KI162/23, Parashtrues Skënder Bajrami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN1. 264/2023, të 23 marsit 2023
KI162/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2024, i publikuar më 14 shkurt 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, masa e sigurisë, procedurë penale, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se me arrestimin e parashtruesit të kërkesës bazuar në urdhrin e Prokurorisë Themelore për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti kishte kryer vepra penale të Fajdes dhe të Shmangies nga Tatimi. Më specifikisht, si rezultat i arrestimit të parashtruesit të kërkesës, më 2 mars 2023 dhe kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 3 marsit 2023 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë, pas seancës dëgjimore të mbajtur më 4 mars 2023, përmes Aktvendimit të 5 marsit 2023 të Gjyqtarit të Procedurës Paraprakë në Gjykatën Themelore parashtruesit të kërkesës iu caktua masa e ndalimit për t’iu afruar “vendbanimit të dëmtuarve […] si dhe të bashkakuzuarve në distancën e specifikuar” dhe katërmbëdhjetë (14) të pandehurve tjerë iu caktua masa e paraburgimit. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 5 marsit 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit përmes së cilës pretendoi: (i) shkelje të paragrafit 8 të nenit 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke theksuar se seanca dëgjimore pas arrestimit të tij nuk ishte mbajtur brenda dyzet e tetë (48) orëve, afat ky i përcaktuar edhe me paragrafin 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe (ii) shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke theksuar se nuk përmbusheshin kushtet për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Si rezultat i kësaj, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të kontestuar, të 23 marsit 2023 ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ngritë çështjen e detyrimit kushtetues sipas paragrafit 2 të nenit 29 të Kushtetutës dhe atij ligjor sipas paragrafit 8 të nenit 162 të Kodit të Procedurës Penale që pas arrestimit të pandehurit për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprave penale, i njëjti duhet të sillet para gjyqtarit të procedurës paraprake brenda dyzet e tetë (48) orëve dhe (ii) dështimin e Gjykatës së Apelit Gjykata që t’i adresojë pretendimet e tija thelbësore të ngritura në ankesën e tij para kësaj gjykate e që ndërlidhen me caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar ne fazën e hetimit.
Gjykata në këtë rast, ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me (i) kushtetutshmërinë e kohëzgjatjes së arrestit të tij deri në mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore dhe (ii) caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar. Në lidhje me të parën, Gjykata duke u mbështetur në dokumentacionin e dorëzuar nga Gjykata Themelore gjeti se seanca dëgjimore është mbajtur brenda dyzetë e tetë (48) orëve nga dita e arrestit të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit dhe mos-adresimit të pretendimeve të tij, Gjykata konstatoi se edhe pse Aktvendimi nuk ishte i individualizuar, megjithatë në përmbajtjen e tij, i referohet arsyes për caktimin e masës së lartcekur kështu duke (i) konstatuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale, (ii) dhënë arsyetimin që ndërlidhet me rrezikun e pengimit të tij në procedurën penale si dhe (iii) ofruar arsyetimin përkatës në lidhje me rrezikun e përsëritjes së veprave penale të njëjta.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në kërkesën e tij janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese për shkak të mungesës së dukshme apo evidente të shkeljes ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Skënder Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale