KI113/23, Parashtrues: Slađan Trajković, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml. nr. 167/2023], të 25 prillit 2023
KI113/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 janarit 2024, publikuar më 22 shkurt 2024
Fjalët kyç: e drejta për liri dhe siguri, barazia para ligjit, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, të parapara edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:KPRK); krime të luftës me shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës, nga neni 144 i KPRK-së, krime të luftës me shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët me katër Konventat e Gjenevës nga nenet 145 dhe 146 të KPRK-së dhe Organizimi i një grupi për të kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës nga neni 154, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së. Kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktim të paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ishte miratuar nga Gjykata Themelore me arsyetimin se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184 (Caktim i paraburgimit), paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikën 1.2.1 pikën 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:KPPRK), duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat dyshon Prokuroria Speciale. Aktvendimi i Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme. Më pas, Prokuroria Speciale kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e paraburgimit të parapara sipas nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) të KPPRK-së, ndër të tjera, se i) ekzistonte dyshimi i bazuar se parashtruesi kishte kryer veprën penale për të cilën dyshohej; ii) ekzistonte rreziku se i njëjti po të gjendej në liri do të mund të arratisej, duke marrë parasysh natyrën e veprës penale për të cilën dyshohej. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, i cili e kundërshtonte aktvendimin e shkallës së parë në të gjitha pikat, kjo e fundit e refuzoi në tërësi ankesën, duke e mbështetur vendimin e shkallës së parë. Më pas, vendimi i Gjykatës së Apelit, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ishte miratuar edhe nga Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi në mënyrë specifike procedurën që ndërlidhet me vazhdimin për herë të dytë të masës së paraburgimit, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 7 [Vlerat], nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 [E drejta për liri dhe siguri] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prokuroria Speciale pas kalimit të periudhës me të cilën i ishte vazhduar paraburgimi parashtruesit të kërkesës i ishte drejtuar edhe dy herë me kërkesë Gjykatës Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit. Më pas, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës, por siç u cek më lart, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk i kontestoi këto të fundit.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ngriti pretendimet specifike si në vijim: në kuadër të nenit 29 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 të KEDNj-së, (i) pretendimin se vendimet gjyqësore që ndërlidhen me masën e caktimit të paraburgimit dhe vazhdimin e tij, si dhe rrezikun e arratisjes nuk janë mjaftueshëm të arsyetuara; në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së (ii) pretendimin se hetimi dhe grumbullimi i provave sipas parashtruesit është në kundërshtim me paragrafin 3, nenin 61 (Të drejtat e mbrojtësit si përfaqësues i të pandehurit) të KPPRK-së, sepse sipas tij, Prokurorisë Speciale i është lejuar që të kryejë veprime hetimore pa praninë e mbrojtjes.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 të KEDNj-së, Gjykata së pari shtjelloi parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit dhe aplikoi të njëjtat në rastin konkret, duke konstatuar se vendimet e gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara dhe të drejta kur kishin vendosur për çështjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, prandaj nuk mund të thuhet se nuk kanë qenë të arsyetuara në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës apo që, shikuar në tërësinë e tyre, kanë qenë në ndonjë mënyrë arbitrare.
Përkitazi me pretendimin e tij për shkelje të së drejtës së tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, Gjykata nënvizoi se parashtruesi i kërkesës vetëm i është referuar nenit 31 të Kushtetutës pa shtjelluar specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e të drejtave të tij të përcaktuara me këtë dispozitë kushtetuese, prandaj edhe e deklaroi si pretendim të pambështetur.
Slađan Trajković
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale