Prishtinë, më 23 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2354/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI166/23
Parashtrues
Bedri Zyberaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Bedri Zyberaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Florim Shefqeti, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [AA.nr.605/2021] të 16 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [A.nr.816/2018] të 9 qershorit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 15 mars 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme përmes të cilit, sipas parashtruesit të kërkesës, janë shkelur nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta); nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji); në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 9 gusht 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 16 gusht 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr. GJR. KI166/23], caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 28 gusht 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Themelore si dhe kësaj të fundit iu kërkua që ta dorëzojë fletëkthesën që tregon datën e pranimit të vendimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 31 gusht 2023, Gjykata Themelore dorëzoi fletë-kthesën që vërteton se parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më 15 mars 2023.
Më 30 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës me dt.17.04.2018 kishte ushtruar padi kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK) me ç ‘rast kishte kërkuar që të anulohet vendimi i KPMSHCK-së [A02/329/20 17] të dt. 20.04.2018 si dhe vendimet tjera pararendëse dhe të paligjshme dhe të detyrohet e paditura KPMSHCK që të kthej parashtruesin e kërkesës në pozitën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si dhe të njëjtit t’i kompensohet i tërë dëmi material dhe moral.
Më 15 qershor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A.nr.816/2018] kishte obliguar parashtruesin e kërkesës që afat prej tetë (8) ditësh të plotësojë padinë, duke specifikuar saktë se cilin akt administrativ kërkon ta anulojë, duke e bashkëngjitur të njëjtin. Në padinë e plotësuar parashtruesi i kërkesës kishte deklaruar që të anulohet vendimi i KMPSHC-së [Nr. A. 02/21/2015] dt. 19.01.2015 si dhe vendimi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (në tekstin e mëtejmë: MKRS) Nr. [2471/2014] të dt.26.12.2014, duke deklaruar se pjesa tjetër e kërkesëpadisë mbetet e pandryshuar.
Më 9 qershor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A.nr.816/2018] e hodhi poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore vlerësoi se nga shqyrtimi i provave të administruara se vendimin [A.02/329/2017] i KPMSHCK-së i dt. 20.04.2018, parashtruesi i kërkesës e ka pranuar me dt.24.04.2018, ndërsa padinë e ka ushtruar në Gjykatën Themelore me dt. 17.04.2018, me çka rezulton se padia është e parakohshme. Gjykata Themelore vendimin e bazoi në nenet 27.1 [Pa titull] dhe 34 par.1 dhe nën par. 1.1 [Pa titull] të Ligjit nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA).
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të drejtës materiale me propozim që vendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë të anulohet dhe kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës në tërësi të aprovohet e bazuar.
Më 16 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.nr.605/2021] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [A.nr.816/2018] të 9 qershorit 2021. Gjykata e Apelit kishte theksuar se vendimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykatë.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale dhe të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës kishte propozuar që vendimet e gjykatave të instancës më të ulët të anulohen dhe kërkesëpadia e tij të aprovohet.
Më 3 nëntor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UVZP.nr.112/2022] e refuzoi të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [AA.nr.605/2021] të 16 shtatorit 2022. Gjykata Supreme arsyetoi: (i) qëndrimin juridik të Gjykatës së Apelit në tërësi e pranon edhe Gjykata Supreme meqë aktvendimi i kontestuar nuk është i përfshirë në shkeljet në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës (ii) me nenin 34 paragrafi 1 pika 1 të LKA-së është përcaktuar se gjykata hedhë poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se padia është paraqitur pas kalimit të afatit ose është e parakohshme; (iii) nga shkresat e lëndës rezulton se e paditura KPMSHC vendimin e goditur [A.02/329/2017] i dt. 20.04.2018, ndërsa parashtruesi i kërkesës padinë në Gjykatën themelore e ka dorëzuar më 17.04.2018; (iv) duke marrë parasysh shtjellimin e mësipërm, Gjykata Supreme konsideron se gjykatat e instancës më të ulët kanë vepruar në mënyrë të drejtë dhe përcaktuar me ligj kur padinë e parashtruesit të kërkesës e kanë hedhur poshtë si të parakohshme.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës, në lidhje me pretendimet për shkelje të këtyre neneve, thekson: (i) arsyetimin joadekuat të vendimit gjyqësor; (ii) mohim të qasjes në gjykatë; (iii) shkelje e të drejtës për një mjet efektiv dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave (iv) diskriminim në punësim, dhe (v) shkelje të së drejtës në pronë.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta sidomos vendimi i Gjykatës Supreme karakterizohen nga mungesa e arsyetimit adekuat për shkak se nuk përmbajnë arsyetim të mjaftueshëm lidhur me faktet vendimtare dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë shqyrtuar në substancë padinë dhe ankesat e tij dhe rrjedhimisht kanë cenuar të drejtën e tij për qasje në gjykatë, e cila përveç aspektit formal të dorëzimit të ankesës në një gjykatë po ashtu garanton edhe shqyrtimin e ankesës nga gjykata.
Parashtruesi i kërkesës thekson se nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës garantojnë mjete efektive juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës janë cenuar në dëm tij për shkak se sistemi gjyqësorë nuk i ka ofruar mjete efektive juridike dhe mbrojtje gjyqësore përkitazi me faktet dhe pretendimet vendimtare të padisë dhe ankesave të parashtruara pranë gjyqësorit të rregullt.
Parashtruesi i kërkesës ngre pretendim për nenin 55 të Kushtetutës në kontekst të shterimit të mjeteve juridike dhe jo lidhur me procesin vendimmarrës në gjyqësorin e rregullt. Ndërsa, në kontekst të së drejtës për mbrojtje të pronës, parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 46 i Kushtetutës dhe nenin 1 i protokollit nr.1 të KEDNJ-së janë cenuar në dëm të tij si rrjedhojë e largimit nga pozita e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se largimi i tij nga pozita e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës përbën diskriminim në vendin e punës, çka është e ndaluar me nenin 24 të Kushtetutës dhe ligjit e aplikueshme për ndalimin e diskriminimit në Republikën e Kosovës.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) kërkesa të deklarohet e pranueshme; (ii) të konstatojë se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenin 6 dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të KEDNJ-së; dhe (iii) çështja t’i kthehet në vendosje, Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
[...]
Neni 49
(Afatet)
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit; dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi i fundit gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.112/2022] të 3 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 15 mars 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 9 gusht 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendore t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katër mujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe, rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 30 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Bedri Zyberaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative