Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 43/2019,  të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës; Aktvendimit, CN. Nr. 2/2023, të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës; dhe Aktvendimit, CPP. Nr. 2/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI100/23

Parashtruesit: Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha

Shkarko:

KI100/23, Parashtrues Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 43/2019,  të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës; Aktvendimit, CN. Nr. 2/2023, të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës; dhe Aktvendimit, CPP. Nr. 2/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI100/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024, i publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, përsëritje e procedurës, ratione materiae

Rrethanat e rastit në fjalë, ndërlidhen njëkohësisht me ato në rastin KI37/21, i cili ka të bëjë me kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës për (i) vërtetimin e pronësisë së një pjese të ngastrës kadastrale dhe (ii) kompensimin për eksproprijimin e po të njëjtës ngastër kadastrale. Kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës në procedurë të rigjykimit para Gjykatës Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik përmes Aktgjykimit [C. Nr. 58/18] të 20 dhjetorit 2017, ishte aprovuar pjesërisht dhe njëherit Komuna e Kaçanikut ishte obliguar që të paguajë një shumë të caktuar për kompensim për shpronësim. Si rezultat i vërtetimit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 593/18] të 20 gushtit 2019 të Gjykatës së Apelit, Komuna e Kaçanikut kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit  përmes Aktgjykimit të kontestuar [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 e kishte pranuar si të bazuar revizionin e Komunës së Kaçanikut dhe kishte ndryshuar Aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës. Gjykata Supreme, ndër tjerash, kishte arsyetuar se kërkesëpadia e tyre ishte parashkruar, ashtu siç përcaktohet më nenin 379 të Ligjit të aplikueshëm për Marrëdhëniet e Detyrimeve, në ndërlidhje me nenet 28 dhe 29 të Ligjit të aplikueshëm Themelor për Marrëdhëniet Pronësore Juridike. Në kërkesën e tyre të parashtruar në Gjykatë me nr. KI37/21, parashtruesit e kërkesës kontestuan Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me pretendimin se i  njëjti ka shkelur të drejtën e tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata në rastin KI37/21, kërkesën e kishte shpallur të papranueshme si qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Aktvendimit për Papranueshmëri nga Gjykata, parashtruesit e kërkesës kishin  parashtruar propozim për lejimin e përsëritjes së procedurës pranë Gjykatës Supreme, duke pretenduar se i njëjti mbështetej në prova të reja. Gjykata Supreme përmes  Aktvendimit të kontestuar [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022, kërkesën e parashtruesve të kërkesës për përsëritje të procedurës e hudhi poshtë si pasaftshme. Kundër këtij Aktvendimi të Gjykatës Supreme, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit përmes Aktvendimit të kontestuar [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023, ankesën e tyre e hudhi si të palejuar, duke konstatuar se dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore në rrethanat konkrete të rastit nuk parashohin mundësinë e paraqitjes së ankesës.

Parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre kontestojnë: (i)  Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme, të nxjerrë në kuadër të procedurës që ndërlidhet me kërkesëpadinë për vërtetimin e të drejtës pronësore dhe eksproprijimin, duke pretenduar shkelje të së drejtës së tyre në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) dy Aktvendimet e Gjykatës Supreme, përkatësisht [CPP. Nr. 2/2022]  të 27 dhjetorit 2022 dhe Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023, të nxjerra në kuadër të procedurës për inicimin e përsëritjes së procedurës duke pretenduar shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës,  në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në lidhje me të parën, Gjykata konstatoi se pretendimet që ndërlidheshin me Aktgjykimin e kontestuar [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, i cili ishte objekt i vlerësimit të kërkesës në rastin KI37/21, përbënin përsëritje të kërkesës të vendosur nga Gjykata përmes Aktvendimit për Papranueshmëri, të 8 shtatorit 2021.

Në lidhje me të dytën, Gjykata, duke pasur parasysh pretendimin e parashtruesve të kërkesës në kontekstin e garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut vëren se procedura gjyqësore e zhvilluar në Gjykatën Supreme, në kuadër të së cilës propozimi për përsëritje të procedurës në këtë gjykatë ishte refuzuar si i pasafatshëm kishte te bënte vetëm me vlerësimin e përmbushjes se kërkesave procedurale të cilat duhet t’i përmbushë një kërkesë për përsëritje të procedurës, në mënyrë që të jetë e pranueshme, dhe të rezultojë në përsëritjen e procedurës gjyqësore, dhe jo për “të drejtat dhe detyrimet civile” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata duke bazuar në praktikën e vet gjyqësore dhe të atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut  konstatoi se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk zbatohen ne kërkesat për përsëritjen e procedurës.

Rrjedhimisht, si rezultat i këtij konstatimi, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës që ndërlidhet  me pretendimet e parashtruesve të kërkesës se Aktvendimet e Gjykatës Supreme, të nxjerrë në kuadër të procedurës për inicimin e lejimit të procedurës për përsëritje të kërkesës janë nxjerrë në shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane është e papranueshme, për shkak se e njëjta është e papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (3) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile