KI105/22, Parashtrues: Driton Morina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 327/2021, të 6 prillit 2022.
KI105/22, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2023, publikuar më 12 tetor 2023
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar
Gjykata vëren se pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës në rastin konkret është shkelja e të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së me arsyetimin se i është ndërprerë marrëdhënia e punës në mënyrë joligjore dhe se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre gabimisht kishin konstatuar gjendjen faktike dhe kishin aplikuar të drejtën materiale nga neni 11. 1 i Ligjit Themelor të Punës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës fillimisht kishte kontratë për një periudhë të caktuar kohore nga 2 janari 2008 deri më 31 dhjetor 2008, e cila më pas i është vazhduar për një periudhë tjetër të caktuar kohore nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2009. Ndërsa, marrëdhënia e tij e punës ishte ndërprerë nga punëdhënësi përmes Vendimit [nr. 897] me arsyetimin se marrëdhënia e tij e punës mbaron më 31 dhjetor 2009.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston vendimin për ndërprerjen e punësimit nga ana e punëdhënësit, duke iniciuar kontest gjyqësor fillimisht në Gjykatën Komunale në Prishtinë.
Gjykata gjithashtu vëren se përkitazi me pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës, më konkretisht pretendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës pa bazë ligjore, Gjykata vëren se të njëjtat ishin trajtuar në mënyrë të detajuar nga gjykatat e rregullta edhe në procedurën e rigjykimit. Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe kishin sqaruar se (i) kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës ishte me afat të caktuar, respektivisht nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2009; (ii) kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës nuk paraqiste detyrim për punëdhënësin t’ia vazhdojë kontratën edhe për një vit pas përfundimit të ligjshëm të saj; (iii) punëdhënësi kishte zbatuar drejtë dispozitat që rrjedhin nga Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, të 8 tetorit 2001.
Gjykata vëren se kontrata e punës së parashtruesit të kërkesës e lidhur me punëdhënësin ishte krijuar duke u mbështetur në dispozitat e Rregullores së UNMIK-ut 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë të 8 tetorit 2001. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se neni 11.1, paragrafi d) i Rregullores së UNMIK-ut 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, të 8 tetorit 2001, përcaktonte shprehimisht se “Kontrata e punës shkëputet me skadimin e kohëzgjatjes së punësimit
Prandaj, bazuar në si më sipër, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij se procedurat pranë gjykatave të rregullta në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmes Aktgjykimit të kontestuar i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Driton Morina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative