KI63/23, Parashtrues: Sali Rexhepi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 379/22] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI63/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2024, publikuar më 23 shkurt 2024
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, kontest pune, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest nga marrëdhënia e punës, i cili filloi me njoftimin e punëdhënësit për shkëputjen e kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në ish-Gjykatën Komunale në Prizren, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar anulimin e njoftimit dhe kthimin në vendin e tij të punës. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren e kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e kishte anuluar si të kundërligjshëm njoftimin e lartcekur të punëdhënësit, me arsyetimin se ndaj tij nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore, siç është përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili sipas Gjykatës Themelore ishte i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989. Kundër këtij Aktgjykimi, punëdhënësi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Megjithatë, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për revizion të punëdhënësit, kishte ndryshuar aktgjykimet e dy instancave më të ulëta, me arsyetimin se njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme. Gjykata përmes Aktgjykimit KI116/21, konstatoi se Aktgjykimi [Rev. nr. 104/2020], i 25 shkurtit 2021, i Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk është në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të njëjtin e ktheu në rivendosje në Gjykatën Supreme, duke konstatuar se në rastin konkret ekzistojnë “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme. Si rrjedhojë e Aktgjykimit KI116/21, Gjykata Supreme kishte nxjerrë qëndrim parimor GJ.A.Su.A231/2022, mbi aplikimin e dispozitave ligjore në kontestet e punës. Më tej, duke vendosur në rishqyrtim lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës, pas nxjerrjes së qëndrimit parimor, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar i) aprovoi revizionin e ushtruar nga punëdhënësi; ii) ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në pikën (I) të dispozitivit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren në pikën (I) dhe (II) të dispozitivit, me arsyetimin se të njëjtit ishin marrë me aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale.
Në kërkesën para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se i) Gjykata Supreme, në vendimin e kontestuar, nuk i kishte adresuar të gjeturat e Aktgjykimit KI116/21; ii) se Gjykata Supreme kishte vendosur në kundërshtim me vet praktikën gjyqësore; dhe iii) Gjykata Supreme, pa asnjë bazë ligjore, kishte vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret.
Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës përkitazi me mosadresim të të gjeturave të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI116/21, si dhe divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese sepse të njëjtat janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Sali Rexhepi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative