Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.nr.1/23] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 14 shkurtit 2023; dhe Aktvendimit [Ac.nr.1726/2022], të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të 4 tetorit 2022

Nr. të lëndës KI124/23

Parashtruesit: Sherife Bllaca dhe Blendi Bllaca

Shkarko:

KI124/23, Parashtrues: Sherife Bllaca dhe Blendi Bllaca, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.nr.1/23] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 14 shkurtit 2023; dhe Aktvendimit [Ac.nr.1726/2022], të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të 4 tetorit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paafatshme

Nga shkresat e lëndës rezulton që në rrethanat e rastit konkret, procedura gjyqësore e parashtruesve të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me pretendimin e pengim posedimit të pronës, ishte zhvilluar para dy instancave gjyqësore, Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, që kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1726/2022] të 4 tetorit 2022. Megjithatë, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozimin që kjo e fundit të paraqesë në emër të parashtruesit të kërkesës, kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë para Gjykatës se vendimi i kontestuar dhe Njoftimi [KMLC.nr.1/23] i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore te tyre të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenet 7, 8, 17 të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut dhe nenin 26 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata, ndër të tjera, ritheksoi se Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesit. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohen parashtruesit e kërkesës.

Mbi këtë bazë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1726/2022] të 4 tetorit 2022,  ishte dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit te kërkesës ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 te Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) te Rregullores se punës, dhe si e tillë është e papranueshme.

Parashtruesit:

Sherife Bllaca dhe Blendi Bllaca

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile