Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. 576/2021, të 12 shtatorit 2022

Nr. të lëndës KI175/22

Parashtruesit: Edison Muhaxheri

Shkarko:

KI175/22, Parashtrues: Edison Muhaxheri, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. 576/2021, të 12 shtatorit 2022

KI175/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 gushtit 2023, publikuar më 26 shtator 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e rastit ndërlidhet me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës, nga ana e punëdhënësit ProCredit Bank Sh.A., me arsyetimin se punëdhënësi ka riorganizuar vendet e punës dhe për shkak se selia ku parashtruesi kishte qenë i punësuar mbyllet dhe se i njëjti nuk mund të sistemohet në një vend tjetër të punës. Parashtruesi i kërkesës, pasi ishte ankuar në instancën e dytë të punëdhënësit si dhe në Trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar kthim në vendin e punës dhe kompensim të pagave. Gjykata Themelore kishte aprovuar në tërësi padinë e parashtruesit dhe kishte vendosur që parashtruesi i kërkesës të kthehej në vendin e punës si dhe të kompensohej për pagat e papaguara. Më pas, pas ankesës së punëdhënësit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit refuzoi ankesën duke miratuar plotësisht vendimin e shkallës së parë. Punëdhënësi në funksion të zbatimit të vendimit të shkallës së parë, i miratuar edhe nga Gjykata e Apelit, kishte ftuar parashtruesin të kthehej në vendin e punës. Më pas rezulton se parashtruesi i kërkesës dhe punëdhënësi kishin nënshkruar një “Marrëveshje për largim nga puna” për çka punëdhënësi e kishte kompensuar me një shumë të caktuar parashtruesin e kërkesës. Punëdhënësi më pas kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të instancave më të ulëta dhe, më 12 shtator 2022, Gjykata Supreme miratoi revizionin duke ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta dhe duke e refuzuar në tërësi padinë e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev. 576/2021] të Gjykatës Supreme, të 12 shtatorit 2022, me të cilin ishin ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta. Gjykata në vendimin e saj theksoi se bazuar në shkresat e lëndës të cilat Gjykata i posedon, “Marrëveshja për ndërprerjen e marrëdhënia së punës” e lidhur më 25 shtator 2020, në mes parashtruesit të kërkesës dhe punëdhënësit nuk ishte objekt shqyrtimi në Gjykatë dhe e njëjta nuk kishte qenë pjesë e ndonjë procedure gjyqësore.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe nenin 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se i) Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar gabimisht kishte vërtetuar gjendjen faktike, gabimisht kishte interpretuar dhe zbatuar ligjin material, me pretendimin se atij në mënyrë të kundërligjshme i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës; si dhe ii) në rastin e tij kishte tejzgjatje të procedurës gjyqësore.

Gjykata pasi konstatoi se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar për të ngritur rast në Gjykatë dhe se kishte shteruar mjetet juridike, dy pretendimet e parashtruesit të kërkesës i trajtoj ndaras për të vlerësuar nëse janë përmbushur kriteret tjera të pranueshmërisë.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material nga Gjykata Supreme, Gjykata konstatoi se parashtruesi në kërkesën e tij nuk kishte arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky pretendim hyn në kategorinë e pretendimeve qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për tejzgjatje të procedurave gjyqësore, Gjykata konstatoi se parashtruesi nuk kishte dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, sepse faktet e paraqitura nga ai nuk dëshmonin që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar atij këtë të drejtë kushtetuese.

Parashtruesit:

Edison Muhaxheri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative