Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.201/2022 të 17 janarit  2023 të Gjykatës Supreme 

Nr. të lëndës KI122/23

Parashtruesit: Avdi Shkodra

Shkarko:

KI122/23, Parashtrues: Avdi Shkodra, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.201/2022 të 17 janarit  2023 të Gjykatës Supreme 

KI122/23, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024, publikuar më 7 shkurt 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, masë e përkohshme, kërkesë e papranueshme    

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë e palës paditëse R.Sh., për ndarjen e pasurisë së përbashkët ndaj të paditurit-parashtruesit të kërkesës lidhur me ngastrën kadastrale nr.445/6, në sipërfaqe prej 415 m2, e cila gjendet në vendin e quajtur “Gavran”, në Gjilan. Gjykata Themelore e aprovoi pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e palës paditëse R.A., duke vërtetuar se i njëjti është pronar i 1/14 pjesë ideale të ngastrës kontestuese, ndërsa pjesën tjetër të kërkesëpadisë e refuzoi si të pabazuar në ligj. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar  shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet dhe të refuzohet kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar, apo aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim. Gjykata e Apelit vendosi që ta refuzojë të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje   thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që lënda të kthehet në rivendosje dhe kërkesëpadia e paditësit R.A. të refuzohet si e pabazuar. Gjykata Supreme e refuzoi të pathemeltë revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme vlerësoi se ndarja e pasurisë është kryer  duke vlerësuar kontributin e secilit në krijimin e saj, ashtu siç me të drejtë ka vendosur gjykata e shkallës së parë.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime specifike duke theksuar se në rastin e tij janë nxjerrë “vendime të dyshimta” të cilat janë në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Parashtruesi i kërkesës theksoi se atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë kushtetuese të garantuara me nenet 22, 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës si dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata konstatoi se në procedurat e zhvilluara gjykatat e rregullta kanë: (i) shpjeguar sfondin e pronës kontestuese; (ii) qartë kanë saktësuar dispozitat ligjore të zbatueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës; dhe, në fund; (iii) kanë konstatuar se parashtruesi i kërkesës dhe palët tjera të përfshira në këtë kontest pronësor kanë pranuar hiset e tyre përkatëse bazuar në kontributin e tyre sipas mënyrës së parashikuar me ligj.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës. Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme në pajtim me rregullat 44 dhe 45 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Avdi Shkodra

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile