Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimin Rev. nr. 253/2022, të 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI208/23

Parashtruesit: Telekomi i Kosovës Sh.A.

Shkarko:

KI208/23, Parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimin Rev. nr. 253/2022, të 28 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI208/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 31 janarit 2024, publikuar më 20 shkurt 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vendim i arsyetuar gjyqësor, divergjencë në praktikën gjyqësore, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e të punësuarit kundër parashtruesit të kërkesës, i cili ishte në cilësinë e punëdhënësit për shkak të kompensimit të diferencës së pagës. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë me afat të pacaktuar me të punësuarin më 20 tetor 2011, në vlerën e koeficientit 12 (dymbëdhjetë), ndërsa më 7 mars 2012, parashtruesi i kërkesës përmes Vendimit [01-040-101] zvogëloi pagën e të punësuarit të tij në vlerën e koeficientit 11 (njëmbëdhjetë) si rrjedhojë e pranimit të shkresës së 6 dhjetorit 2011, të Ministrisë përkatëse për Zhvillim Ekonomik drejtuar bordit të saj të drejtorëve sipas së cilës rekomandohej që niveli i 2 (dy) i përgjithshëm i shpenzimeve për personelin në raport me te hyrat e përgjithshme të parashtruesit të kërkesës për vitin 2012 duhet të jetë jo më shumë se 20% (njëzet përqind). Më 18 gusht 2014, Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e të punësuarit dhe anuloi vendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se kontratat e punës nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme sipas Ligjit të Punës. Këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore, më 12 janar 2017, Gjykata e Apelit e vërtetoi pjesërisht ku kërkoi nga Gjykata Themelore që të përcaktojë specifikisht shumat e akorduara ndaj të punësuarit në emër të diferencës në pagë, tatimit dhe trustit, për të cilat e detyroi parashtruesin e kërkesës që t’i paguajë. Në procedurën e rivendosjes, Gjykata Themelore angazhoi ekspertin financiar dhe në Aktgjykimin e saj të 20 nëntorit 2017, akordoi shumat e caktuara për të punësuarin në emër të diferencës në pagë, tatimit dhe trustit nga 1 shkurti deri më 2 shtator 2015, të cilin aktgjykim e vërtetuan edhe Gjykata e Apelit më 25 mars 2021 edhe ajo Supreme më 28 prill 2021, të cilat vepruan sipas ankesës dhe revizionit të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në thelb, për shkak të: (i) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë pretendimin për mos shqyrtimin dhe mos vlerësimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012 si pretendim kryesor ankimor; si dhe (ii) divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme në lidhje me rastet e ngjashme, ku është kërkuar anulimi i vendimeve të parashtruesit të kërkesës për zvogëlimin e koeficientëve të pagave të të punësuarve të tij për shkak të uljes

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Bazuar në këto parime, përkitazi me pretendimet për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta kishin refuzuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me mosshqyrtimin e Kontratës [Nr.01-1417/2012] së Punës në Kohë të Pacaktuar të të punësuarit, të 27 marsit 2012, për shkak se ky pretendim i referohet pjesës së gjykuar të këtij rasti, respektivisht, pjesës që ishte vendosur me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 4782/2014] më 12 janar 2017. Andaj, Gjykata duke pasur parasysh arsyetimin e gjykatave të rregullta dhe në pajtim me parimin e res judicata, konsideroi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Ndërsa, përkitazi me pretendimet për moskonsistencë të vendimeve të gjykatave të rregullta, pasi që  analizoi vendimet e tyre të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vlerësoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 4 (katër) aktgjykime të gjykatave të rregullta, rrethanat e të cilave dallojnë me rastin e parashtruesit të kërkesës. Në fund, përkitazi me pretendimet për të drejtën në mjete juridike dhe mbrojtje gjyqësore, duke pasur parasysh se parashtruesi i kërkesës nuk kishte elaboruar se si kishte ardhur deri te shkelja e këtyre të drejtave, Gjykata konstatoi që pretendimet e tij të deklarohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në tërësi janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Telekomi i Kosovës Sh.A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile