Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 208/2022 të 19 tetorit 2022 

Nr. të lëndës KI60/23

Parashtruesit: Avdi Shala

Shkarko:

KI60/23, Parashtrues: Avdi Shala, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 208/2022 të 19 tetorit 2022 

KI60/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesës qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës ka qenë anëtar i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) deri më 6 nëntor 2014. Ndërkohë, KHAIA ka shpallur konkurs për pozitën e anëtarit në periudhën 2014-2016 dhe ai ishte refuzuar. Parashtruesi i kërkesës ushtroi padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit [nr. 05/48] të KHAIA-së të 15 prillit 2016, duke kërkuar anulimin e tij, me arsyetimin se përgjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve është shkelur paragrafi 9 i nenit 31 të Ligjit nr. 03/l-051 për Aviacionin Civil, si rezultat i mosvazhdimit të mandatit të tij. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 2209/17] të 28 tetorit 2021, refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Ndërsa, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 208/2022], refuzoi revizionin si të pabazuar, me arsyetimin se aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as në zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës bie në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNj-së, meqë ankesa e tij ndërlidhet me tejzgjatjen e procedurës në gjykatat e rregullta, respektivisht me të drejtën për një gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme. Gjykata rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Gjykata e Apelit prej momentit të ushtrimit të ankesës (2017), mori vendim në vitin 2021, duke e zvarritur çështjen e tij në kundërshtim me parimin e nxjerrjes së vendimit brenda kohës së arsyeshme.

Gjykata thekson se një vonesë gjatë një faze të dhënë të procedurës mund të tolerohet, me kusht që e gjithë kohëzgjatja e procedurës të mos jetë shumë e gjatë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Pretto dhe të tjerë kundër Italisë, kërkesa 7984/77, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 37). Gjykata shqyrton procedurat në tërësi në rrethanat e rastit konkret, që do të thotë se megjithëse gjykatat e rregullta mund të konsiderohen përgjegjëse për disa defekte procedurale që shkaktuan vonesa në procese, ato mund të kenë përmbushur  detyrën e tyre për të shqyrtuar çështjen në mënyrë të shpejtë sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, rastin e GJEDNJ-së, Nicolae Virgiliu Tănase kundër Rumanisë, kërkesa 41720/13,  Aktgjykim i 25 qershorit 2019, paragrafi 213).

Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se çështja e parashtruesit të kërkesës në të tri instancat gjyqësore ishte zgjidhur në kohëzgjatje prej afërisht 6 (gjashtë) vite,  4 muaj e 12 ditë. Megjithatë, Gjykata vëren se fazat e ndryshme të procedurës gjyqësore të zhvilluar në gjykatat e rregullta ishin karakterizuar nga vonesa të shkaktuar në instancën e shkallës së dytë, të cilat ndoshta mund të ishin shmangur, por ato nuk janë mjaft serioze për të konkluduar se kohëzgjatja në tërësi e procedurave ishte e tepruar. Prandaj, kufiri i lejuar i procedurës si tërësi nuk u tejkalua dhe rrjedhimisht nuk e sheh kohëzgjatjen e tyre të paarsyeshme (shih, rastin e GJEDN-së, Pretto dhe të tjerët kundër Italisë, cituar më lart, paragrafi 37).

Rrjedhimisht, në dritën e rrethanave të këtij rasti, Gjykata, duke marrë parasysh sjelljen e parashtruesit të kërkesës dhe të autoriteteve relevante, arrin në konkluzion se gjykatat respektive, që nga momenti i vënies në lëvizje të tyre, kanë qenë mjaft aktive duke vendosur brenda limitëve kohore të arsyeshme. Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Avdi Shala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative