Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.383/2021 të 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 200/22

Parashtruesit: Svetlana Pavic

Shkarko:

KI200/22, Parashtrues: Svetlana Pavic, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.383/2021 të 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI200/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntorit 2023, publikuar më 20 dhjetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me një kontest lidhur me një objekt kioskë të cilën bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës e kishte vendosur në truallin e Komunës së Gjilanit përkatësisht në oborrin e Bibliotekës së Qytetit, dhe të cilën kioskë e kishte përdorur si zyre për ushtrimin e profesionit të tij të avokatit deri në korrik të vitit 1999. Më pastaj siç thekson parashtruesja kioska në fjalë i ishte uzurpuar dhe ishte hapur një kafiteri e cila kishte punuar deri në shtator të 1999. Lokali në fjalë më tej ishte marrë në posedim nga ana e Bibliotekës së Qytetit dhe i ishte lëshuar me qira një personi te tretë ku ishte shfrytëzuar për librari. Parashtruesja e kërkesës më tej kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër Komunës së Gjilanit – Biblioteka e Qytetit dhe Shefki Osmani nga Gjilani, për shkak të pasurimit të pabazë, pasi që siç deklaroi, Biblioteka e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan dhe i padituri i tretë Shefki Osmani, ish-drejtor i bibliotekës, pa asnjë bazë ligjore dhe pa autorizim i kanë dhënë me qira lokalin afarist të paditëses, librarisë “Toena” në Gjilan , për shumën monetare mujore prej 90 €, që kjo librari ia ka paguar bibliotekës nga muaji korrik 2001 deri më 31 dhjetor 2003, ndërsa nga viti 2004, kjo librari ia ka paguar qiranë bibliotekës në mënyrën, që në vend të parave, ajo i ka dhënë bibliotekës libra. Përfaqësuesi i autorizuar i paditëses më tej shtoi se paditësja  e ka paditur të paditurin e tretë Shefki Osmani për arsye se ajo nuk ka dëshmi se kush i ka marrë paratë në emër të qirasë, sepse totali i qirasë që ka marrë i padituri i dytë apo i tretë nga data 01.07.2001 deri më 31.03.2005 është 4050 €, e që në raport me të paditurën Komuna e Gjilanit, paditësja kërkon kompensim në të njëjtën shumë, për arsye se Komuna e Gjilanit si bartëse e pushtetit lokal ka detyrimin të mbrojë integritetin dhe pronën e çdo qytetari, ndërsa në këtë në rast kur drejtori i bibliotekës, tani i padituri, ia ka dhënë këtë objekt një personi të tretë me qira, periudhë për të cilën nuk janë paguar shpenzimet komunale, paditësja i ka propozuar gjykatës që padinë dhe kërkesëpadinë ta miratojë në tërësi si të bazuar dhe ta obligojë të paditurin e parë  Komunën e Gjilanit, që në emër të kompensimit të dëmit të paguajë shumën mujore prej 90 €, ndërsa  i padituri i dytë dhe i tretë për shkak të pasurimit të pa bazë t’i paguajnë paditëses shumën prej 90 € në muaj nga data 01.07.2001 deri në pagesën përfundimtare, me kamatën ligjore, si dhe t’ia kompensojnë bashkërisht palës paditëse shpenzimet e papaguara. Gjykata Themelore miratoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës dhe obligoi Komunën e Gjilanit që parashtrueses së kërkesës t’ia kompensojë dëmin material në vlerë prej 2.000 €, në emër të shkatërrimit të lokalit afarist – barakës, së bashku me kamatën ligjore të cilin e paguajnë bankat për mjetet e depozituara për një vit, pa destinacion të veçantë, duke filluar nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, gjithashtu obligoi të paditurën që parashtrues t’ia paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 485 € , në afat prej 15 ditësh, nga marrja e këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë; dhe (ii) refuzoi si të pabazuar pjesën e mbetur të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës me të cilën ajo ka kërkuar qe gjykata ta detyrojë të paditurën Komuna e Gjilanit, Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” dhe Shefki Osmanin, nga Gjilani, që së bashku , në emër të pasurimit të pa bazë, për shkak të shfrytëzimit të lokalit afarist në pronësi të paditëses, paditëses t’ia paguajnë shumën monetare prej 12,150 €, gjegjësisht shumën mujore prej 90€ , duke filluar nga data 01.07.2001 deri më 06.09.2012, periudhë deri kur është shfrytëzuar ky lokal afarist, së bashku me kamatën ligjore. Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me pikën II të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë u refuzua nga ana e Gjykatës së Apelit dhe u vërtetua aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Parashtruesja e kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, i cili revizion u refuzua.

Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtrueses së kërkesës qëndroi në pretendimin se Gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar në dispozita të gabuara ligjore, duke arsyetuar: “…është plotësisht i paqartë qëndrimi i gjykatave të juridiksionit të rregullt, se në këtë rast nuk ekziston bazë për kompensim në emër të pasurimit pa bazë, pra  pasurim të pabazuar nga neni 200 dhe 210 i LPK-së, me arsyetimin se objekti ka qenë i vendosur në tokën për të cilën nuk është ripërtërirë leja, duke shpërfillur me atë rast  faktin se në një situatë të tillë ligjore parashtrueses së kësaj kërkese, përkatësisht bashkëshortit të saj të ndjerë i ka pushuar e drejta e shfrytëzimit të tokës, por ata edhe më tej kanë qenë pronarë të objektit, sepse të njëjtin e  kanë ngritur atë ekskluzivisht me mjetet e tyre, ndërsa të paditurit e kanë shfrytëzuar objektin gjatë gjithë kohës deri në rrënimin e tij më datë 06.09.2012, duke ia lëshuar me qira atë  personave të tretë dhe nga kjo kanë marrë qiranë, e cila  sipas deklarimeve të tyre, ka qenë në shumën mujore prej të paktën 90 eurove”.

Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht të nenit 200 dhe 210 të LMD-së.

Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.

Lidhur me pretendimet e parashtrueses së kërkesës, Gjykata nuk vërejti zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të bollshëm lidhur me pretendimet e parashtrueses së kërkesës.

Gjykata vlerësoi se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtrueses së kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pabazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e saj për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.

Parashtruesja e kërkesës po ashtu pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e saj të garantuara me nenin 22, 24 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenin 13 dhe 14 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesja e kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Lidhur me këto pretendime, Gjykata konsideroi se pretendimin për shkelje të neneve 22, 24 dhe 46 të Kushtetutës lidhur me nenet 13 dhe 14 të KEDNJ-së, parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, i ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre të drejtave themelore me interpretimin e gabuar të ligjit lidhur me pasurimin e pabazë, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura. Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e lartëcekura të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesja e kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si ishin shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, bazuar në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.

 

Parashtruesit:

Svetlana Pavic

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile