KI92/23: Parashtrues Mimoza Pajaziti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Pml.nr.474/2022], i 22 dhjetorit 2022
KI92/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 janarit 2024, i publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyçe: vrasje; prova shfajësuese; mesazhe elektronike;
Prokuroria Themelore në Ferizaj ngriti aktakuzë kundër parashtrueses së kërkesës për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 179 dhe 374 të KPRK-së. Gjykata Themelore përmes aktgjykimit e shpalli fajtore parashtruesen e kërkesës dhe ia shqiptoi dënimin me 18 (tetëmbëdhjetë) vite burgim. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesja e kërkesës e privoi nga jeta personin A.K, më 31 gusht 2018 në qytetin e Ferizajt. Kjo u dëshmua nëpërmjet mesazheve elektronike dhe videove që vërtetuan takimin në atë kohë ndërmjet viktimës dhe parashtrueses së kërkesës. Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e ktheu çështjen në rigjykim. Gjykata Themelore në rigjykim mori vendim të njëjtë dhe e dënoi përsëri parashtruesen e kërkesës. Parashtruesja e kërkesës ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se në rigjykim nuk u morën parasysh udhëzimet dhe vërejtjet e saj nga Gjykata Themelore. Parashtruesja e kërkesës pretendonte që provat dhe gjurmët që ishin gjetur në vendin e ngjarjes ishin shfajësuese për të. Gjykata e Apelit, më pas Gjykata Supreme, vërtetuan vendimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se Gjykata Themelore nëpërmjet administrimit të provave kishte dëshmuar fajësinë e parashtrueses së kërkesës. Gjykatat e rregullta theksuan se disa prova që u gjetën në vendin e ngjarjes ishin shfajësuese për parashtruesen e kërkesës dhe ato u morën parasysh. Megjithatë, nëpërmjet provave të tjera u vërtetua në mënyrë të pakontestueshme që parashtruesja e kërkesës ishte fajtore për vrasjen.
Parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë me pretendimin se, vendimet e gjykatave të rregullta shkelën të drejtën për një proces të rregullt dhe të paanshëm gjyqësor dhe për përdorimin e mjeteve juridike. Ajo pretendonte se në procedurën e rigjykimit nuk u morën parasysh vërejtjet e Gjykatës së Apelit dhe as provat shfajësuese.
Gjykata ritheksoi se nuk është në autoritetin e saj të vlerësojë provat dhe t’i administrojë ato, e as të përcaktojë fajësinë apo jo të parashtrueses së kërkesës. Një detyrë e tillë është pjesë e juridiksionit të gjykatave të rregullta. Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës kishte mundësi që gjatë procesit gjyqësor të paraqiste propozime për prova, të paraqiste kundërshtimet e saj ndaj provave dhe vlerësimit të tyre, dhe nuk kishte ndonjë mangësi procedurale që do të mund të cenonte të drejtat e saj për proces të rregullt gjyqësor. Në lidhje me përdorimin e mjeteve juridike, Gjykata theksoi se parashtruesja e kërkesës përdori të gjitha mjetet juridike që i kishte në dispozicion, mirëpo ajo nuk është e kënaqur me rezultatin e procesit gjyqësor. Megjithatë, përdorimi i mjeteve juridike nuk nënkupton garanci për rezultat të favorshëm dhe as rezultati i pafavorshëm nuk nënkupton mohim të përdorimit të mjetit juridik.
Mimoza Pajaziti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale