KI43/23, Parashtrues Armend Hamiti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA. nr. 37/22] të 18 janarit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI43/23, Aktgjykim i 17 janarit 2024, publikuar më 11 mars 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, vendim i paarsyetuar gjyqësor
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI43/23, me parashtrues Armend Hamiti, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA. nr. 37/22] të 18 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në lidhje me Vendimin [KPK/ Nr. 1513/2022] të 29 nëntorit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, njëzëri, konstatoi se: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [AA. nr. 37/22] e 18 janarit 2023, duke e kthyer të njëjtin në rishqyrtim në Gjykatën Supreme.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurat disiplinore të iniciuara nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, në cilësinë e Autoritetit kompetent bazuar në ligjin e aplikueshëm, ndaj parashtruesit të kërkesës, i cili ushtron funksionin e Prokurorit në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Procedurat e lartcekura ishin inicuar, pasi që përmes një portali, ishte publikuar një lajm me disa fotografi të një takimi në mes të parashtruesit të kërkesës dhe Sh.K., i dënuar për vepra të ndryshme penale. Si rrjedhojë, në bazë të shkresave të lëndës, KPK themeloi Panelin Hetimor për Zhvillimin e Hetimeve Disiplinore ndaj parashtruesit të kërkesës. Këtij paneli, më pas iu ndryshua përbërja nga kryesuesi i KPK-së, me qëllim të zëvendësimit të njërit nga anëtarët e panelit, me arsyetimin se i njëjti gjendej në pushim vjetor. Parashtruesi i kërkesës iu drejtua më pas Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit (APK), nga e cila kërkoi që të vlerësojë nëse inicimi i procedurës disiplinore nga eprori i parashtruesit të kërkesës, në cilësi të Autoritetit kompetent, paraqet konflikt të interesit. KPK suspendoi procedurën disiplinore deri në vendimmarrjen e APK-së, e cila pas shqyrtimit të kërkesës, konstatoi që inicimi i procedurës disiplinore nga ana e eprorit të parashtruesit, nuk përbënte konflikt të interesit.
Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga KPK (i) zëvendësimin e anëtarit të Panelit Hetimor me arsyetimin se njëjti është nxjerrë kundërligjshëm nga organi jokompetent, respektivisht kryesuesi i KPK-së dhe jo nga KPK si organ kolegjial; (ii) suspendimin e procedurës disiplinore me arsyetimin se i njëjta është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi; (iii) kontestoi mandatin e Panelit Hetimor me arsyetimin se të njëjtit i ka skaduar afati ligjor për ndërmarrjen e veprimeve hetimore; si dhe kërkoi (iv) përjashtimin e të gjithë anëtarëve të Panelit Hetimor, me arsyetimin se të gjithë anëtarët përkatës janë nga vendi i tij i lindjes.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) më 1 nëntor 2022, Paneli Hetimor ia dorëzoi KPK-së Raportin hetimor, sipas të cilit, veprimet e parashtruesit të kërkesës, kishin rezultuar në shkelje të nenit 6 (Shkeljet disiplinore për prokurorë) të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; (ii) më 2 nëntor 2022, KPK protokolloi vendimin për refuzimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës për përjashtimin e tre (3) anëtarëve të Panelit Hetimor, si dhe obligoi këtë fundit që të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve dhe të dorëzojë raportin me shkrim brenda afatit të përcaktuar; ndërsa (iii) më 29 nëntor 2022, KPK e aprovoi Raportin hetimor si të bazuar dhe si pasojë i shqiptoi parashtruesit të kërkesës sanksionin disiplinor “Vërejtje publike me shkrim”. Ky vendim u vërtetua nga Gjykata Supreme.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se KPK dhe Gjykata Supreme kanë cenuar të drejtën e tij kushtetuese për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi që nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre, respektivisht, nuk kanë shqyrtuar fare pretendimet ankimore të tij, që ndërlidheshin, mes tjerash, (i) me kompetencën ligjore të kryesuesit të KPK-së për zëvendësimin e anëtarit të Panelit Hetimor; (ii) ligjshmërinë e suspendimit të procedurës disiplinore gjatë kohës sa rasti ishte në trajtim përkitazi me konfliktin e interesit në AKP; (iii) me pretendimin se Panelit Hetimor i kishte kaluar mandati si rezultat i skadimit të afatit ligjor për ndërmarrjen e veprimeve hetimore; si dhe (iv) procedimin e raportit të Panelit Hetimor në KPK përderisa kjo e fundit ende nuk kishte marrë vendim lidhur me kërkesën e përjashtimit të anëtarëve të këtij paneli.
Me qëllim të adresimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor, siç garantohen përmes nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut; dhe (ii) më pas i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë kontekst dhe sipas parimeve të përgjithshme dhe dispozitave relevante në fuqi, të shtjelluara në mënyrë të detajuar në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar nuk kishte adresuar pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës që ndërlidheshin, mes tjerash, me (i) ligjshmërinë e përbërjes së Panelit Hetimor; (ii) suspendimin e procedurës disiplinore; si dhe (iii) vendosjen e rastit nga Paneli hetimor jashtë afatit ligjor. Për pasojë, Gjykata me qëllim që vendimi i Gjykatës Supreme të jetë në përputhje me të drejtën e parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, ktheu të njëjtën në rishqyrtim nga Gjykata Supreme.
Aktgjykimi sqaron që konstatimet e Gjykatës në këtë Aktgjykim ndërlidhen vetëm me garancitë procedurale, përkatësisht të drejtën e parashtruesit të kërkesës për një proces të paanshëm dhe pavarur gjyqësor në kontekst të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Aktgjykimi nuk paragjykon epilogun e procedurave të mëtejme gjyqësore. Për më tepër, Aktgjykimi vë theks në faktin që parashtruesi i kërkesës, përkatësisht prokurorët janë të mveshur me petkun e ushtrimit të një detyre zyrtare, që ngërthen përgjegjësi të larta në kontekst të administrimit të drejtësisë brenda sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Detyrat dhe kompetencat e prokurorëve ngërthejnë detyrimin e ushtrimit të funksionit në mënyrë të pavarur, paanshme, të drejtë dhe objektive, duke zbatuar standardet më të larta të kujdesit, sjelljes së ndershme dhe profesionale, me qëllim të ruajtjes së integritetit të institucionit, përfshirë duke zbatuar parimin kyç në drejtësi të sigurimit të trajtimit të barabartë para ligjit, pa diskriminim të asnjë lloji, duke respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumenteve ndërkombëtare, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës.
Armend Hamiti
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Tjetër