KI189/22, Parashtrues: Muhamet Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [nr.09/2049] të 7 nëntorit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës – Komisionit për Kompensimin e Dëmit të personave të dënuar pa arsye dhe personave të hequr pabazë nga liria
KI189/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 28 dhjetor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mos-shterje e mjeteve juridike
Kërkesa ishte dorëzuar nga Muhamet Krasniqi, me vendbanim në fshatin Leshan, Komuna e Pejës i përfaqësuar nga Besart Alimusaj, nga fshati Strellc i Epërm, Komuna e Deçanit.
Rrethanat e rastit konkret lidhen me atë se kundër parashtruesit të kërkesës, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i informatës zyrtare nga paragrafi 1 i nenit 423 i Kodit Nr.04/L-082 Penal të Kosovës. Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë aktakuzën dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për kompensimin e dëmit, për dëmshpërblim, e cila kërkesë ishte refuzuar nga ana e Komisionit për Kompensimin e Dëmit të KGJK-së.
Parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Nr.09/2049] të 7 nëntorit 2022 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës – Komisionit për Kompensimin e Dëmit.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës pas pranimit të Vendimit [nr.09/2049] të 7 nëntorit 2022 të Komisionit për Kompensimin e Dëmit të KGJK-së, ka mundur që të iniciojë konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të Vendimit në fjalë, gjë që vërehet që nuk e ka bërë. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e Komisionit, mund të shqyrtoheshin gjatë procedurës së rregullt nga gjykatat e rregullta. Prandaj, Gjykata gjen se parashtruesi e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike, përkatësisht se në legjislacionin e brendshëm ka mjete efektive juridike në dispozicion në gjykatat e rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar.
Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore theksoi se nëse parashtruesit e kërkesës nuk i shterin mjetet efektive juridike të parapara me ligj, atëherë kërkesat e parashtruesve në Gjykatë konsiderohen si mos-shterje.
Muhamet Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative