidar të dëmit.

Rrjedhimisht, Gjykata duke marrë parasysh elaborimin e rasteve të lartcekura konstaton se në rrethanat e rastit konkret, nuk plotësohen të tri kriteret e GJEDNJ-së përkitazi me vlerësimin nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjencat në praktikë gjyqësore, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Suva Rechtsabteillung

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile