KI166/22, Parashtrues: Përparim Muji, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 288/2022] të 28 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI166/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntorit 2023, publikuar më 5 dhjetor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale në ndërlidhje me çështje civile, e drejta në gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale e cila ndërlidhet me një çështje civile, nga ku rezulton që babait të parashtruesit të kërkesës, autoritetet e Komunës së Gjilanit, më 13 prill 1994 ia kishin lëshuar një Vendim [01-465-4/94], për dhënien në shfrytëzim të një paluajtshmërie me numër 2398-0, në sipërfaqe prej 0.04,00 hektarë ose përkthyer në metra katror sipërfaqen prej 400 m2. Ky vendim ishte noterizuar më pas nga parashtruesi i kërkesës. Në vitin 2013, nëpërmjet kopjes së noterizuar parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë pranë organeve komunale të Gjilanit, për bartje të pronësisë, fillimisht në emër të babait të tij, e më pas në emër të tij. Pasi që pronësia ishte bartur mbi parashtruesin e kërkesës, i njëjti në vitin 2018 pranë drejtorisë përkatëse komunale në Gjilan, kishte aplikuar dhe ishte pajisur me leje ndërtimi për të ndërtuar objekt banimi, në paluajtshmërinë e lartcekur. Përkitazi me paluajtshmërinë në fjalë, organet e hetuesisë kishin nisur hetimet mbi dyshimin se bartja e të drejtës së pronësisë lidhur me atë paluajtshmëri, nga autoritetet komunale tek parashtruesi i kërkesës ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë arsye, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte iniciuar padi kundër parashtruesit të kërkesës, e cila ishte shqyrtuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, nëpërmjet Aktgjykimit P. nr. 194/2020, më 26 nëntor 2020, me të cilin shpallet fajtor parashtruesi i kërkesës për kryerje të veprave penale dhe dënohet me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një viti, e dy muajve. Ky Aktgjykim u vërtetua nga Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [PAI. nr. 407/21] të 7 majit 2021, por u ndryshua pjesërisht nga Gjykata Supreme, për sa i përket cilësimeve të veprave penale dhe vendimin për dënimin duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën kohore prej dy vitesh parashtruesi i kërkesës nuk do të kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe paragrafin 1 të nenit 46 [E Drejta në Pronë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj), si dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNj).
Gjykata në këtë rast vëren se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me të (i) drejtën për vendim të arsyetuar, (ii) barazinë e armëve dhe (ii) parimin in dubio pro reo, dhe (iv) mbrojtjen e pronës. Për sa i përket të parës, Gjykata sa më lart vëren se të gjitha pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, lidhur me zbatimin e ligjit penal dhe procedural, janë marrë parasysh dhe janë adresuar nga Gjykata Supreme. Kjo e fundit, përveç tjerash, iu është përgjigjur edhe pretendimeve tjera të parashtruesit të kërkesës, duke i cilësuar të njëjtat si të pabazuara nga shkaku se kërkesa në këtë pjesë ngrinte çështje të vërtetimit dhe vërtetësisë së fakteve, e të cilat nuk mund të trajtoheshin me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, bazuar në nenin 432, paragrafit 2 të KPPK-së. Sa i përket të dytës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se në rastin e tij gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të kërkesës për ekspertizë të re, kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së. Së treti, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur t’i bindë gjykatat e rregullta se provat e paraqitura nga organi i akuzës ishin të pamjaftueshme për të konstatuar fajësinë e tij. Si rregull, Gjykata rikujtoi se barra e të provuarit në raste penale rëndon në organin e akuzës, për të vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se ekziston “dyshimi i bazuar” se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Sikundër është juridiksion i gjykatës së faktit të vlerësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse vërtetësinë e fakteve dhe provave në përputhje me ligjin e aplikueshëm. Së katërti, vlerësoi pretendimet për cenim të së drejtës së pronës nuk janë të aplikueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës, sepse nuk kemi të bëjmë as me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me një të drejtë të pohueshme të fitimit të së drejtës së pronësisë me “ligj” dhe as me pengim të gëzimit paqësor të një prone apo pasurie në kuptim të këtyre dispozitave.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata bazuar në të gjitha shtjellimet dhe analizat e mësipërme, konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së, përkitazi me të drejtën për “vendim të arsyetuar”, “barazi të armëve” dhe shkelje të parimit “in dubio pro reo”, i kualifikoi si të kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara” andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; dhe (II) pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljen e paragrafit 1 të nenit 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, i takon kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, u shpall e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përparim Muji
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Penale