Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 270/22] të 13 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI120/22

Parashtruesit: Gëzim Shtufi

Shkarko:

KI120/22, Parashtrues: Gëzim Shtufi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 270/22] të 13 korrikut 2022.

KI120/22, Aktvendim për papranueshmëri i 30 gushtit 2023, publikuar më 16 tetor 2023

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, paanshmëria gjyqësore

Gjykata rikujton se me Aktgjykimin [P. nr. 333/15] të 19 qershorit 2015 të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës ishte liruar nga akuza për kryerjen e veprës penale të “kanosjes” sipas nenit 185, paragrafit 1 të KPRK-së. Prokuroria Themelore, kundër parashtruesit të kërkesës për herë të dytë kishte ngritur aktakuzën PP. nr. 3063/2013 për kryerjen e veprës penale të “detyrimit” nga neni 340.2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe për veprën penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata Themelore, me Aktgjykimin P. nr. 224/16, e kishte liruar parashtruesin nga akuza sa i përket veprës penale të “detyrimit” dhe e kishte shpallur fajtor atë për veprën penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” dhe e kishte dënuar me gjobë në shumën prej 2500 eurove. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së Prokurorisë Themelore, me Aktvendimin PAKR. nr. 541/2017, e kthen çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, e cila nëpërmjet Aktgjykimit P. nr. 2/2018, e refuzon sërish aktakuzën ndaj parashtruesit të kërkesës për veprën penale të “detyrimit”, duke u thirrur në parimin res judicata. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së Prokurorisë Themelore, me Aktvendimin PAKR. nr. 443/2018, për herë të dytë e rikthen çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, e cila nëpërmjet Aktgjykimit P. nr. 86/2018, e refuzon sërish aktakuzën ndaj parashtruesit, duke u thirrur në parimin res judicata dhe ne bis in idem.  

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u kontestua sërish nga Prokuroria Themelore në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktvendimin PAKR. nr. 327/2019, rikthen për herë të tretë çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore, dhe kjo e fundit me Aktgjykimin PKR. nr. 3/2020, e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e dënoi atë me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore, por vetëm sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar, me ç’rast Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit PAKR. nr. 179/2021, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e rritur dënimin nga 1 (një) vit të dënimit me kusht në 3 (tri) vite me burgim efektiv. Parashtruesi i kërkesës kundër këtij Aktgjykimi kishte ushtruar kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila me Aktgjykimin e kontestuar PML. nr. 310/2021, refuzoi kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë dhe vërtetoi aktgjykimet e instancave më të ulëta, duke e lënë në fuqi dënimin e shqiptuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve ndaj parashtruesit të kërkesës. Kundër Aktgjykimit [PML. nr. 310/2021] të 14 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Kushtetues me arsyetimin se Gjykata Supreme i ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNj-së, për shkak të cenimit të (i) së drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor dhe (ii) paanshmërisë së gjykatës me pretendimin/argumentin qendror se në gjykimin e rastit të tij penal, kishte marrë pjesë tri herë gjyqtarja M. M., dhe atë në dy nivele të ndryshme gjyqësore. 

Gjykata, përmes Aktgjykimit KI 196/21, shpalli të pavlefshëm vetëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përkatësisht Aktgjykimin [PML. nr. 310/2021] e 14 shtatorit 2021, me arsyetimin se është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, sepse (i) është nxjerrë nga përbërja e një Kolegji, në të cilin në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale dhe praktikën gjyqësore të GJEDNj-së dhe të Gjykatës, gjyqtarja M. M. kishte marrë pjesë 3 (tre) herë në vendimmarrje të këtij rasti penal dhe atë 2 (dy) herë në nivele të ndryshme gjyqësore. Ajo fillimisht, në cilësinë e kryesueses së Kolegjit të Gjykatës së Apelit, ishte pjesë e vendimmarrjes në Aktvendimin [PKRK. nr. 541/2017] të 26 dhjetorit 2017 dhe Aktvendimin [PKRK. nr. 443/2018] e 9 tetorit 2018, dhe në cilësinë e anëtares së Kolegjit shqyrtues, mori pjesë në marrjen e Aktgjykimit [PML. nr. 310/21] të Gjykatës Supreme të 14 shtatorit 2021, të kontestuar nga parashtruesi në rastin KI 196/21, dhe rrjedhimisht vendosi ta kthejë Aktgjykimin [PML. nr. 310/2021] e 14 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin KI 196/21. 

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, me arsyetimin se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar [Pml. nr. 270/22] të 13 korrikut 2022, nuk ka vendosur në pajtim me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese sipas Aktgjykimit KI196/21 të 26 majit 2022, lidhur me paanshmërinë  e gjykatës me arsyetimin se Gjykata Supreme në nxjerrjen e Aktgjykimit të dytë, respektivisht Aktgjykimit  [Pml. nr. 270/22] të kontestuar “merr po të njëjtin vendim me të njëjtin kolegj shqyrtues, dhe e shpërfill në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sikur ai të mos ekzistoj fare, as kolegjin nuk e ndryshon, edhe pse kjo e fundit e kishte obliguar Gjykatën Supreme, që kjo çështje të rivendoset nga një kolegj i ri shqyrtues”. Për me tepër, parashtruesi i kërkesës pohon se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar ka dështuar të jap arsyetim dhe njëkohësisht ka shprehur arbitraritet në vendimmarrje. 

Parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon mungesë të paanshmërisë në procedurën e rigjykimit të rastit të tij, pasi gjyqtarët V.D., dhe A.M., të cilët ishin pjesë e Kolegjit të ri të Gjykatës Supreme në nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar, ishin të njëjtit gjyqtarë që morën pjesë në Aktgjykimin e parë, përkatësisht Aktgjykimin [PML. nr. 310/21] të 14 shtatorit 2021.

Gjykata vëren se në kontekst të përbërjes se kolegjit shqyrtues të Gjykatës Supreme që kishin rezultuar në nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar, parashtruesi sipas pretendimeve në kërkesën e dorëzuar pretendon pikërisht ushtrimin e funksioneve të ndryshme të një gjyqtareje brenda të njëjtit proces gjyqësor, përkatësisht faktin që gjyqtarja M. M. kishte marrë pjesë 3 (tre) herë në gjykimin e këtij rasti penal, dhe atë dy herë si kryesuese e Kolegjit në Gjykatën e Apelit në nxjerrjen e vendimeve [PAKR. nr. 541/2017] të 26 dhjetorit 2017 dhe [PAKR. nr. 443/2018] të 9 tetorit 2018, dhe si anëtare e Kolegjit në Gjykatën Supreme në nxjerrjen e Aktgjykimit [PML. nr. 310/2021] të 14 shtatorit 2021, dhe se fundmi, sipas pretendimit te parashtruesit, përsëri edhe si anëtare e Kolegjit në Gjykatën Supreme në nxjerrjen e Aktgjykimit [PML. nr. 270/2022] të 13 korrikut 2022, veprime të cilat sipas parashtruesit të kërkesës, serish kanë rezultuar në shkelje të së drejtës së tij për “gjykim të drejtë dhe të paanshëm”. 

Gjykata, duke aplikuar praktiken e GJEDNJ-së, konstaton se jodetyrimisht përbërja e njëjtë e trupave gjykuese në shqyrtimin e një çështje të njëjtë në faza të ndryshme të procesit, rezulton në shkelje të se drejtës në gjykim të paanshëm dhe se shkelje të tilla të mundshme varen nga rrethanat specifike të një rasti. Sipas praktikes gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk mund të thuhet se si rregull i përgjithshëm, në rastet kur një gjykate me e lartë e cila kthen një çështje në rishqyrtim, është e detyruar që çështjen ta kthejë të një kolegj me një tjetër përbërje (shih rastin e Gjykatës KI24/17, cituar me lart, paragrafi 56; si dhe rastin e GJENDJ-së Ringeisen kundër Austrisë, kërkesa nr. 4455/10, Aktgjykim i 17 korrikut 1971, paragrafi 97).

Në këtë aspekt, Gjykata thekson se detyrimi për të qenë i paanshëm nuk mund të interpretohet në mënyrë që t’ia imponojë një detyrim një gjykate më të lartë e cila anulon një vendim administrativ ose gjyqësor për ta kthyer lëndën në një autoritet tjetër juridiksioni ose në një degë të përbërë ndryshe të atij autoriteti (shih rastin e GJEDNJ-së Marguš kundër Kroacisë, kërkesa nr. 4455/10, Aktgjykim i 27 majit 2014, paragrafi 85; si dhe rastin Ringeisen kundër Austrisë, kërkesa nr. 2614/65, Aktgjykim i 16 korrikut 1971, paragrafi 97). Gjykata thekson se fakti që një gjyqtar gjykues ka marrë vendime të mëparshme në lidhje me të njëjtën rast nuk mund të konsiderohet në vetvete si justifikim i frikës për paanshmërinë e tij/saj (shih rastin e GJEDNJ-së Thomann kundër Zvicrës, kërkesa nr. 17602/91, Aktgjykim i 25 janarit dhe 21 majit 1996).

Gjykata ve në dukje se, përmes Aktgjykimit KI 196/21, konkludoi se Aktgjykimi i nxjerrë për herë të parë [PML. nr. 310/2021] i Gjykatës Supreme i 14 shtatorit 2021, ishte në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Kjo pasi gjyqtarja M.M. mori pjesë në vendimmarrjen e çështjes penale të parashtruesit në instanca të ndryshme gjyqësore, përkatësisht si kryesuese e kolegjeve në Gjykatën e Apelit për çështjen penale të parashtruesit të kërkesës, dhe si anëtare e Kolegjit në Gjykatën Supreme për kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë. Në këto rrethana, dyshimet për mungesën e paanësisë së gjykatës ishin të justifikuara.

Në rastin konkret, gjykata nuk verën se gjyqtarët V.D., dhe A.M. kishin marrë pjesë në procedura të mëhershme në instanca të niveleve të ndryshme gjyqësore lidhur me rastin e parashtruesit. Kjo dallon prej rastit të lartpërmendur, ku gjyqtarja që mori pjesë në vendimmarrjen në fazat e mëhershme të çështjes penale ishte gjithashtu pjesë e vendimmarrjes në Gjykatën Supreme.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se Gjykata Supreme ka vepruar me kujdes në mënyrë që të evitojë çdo dyshim për paanshmëri, duke larguar gjyqtaren M.M. nga procesi i rigjykimit të rastit të parashtruesit në herën e dytë. Duke u bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së, Gjykata thekson se fakti i thjeshtë që dy gjyqtarët, respektivisht V.D., A.M. ishin dy herë anëtarë të trupit gjykues në nivel të Gjykatës Supreme, njëherë në gjykimin dhe me pas në rigjykimin e rastit të parashtruesit të kërkesës, nuk mjafton për të ngritur dyshime të justifikuara objektivisht për paanshmërinë e tyre (shih rastin e GJEDNJ-së Marguš kundër Kroacisë, kërkesa nr. 4455/10, cituar me lart, paragrafi 85; si dhe Ilnseher kundër Gjermanisë, kërkesat  nr. 10211/12 dhe 27505/14, paragrafi 288, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2018). Në këtë kontekst, detyrimi për të qenë i paanshëm në asnjë mënyrë nuk sugjeron që një gjykatë e lartë, në rastin e anulimit të një vendimi gjyqësor, është e detyruar ta referojë çështjen në një panel me përbërje plotësisht të ndryshëm, veç pse vendimi i mëparshëm ishte i papranueshëm apo në disfavor për parashtruesin e kërkesës.

Gjykata, pas analizës së kujdesshme të rrethanave të këtij rasti, arrin në përfundimin se nuk ekzistojnë fakte të konstatueshme që mund të shkaktonin dyshime të justifikuara në lidhje me paanshmërinë e gjyqtarëve V.D., dhe A.M. Parashtruesi, në këtë kontekst, nuk paraqet asnjë arsye legjitime për të shprehur frikësim ose pasiguri lidhur me objektivitetin dhe pavarësinë e Gjykatës Supreme. Prandaj, Gjykata konfirmon  se çështja në fjalë nuk përfshihet në asnjë shkelje të kërkesave për paanshmëri gjyqësore.

Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar atij të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.

Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Gëzim Shtufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale