Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI166/23

Parashtruesit: Bedri Zyberaj

Shkarko:

KI166/23, Parashtrues: Bedri Zyberaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme

KI166/23, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paafatshme, kërkesë e papranueshme    

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK) me ç ‘rast kishte kërkuar që të anulohet vendimi i KPMSHCK-së [A02/329/20 17]  të dt. 20.04.2018 si dhe vendimet tjera pararendëse dhe të paligjshme dhe të detyrohet e paditura KPMSHCK që të kthej parashtruesin e kërkesës në pozitën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si dhe të njëjtit t’i kompensohet i tërë dëmi material dhe moral. Gjykata Themelore e hodhi poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit  e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke theksuar se vendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë, të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime specifike lidhur me (i) arsyetimin joadekuat të vendimit gjyqësor; (ii) mohim të qasjes në gjykatë; (iii) shkelje e të drejtës për një mjet efektiv dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave (iv) diskriminim në punësim,  dhe (v) shkelje të së drejtës në pronë. Parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 15 mars 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 9 gusht 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin  34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe, rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Bedri Zyberaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative