Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. 576/2021, të 12 shtatorit 2022

Nr. të lëndës KI175/22

Parashtruesit: Edison Muhaxheri

Shkarko:

 

Prishtinë, më​​ 22 shtator 2023

Nr. ref.:RK 2264/23

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

 

rastin nr.​​ KI175/22

 

Parashtrues

 

Edison Muhaxheri

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ Rev.​​ 576/2021 të 12​​ shtatorit 2022, të Gjykatës​​ Supreme​​ të​​ Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS

 

 

e​​ përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar​​ nga​​ Edison Muhaxheri​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: parashtruesi i​​ kërkesës),​​ me vendbanim në​​ Pejë.

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës​​ konteston Aktgjykimin​​ [Rev.​​ nr.​​ 576/2021] të​​ 12​​ shtatorit​​ 2022, të​​ Gjykatës​​ Supreme​​ të​​ Republikës së​​ Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ Supreme),​​ përmes së cilit është ndryshuar Aktgjykimi [Ac.​​ nr.​​ 2610/17]​​ i​​ 26 qershorit 2020 të​​ Gjykatës​​ së​​ Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata e Apelit) dhe​​ Aktgjykimit [C.​​ nr.​​ 2230/13] të 23 marsit 2017 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata​​ Themelore).​​ 

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është​​ vlerësimi​​ i​​ kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ të kontestuar, me të​​ cilin pretendohet se parashtruesit​​ të​​ kërkesës i janë shkelur të drejtat​​ e garantuara me nenet:​​ 31​​ [E​​ Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të​​ Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ të​​ Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në ndërlidhje me nenin 6 (E​​ drejta për një​​ proces të​​ rregullt) dhe nenin 13​​ (E​​ drejta për​​ zgjidhje​​ efektive)​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në​​ tekstin​​ e mëtejmë:​​ KEDNJ)​​ .

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit​​ 113​​ [Juridiksioni​​ dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet​​ 20​​ [Vendimet]​​ dhe​​ 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,​​ nr.​​ 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si​​ dhe​​ në​​ rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së​​ punës​​ së​​ Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,​​ nr.01/2023​​ ​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

  • Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata​​ Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur.​​ Lidhur me këtë,​​ konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura​​ në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • Më​​ 17 nëntor 2022, parashtruesi i​​ kërkesës​​ e​​ dorëzoi​​ kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të​​ Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 2 dhjetor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.

 

  • ​​ 5 dhjetor 2022, Kryetarja​​ e Gjykatës​​ përmes Vendimit​​ [NR.​​ Gjr.​​ KI175/22]​​ caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi​​ gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Bajram Ljatifi​​ (kryesues),​​ Safet Hoxha​​ dhe​​ Radomir Laban​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 30 gusht 2023,​​ Kolegji shqyrtues​​ e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi​​ i kërkesës ishte në marrëdhënie pune​​ që nga 15 qershori 2011 deri më 14 gusht 2013,​​ me Pro Credit Bank Sh.a.​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ punëdhënësi) në pozitën “Zyrtar i shërbimeve bankare.​​ 

 

  • ​​ 14 gusht 2013,​​ punëdhënësi​​ përmes Njoftimit [nr.​​ 13/969]​​ e​​ njoftoi parashtruesin e kërkesës​​ se​​ i ndërpritet marrëdhënia e punës për shkak të riorganizimit të shërbimeve të​​ punëdhënësit dhe​​ pamundësisë së transferimit të tij në ndonjë vend tjetër të punës.

 

  • Më 20 gusht 2013, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Komisionit të Ankesave të Departamentit të Burimeve Njerëzore të​​ punëdhënësit kundër​​ vendimit​​ ​​ punëdhënësit​​ për ndërprerjen e marrëdhënies së​​ punës.​​ 

 

  • ​​ 2​​ shtator 2013, Komisioni i Ankesave i​​ Departamentit të Burimeve Njerëzore të Punëdhënësit, përmes Vendimit​​ [13/969]​​ refuzoi ankesën e parashtruesit.

 

  • Më pas në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës iu​​ drejtua Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, kundër​​ vendimit për largimin nga​​ puna​​ ​​ punëdhënësit.

 

  • Më 13 nëntor 2013, Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës, përmes vendimit [nr.​​ 567/2013] aprovoi kërkesën e parashtruesit dhe konstatoi se​​ punëdhënësi me rastin e largimit nga puna të parashtruesit të kërkesës, ka shkelur​​ dispozitat e Ligjit të​​ punës dhe në këtë mënyrë​​ vendimin me të cilin parashtruesi i kërkesës ishte larguar nga puna e konsideroi si të kundërligjshëm.​​ Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës përmes​​ vendimit të lartpërmendur dënoi​​ punëdhënësin me gjobë në vlerë prej 6000​​ (gjashtë mijë euro)​​ euro.

 

  • Më 5 shtator 2013,​​ parashtruesi​​ i kërkesës parashtroi​​ padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Vendimit​​ [13/881]​​ të 14 gushtit 2013 dhe Vendimit nr. 13/969 të 2 shtatorit 2013 të​​ punëdhënësit, ku kërkoi anulimin​​ e këtyre të fundit, kthim në vendin e punës dhe​​ kompensimin​​ e pagave.

 

  • Më 23 mars 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktgjykimit [C.​​ nr.​​ 2230/13] aprovoi në tërësi padinë e parashtruesit​​ të kërkesës​​ dhe vendosi si në vijim:​​ i) parashtruesin e kërkesës ta kthej në vendin e punës si​​ Zyrtar i shërbimeve bankare; ii) të kompensoj​​ parashtruesin e kërkesës​​ në​​ të ardhurat personale në vlerë prej 17,679.00​​ (shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntë)​​ euro në emër të shpërblimit të dëmit në lartësinë e pagave për periudhën 29 shtator 2013 deri më 30 nëntor 2016; iii)​​ kontributin pensional në​​ vlerë prej 2,044.00​​ (dy mijë e dyzet e katër)​​ euro; iv)​​ tatimin që duhet t’i paguhet Administratës Tatimore në këto paga në vlerë prej 1,125.00​​ (një mijë e njëqind e njëzet e pesë)​​ euro​​ si dhe​​ iv)​​ shpenzimet e procedurës. Gjykata Themelore në Aktgjykimin e saj theksoi se ndërprerja e marrëdhënies së punës​​ nuk ishte në pajtim me “kushtet e kontratës dhe dispozitat ligjore, duke marrë parasysh se parashtruesi i kërkesës dhe​​ punëdhënësi kishin kontratë pune në kohë të pacaktuar dhe se vendimi për ndërprerje të marrëdhënies së punës ishte​​ i paargumentuar.

 

  • Në një datë të paspecifikuar,​​ punëdhënësi​​ parashtroi​​ ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, aplikim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 26 qershor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.​​ nr.​​ 2610/2017] refuzoi si të pabazuar ankesën e​​ punëdhënësit,​​ ndërsa vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm. Gjykata e Apelit në Aktgjykim shtoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, arsyetimi​​ i aktgjykimit është i qartë​​ dhe se e drejta materiale është aplikuar në mënyrë të drejtë në raport me gjendjen faktike të vërtetuar.

 

  • Më tej nga shkresat e lëndës rezulton se më 21 shtator 2020,​​ në funksion të zbatimit​​ të aktgjykimeve [C.​​ nr.​​ 2230/13] të 23 marsit 2017 të Gjykatës Themelore dhe​​ Aktgjykimin [Ac.​​ nr.​​ 2610/2017] të​​ 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Apelit,​​ punëdhënësi ftoi parashtruesin e kërkesës që të filloj punën tek​​ punëdhënësi.

 

  • Më 25 shtator 2020, parashtruesi i kërkesës dhe​​ punëdhënësi kishin arritur “Marrëveshjen për ndërprerjen​​ e​​ marrëdhënies së punës”, ku palët u dakorduan​​ që me vullnetin e tyre​​ të ndërpresin​​ marrëdhënien​​ e punës dhe​​ që​​ punëdhënësi të​​ kompensoj​​ parashtruesin e kërkesës në vlerë prej 7800 euro.

 

  • Në një datë të paspecifikuar,​​ punëdhënësi ushtroi​​ revizion në Gjykatën Supreme, kundër dy vendimeve të instancave më të ulëta duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore​​ dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 12 shtator 2022, Gjykata Supreme​​ përmes Aktgjykimit​​ ka​​ pranuar​​ si të bazuar revizionin dhe ndryshoi​​ Aktgjykimin [C.​​ nr.​​ 2230/13] të 23 marsit 2017 të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimin [Ac.​​ nr.​​ 2610/2017] e 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Apelit, duke refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Gjykata Supreme në arsyetim të aktgjykimit të saj shtoi se “të dy gjykatat e lart përmendura gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale, kur kanë gjetur se padia e paditësit është e bazuar. Sipas Gjykatës Supreme, argumenti kryesor i saj është se sipas paragrafit​​ 1, pika 1 dhe 3 të nenit 70 të Ligjit nr.​​ 03/L-212 të Punës, sepse bazuar në këto dispozita sipas Gjykatës Supreme,​​ punëdhënësi ka qenë “e detyruar të bëj ndërprerjen e marrëdhënies së punës për paditësin, për faktin se ka bërë ristrukturim apo organizimin e ri të punës”, duke marrë parasysh se edhe selia në Pejë në të cilin kishte punuar parashtruesi i kërkesës ishte mbyllur.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës pretendon​​ se gjykatat e rregullta​​ kanë shkelur​​ të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 [E​​ drejta për një​​ proces të​​ rregullt] dhe nenin 13 [E drejta për​​ zgjidhje​​ efektive]​​ të​​ KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ në kërkesën e tij​​ fillimisht thekson se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar gabimisht ka vërtetuar gjendjen faktike, sepse atij në mënyrë të kundërligjshme i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.​​ Parashtruesi​​ i kërkesës​​ më​​ tej në kërkesën e tij shton se vendimit të kontestuar i mungon “baza juridike”.

 

  • Tutje,​​ parashtruesi i kërkesës para Gjykatës thekson se “Gjykata Supreme gjatë vendosjes lidhur me trajtimin e revizionit të palës së paditur ka shkelur në mënyrë​​ flagrante​​ të drejtat kushtetuese për një gjykim të drejtë nga fakti që pa asnjë bazë ligjore i ka refuzuar paditësit kërkesëpadinë,​​ duke i pamundësuar që i njëjti të​​ kompensohet​​ për pagat të cilat është dashtë që ti marr e që nuk i ka marrë si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme nga ana e punëdhënësit të paditurës, e duke i pasur parasysh faktet që e paditura nuk ka bërë asnjë përpjekje ta sistemoj në ndonjë pikë tjetër”.

 

  • Në mbështetje të pretendimeve të tij dhe në përforcim të pretendimit se është cenuar siguria juridike, parashtruesi i kërkesës thirret në rastin,​​ Ryabykh kundër Rusisë, Aktgjykim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

  • Parashtruesi më tej ankohet edhe për​​ procedurën e tejzgjatur gjyqësore, duke pretenduar se​​ përkundër natyrës urgjente​​ procedura ka zgjatur për më tepër se 10 vite.

 

  • Në fund,​​ parashtruesi kërkon që Gjykata ta shpallë rastin e pranueshëm dhe të​​ anulojë​​ vendimin e kontestuar.

 

Dispozitat relevante​​ kushtetuese dhe​​ ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.

6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.

7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.

 

Neni 32 [E Drejta Për Mjete Juridike]

 

Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.

 

Neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

 

Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)

 

1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.​​ 

3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:

a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;

b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;

c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet

ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;

d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;

e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 13 (E Drejta për Zgjidhje Efektive)

 

Çdokush, të​​ cilit i janë​​ shkelur të​​ drejtat dhe liritë​​ e përcaktuara në​​ këtë​​ Konventë, ka të​​ drejtën e një​​ zgjidhjeje efektive para një​​ organi kombëtar, pavarësisht se shkelja​​ është​​ kryer nga persona që​​ veprojnë​​ në​​ përmbushje të​​ funksioneve të​​ tyre zyrtare.

​​ 
 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

Ligji Nr. 03/L-212 i Punës​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 70​​ 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit​​ 


1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur: ​​ 

1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;​​ 

1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;​​ 

1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nën paragrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për​​ punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër.​​ 

 

Ligji Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Neni 136

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Bazat e përgjegjësisë


1. Kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij.

 

​​ Vlerësimi i pranueshmëri​​ ​​ kërkesës​​ 

 

  • Gjykata së​​ pari shqyrton nëse​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ i​​ ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë,​​ të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj​​ dhe​​ me Rregullore të​​ punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7​​ ​​ nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ të cilët përcaktojnë:

 

​​ “1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata më tej i referohet neneve 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit,​​ ​​ përcaktojnë:

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

Parashtruesi i​​ kërkesës ka​​ për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër​​ (4) muajve. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor​​ ...”.

​​ 

  • Sa​​ i përket përmbushjes së​​ këtyre kritereve, Gjykata konstaton se​​ parashtruesi i​​ kërkesës është​​ palë e autorizuar,​​ i cili​​ konteston​​ një akt të një autoriteti​​ publik, përkatësisht​​ Aktgjykimin​​ [Rev.​​ 576/2021]​​ të​​ 12​​ shtatorit 2022, të Gjykatës​​ së​​ Supreme,​​ pasi​​ i ka shteruar​​ të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.​​ 

 

  • Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet​​ të shqyrtojë​​ nëse​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ i​​ ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën​​ rregullit​​ (2)​​ të Rregullores​​ së punës, që​​ përcakton:​​ 

 

(2)​​ Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".​​ 

​​ 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së,​​ por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta​​ (shih,​​ rastet e​​ GjEDNj-së,​​ Kemmachev kundër​​ Francës,​​ Kërkesa​​ nr.​​ 17621/91,​​ kategoria (i),​​ Mentzen kundër Letonia,​​ Kërkesa​​ nr. 71074/01,​​ kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër​​ Ukrainës,​​ Kërkesa​​ nr.​​ 4241/03,​​ kategoria (iii)).

 

  • Në​​ kontekst​​ të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë​​ esencën e rastit si dhe​​ pretendimet përkatëse të parashtruesit të​​ kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me​​ ndërprerjen e marrëdhënies së punës​​ parashtruesit të kërkesës,​​ nga ana e​​ punëdhënësit​​ me arsyetimin se​​ punëdhënësi ka riorganizuar vendet e punës dhe për shkak se selia ku parashtruesi kishte qenë i punësuar mbyllet, i njëjti nuk mund të sistemohet në një vend tjetër të punës. Parashtruesi pasi ishte ankuar në instancën e dytë të​​ punëdhënësit dhe në Trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, kishte paraqitur padi në Gjykatë Themelore duke kërkuar kthim në vendin e punës dhe kompensim të pagave. Gjykata Themelore kishte aprovuar në tërësi padinë e parashtruesit dhe kishte vendosur që parashtruesi i kërkesës të kthehej në vendin e punës si dhe të kompensohej për pagat e papaguara. Më pas, pas ankesës​​ së​​ punëdhënësit në Gjykatën e Apelit kjo e fundit refuzoi​​ ankesën duke miratuar plotësisht vendimin e shkallës së parë. Punëdhënësi në funksion të zbatimit të vendimit të shkallës së parë i miratuar edhe nga Gjykata e Apelit, kishte ftuar parashtruesin të kthehej në vendin e punës. Më pas rezulton se parashtruesi​​ i kërkesës​​ dhe​​ punëdhënësi kishin nënshkruar një “Marrëveshje për largim nga puna” për çka edhe​​ punëdhënësi kishte kompensuar një shumë të caktuar parashtruesin. Punëdhënësi kishte parashtruar revizion në Gjykatën​​ Supreme kundër vendimeve të instancave më të ulëta dhe më 12 shtator 2022, Gjykata Supreme​​ miratoi​​ revizionin duke ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta dhe​​ refuzoi​​ tërësisht padi​​ e parashtruesit.

 

  • Së pari,​​ Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore​​ para Gjykatës​​ konteston Aktgjykimin​​ [Rev.​​ 576/2021] të 12 shtatorit 2022, të Gjykatës Supreme, me të cilin ishte ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta. Në këtë drejtim,​​ Gjykata rikujton se​​ bazuar në shkresat e lëndës të cilat gjykata i posedon​​ Marrëveshja për ndërprerjen e​​ marrëdhënia​​ së punës” e lidhur më 25 shtator 2020, në mes parashtruesit të kërkesës​​ dhe​​ punëdhënësit​​ nuk​​ është objekt shqyrtimi në Gjykatë dhe e njëjta nuk​​ kishte qenë pjesë e ndonjë​​ procedure​​ gjyqësore.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se​​ parashtruesi i​​ kërkesës pretendon​​ se​​ Aktgjykimi i kontestuar shkel të​​ drejtat e tij​​ kushtetuese​​ të garantuara me nenet​​ 31,​​ 32 dhe​​ 54​​ të Kushtetutës​​ në ndërlidhje me nenin 6 dhe 13 të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se​​ thelbi i ankesës së​​ parashtruesit të kërkesës ka të bëjë​​ me shkeljen e nenit 31​​ në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe që ka të bëj me​​ ​​ (i)​​ me​​ mënyrën e interpretimit​​ dhe zbatimit​​ ​​ ligjit material,​​ nga ana e Gjykatës Supreme;​​ si dhe​​ (ii)​​ tejzgjatjen e procedurave gjyqësore.​​ 

 

  • Gjykata në vijim këto dy pretendime do t’i trajtojë​​ ndaras,​​ duke filluar me pretendimin​​ për​​ mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material​​ nga ana e Gjykatës Supreme për të vazhduar me pretendimin për tejzgjatje të procedurës.

 

Përkitazi me pretendimet nën pikën (i) – mënyra e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kontekst të pretendimit të tij për​​ interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit thekson se​​ Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar, kur ka pranuar revizionin e​​ punëdhënësit dhe ka refuzuar tërësisht padinë e parashtruesit të kërkesës “ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat kushtetuese për një gjykim të drejtë,​​ nga fakti që pa asnjë bazë ligjore i ka refuzuar parashtruesit të kërkesës kërkesëpadinë duke i pamundësuar që i njëjti të kompensohet për pagat të cilat është dashtë që ti marr e që nuk i ka marrë si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme nga ana e​​ punëdhënësit.​​ ​​ 

 

  • Nga pretendimet e paraqitura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme.

 

  • Prandaj, bazuar në shtjellimet e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të vlerësojë nëse pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit hyjnë në sferën e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se si​​ rregull​​ i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e​​ ligjshmërisë​​ dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih​​ rastet e Gjykatës: nr. KI87/20, parashtrues​​ Suva Rechtsabteilung, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 13 prillit 2021, paragrafi 57;​​ KI06/17,​​ parashtrues​​ L. G. dhe pesë të tjerët,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i​​ 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, parashtrues​​ X,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55 dhe KI122/16, parashtrues​​ Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56).

 

  • Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Kështu, Gjykata vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, gjë që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin​​ Ballıktaş Bingöllü​​ kundër Turqisë,​​ GJEDNJ, nr. 76730/12 i 22 qershorit 2021, paragrafi 75;​​ García Ruiz kundër Spanjës, GJEDNJ, nr. 30544/96, i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës:​​ KI70/11, parashtrues të kërkesës​​ Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima,​​ Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 16 dhjetorit 2011; si dhe rastet e cekura më lart KI06/17, parashtrues​​ L. G. dhe pesë të tjerët,​​ paragrafi 37; dhe KI122/16, parashtrues​​ Riza Dembogaj, paragrafi 57).​​ 

 

  • Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në​​ praktikën​​ gjyqësore​​ të GJEDNJ-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i saj të rishikojë​​ konkluzionet​​ e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih, rastin e GJEDNJ-së​​ Pronina kundër Rusisë,​​ kërkesa nr. 65167/01,​​ Vendimi për pranueshmëri,​​ i​​ 30 qershorit 2005; dhe rastet e Gjykatës të cituara më lart​​ KI06/17,​​ parashtrues​​ L. G. dhe pesë të tjerët,​​ paragrafi 38; dhe KI122/16, parashtrues​​ Riza Dembogaj, paragrafi 57).​​ 

 

  • Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e​​ ​​ mund të ketë rezultuar në​​ “konkluzione arbitrare”​​ apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin (shih rastet e GJEDNJ-së,​​ Anheuser-Busch Inc., Aktgjykim, paragrafi 83;​​ Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, paragrafët 70-74 dhe 84;​​ Păduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, paragrafi 98;​​ Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, kërkesa nr. 48553/99, paragrafët 79, 97 dhe 98;​​ Beyeler kundër Italisë​​ [GC], kërkesa nr. 33202/96, paragrafi 108;​​ Koshoglu kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 10 majit 2007, paragrafi 50; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës​​ cituar më lart​​ KI122/16, parashtrues​​ Riza Dembogaj, paragrafi 57; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues​​ Basri Deva, Aferdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar "BARBAS", paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).

 

  • Në rastin konkret, Gjykata ka parasysh se Gjykata Supreme kishte​​ aprovuar​​ tërësisht​​ revizionin e paraqitur nga​​ punëdhënësi dhe kishte ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta, duke refuzuar padinë e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës. Gjykata rikujton se në​​ revizionin e paraqitur​​ në Gjykatën Supreme​​ nga​​ punëdhënësi, ky i fundit​​ ​​ kontestoi ligjshmërinë e​​ Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit​​ dhe të​​ Aktgjykimit të Gjykatës Themelore​​ duke​​ pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale.​​ 

 

  • Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit​​ [Rev.​​ nr.​​ 576/2021], të 12 shtatorit 2022,​​ bazuar në dispozitat e nenit 211, 212 dhe 215 të të Ligjit për Procedurën Kontestimore,​​ kishte vlerësuar​​ se revizioni i​​ punëdhënësit në rastin konkret është i bazuar. Në arsyetimin e​​ Aktgjykimit të​​ Gjykatës Supreme theksohet se gjykatat e instancave më të ulëta​​ gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale me rastin e aprovimit të kërkesëpadisë.​​ 

 

  • Në ndërlidhje me këtë,​​ Gjykata rikujton arsyetimin e​​ Aktgjykimit [Rev.​​ nr.​​ 576/2021], të 12 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme,​​ e cila​​ kishte theksuar se gjykatat e instancave më të ulëta nuk kanë zbatuar drejt të drejtën materiale, ndër të tjera,​​ duke​​ theksuar:​​ 

 

Këtë pikëpamje juridike gjykata e revizionit e mori për faktin se është e qartë​​ se në bazë të nenit 70 paragrafi 1, pika 1 dhe 3 të​​ Ligjit m. 03/1-212 të​​ punës, parashihet se: "Punëdhënësi mund t'ia ndërpresë kontratën e punës të​​ punësuarit me një periudhë​​ paralajmërimi, atëherë​​ kur: 1.1. ndërprerja e tillë​​ arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative dhe 1.3, punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nënparagrafin 1.1. dhe 1.2., të​​ këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që​​ ta transferojë të punësuarin në​​ një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë​​ atë për ta kryer punën ose ndonjë pune tjetër", ndërsa këto dispozita ligjore gjykata e​​ shkallës së​​ parë​​ dhe gjykata e shkallës së​​ dytë​​ i kanë​​ zbatuar në​​ mënyrë​​ të​​ gabuar. Nga gjendja faktike e vërtetuar nga gjykata e shkallës së​​ parë, shihet çartë​​ se e paditura ka qenë​​ e detyruar të​​ bëjë​​ ndërprerjen e marrëdhënies së punës për paditësin, për faktin se ka bërë​​ ristrukturimin apo organizimin e ri të​​ punës, për shkak të​​ mbylljes së​​ zyrës së​​ bankës në​​ Pejë​​ SP II-rr. "Mehmet Shoshi", m.2, zyrë​​ ku ka punuar paditësi. Gjykata duke pas parasysh se e paditura ka shqyrtuar mundësinë e transferimit apo sistemimin e paditësit në​​ një vend tjetër të​​ punës, por për shkak të​​ pamundësisë, së​​ transferimit, për shkak të​​ numrit të​​ madh të​​ punëtorëve, dhe faktit se në​​ të​​ gjitha njësitë​​ ka pasur zvogëlim të​​ numrit të​​ punëtorëve, ka qenë​​ e detyruar në​​ ndërprerjen e marrëdhënies së​​ punës të​​ paditësit. E paditura në​​ rastin e ndërprerjes se​​ marrëdhënies së​​ punës të​​ paditësit i ka respektuar në​​ mënyrë​​ të​​ drejtë​​ dispozitat ligjore, të​​ lartcekura, pasi që​​ më​​ datë​​ 30.11.2016, e njëjta e ka ftuar paditësin paraprakisht për ta njoftuar për riorganizimin dhe ristrukturimin e sistemit të​​ punës, dhe konkretisht mbylljen e njësisë në të cilën ka punuar paditësi dhe njoftimin e pamundësisë së​​ transferimit​​ të​​ ri në një njësi tjetër, për shkak të​​ numrit të​​ madh të​​ punëtorëve edhe në​​ njësitë​​ e tjera. Ndërprerja e marrëdhënies së​​ punës për paditësin është në​​ përputhje me dispozitat e lartcekura për faktin se ndërprerja është bërë​​ për arsye të​​ mbylljes së​​ njësisë në të​​ cilën ka qenë​​ duke punuar paditësi dhe kjo vërtetohet me vendimin e Bordit Menaxhues të​​ datës 22.04.2013, dhe mbyllja është bërë​​ për arsye ekonomike teknike dhe organizative, të​​ cilën mbyllje e ka aprovuar edhe Banka Qendrore e Republikës së​​ Kosovës, si autoritet mbikëqyrës, që​​ nënkupton se me rastin e ndryshimeve strukturore janë përfillur proceduarat e parapara, dhe me njoftimin paraprak nga ana e të​​ paditurës, prandaj një vendim i tillë​​ për​​ ndërprerjen e marrëdhënies së​​ punës për Gjykatën Supreme është i drejt dhe i ligjshëm, dhe nuk përbën shkelje të​​ drejtave nga marrëdhënia e punës”.

 

  • Nga si më sipër Gjykata​​ rikujton​​ se​​ përmbajtjen e​​ nenit​​ 70​​ (Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit) të Ligjit të Punës,​​ i cili parasheh si në vijim:


1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur: ​​ 

1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;​​ 

1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;​​ 

1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nënparagrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër

 

  • Gjykata​​ ripërsërit​​ se Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të​​ gjykatave të​​ rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime janë arbitrare ose qartazi te paarsyeshme (shih rastin e Gjykatës të cituar më lart,​​ KI75/17, parashtrues​​ X, ​​​​ paragrafi 59).​​ 

 

  • Megjithatë, bazuar në shtjellimet e mësipërme, si dhe interpretimin dhe arsyetimin e dhënë, në rastin konkret, nuk është dëshmuar që ka arbitraritet në interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme me rastin e refuzimit të​​ padisë së parashtruesit dhe pranimin e revizionit​​ të parashtruar nga​​ punëdhënësi.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i aplikimit në mënyrë diskriminuese të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i “ligjshmërisë” nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë jo i drejtë.

 

  • Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës,​​ dhe rrjedhimisht, ky pretendim është​​ qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar​​ përmes​​ paragrafit (2) të rregullit 34​​ të Rregullores së punës.

 

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për​​ tejzgjatje​​ ​​ procedurave gjyqësore

 

  • Në trajtim të këtij pretendimi, Gjykata fillimisht rikujton edhe një herë këtë pretendim të parashtruesit, i cili ndër të tjera thekson se​​ përkundër​​ natyrës urgjente të rastit si kontest pune, rasti në gjykata të rregullta ka zgjatur për më shumë se 10 vite.

 

  • Përkitazi me pretendimin për tejzgjatje të procedurës, Gjykata fillimisht vë në dukje qëndrimin parimor të GJEDNJ-së​​ se neni 6 (1) i KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të shqyrtuar çështjet brenda një kohe të arsyeshme (shih, Aktgjykimin e GJEDNJ-së, në çështjen Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, Aktgjykim i 1 prillit 2014, paragrafi 91).

 

  • Sa i përket shtrirjes në kohë të procedurave, Gjykata merr parasysh kriteret e GJEDNJ-së​​ të përcaktuara në Aktgjykimin e rastit Tomazič kundër Sllovenisë, (Aktgjykimi i 2 qershorit 2008, paragrafi 54), ku përcaktohet si në vijim: “Sa i përket arsyeshmërisë së zgjatjes së​​ procedurave, [GJEDNJ] thekson se kjo duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit dhe duke pasur parasysh kriteret në vijim: ndërlikueshmëria e rastit, veprimet e parashtruesit të kërkesës dhe autoriteteve relevante, si dhe çfarë ishte në pyetje për parashtruesin në këtë mosmarrëveshje”.

 

  • Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikës së saj, ka vlerësuar se përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih, rastin e GJEDNJ-së, Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, të 23 prillit 1987, paragrafi 64, shih gjithashtu rastin Poiss kundër Austrisë, GJEDNJ, të 23 prillit 1987, paragrafi 50, dhe rasti i Gjykatës Kushtetuese nr. KI127/15, me parashtrues Mile Vasovič, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 15 qershorit 2015, paragrafi 43, KI81/16, me parashtrues Valdet Nikqi, Aktgjykim i 31 majit 2017, KI19/17, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 21 shkurtit 2018, paragrafi 50). Ky proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih rastin e GJEDNJ-së Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 74).

 

  • Në rastin konkret, Gjykata vëren se kemi të bëjmë me​​ kontest pune i cili fillimisht me padi​​ është iniciuar nga parashtruesi i kërkesës më​​ 5 shtator 2013,​​ dhe shkalla e parë, përkatësisht Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesëpadinë në vitin 2017, më pas​​ pas ankesës së​​ punëdhënësit​​ në Gjykatën​​ e Apelit​​ kjo e fundit​​ kishte vendosur në vitin 2020 dhe procedura ka​​ përfunduar me vendimin e kontestuar, më​​ 13 shtator 2022.​​ 

 

  •  Për sa i përket ndërlikueshmërisë së rastit, Gjykata thekson se gjatë vlerësimit të pretendimit të palëve lidhur me tejzgjatjen e procedurave, ndërlikueshmëria e një procedure duhet të shqyrtohet në kuadër të aspektit faktik dhe juridik të kontestit në fjalë (shih rastin e Gjykatës, KI19/17, parashtrues Fatos Dervishaj, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i 21 shkurtit 2018, paragrafi 56).

 

  • Gjykata thekson se në bazë të fakteve të elaboruara më lart, rasti i parashtruesit të kërkesës mund të konsiderohet si i ndërlikuar, në vështrim të gjendjes faktike dhe juridike, për shkak të vendimeve të kundërta gjyqësore në shkallë ndryshme si dhe interpretimeve të ndryshme të legjislacionit në fuqi.​​ 

 

  • Përkitazi me veprimet e palëve në procedurë, Gjykata thekson se, në dritën e praktikës gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, tejzgjatja e procedurës vlerësohet edhe nga veprimet e palëve të cilat marrin pjesë në procedurë (shih, mutatis mutandis rastin e GJEDNJ-së Eckle kundër Gjermanisë, Aktgjykimi i 15 korrikut 1982, paragrafi 82; shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI19/17, parashtrues Fatos Dervishaj, Aktvendim për​​ papranueshmëri i 21 shkurtit 2018, paragrafi 62).

 

  • Lidhur me veprimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka qenë aktiv duke ndërmarrë shumë veprime procedurale, gjegjësisht duke ndjekur hapat procedural të vënë në dispozicion nga ligjet në fuqi.​​ Megjithatë,​​ Gjykata vëren se pas​​ Aktgjykimit [Ac.​​ nr.​​ 2610/2017] të 26 qershorit 2020, parashtruesi i kërkesës dhe​​ punëdhënësi kishin arritur​​ marrëveshjen për ndërprerjen e punës.

 

  • Më pas,​​ pas​​ parshtrimit të revizionit nga ana e​​ punëdhënësit në Gjykatën Supreme, nga shkresat e lëndës nuk rezulton që parashtruesi i​​ kërkesës të ketë parashtruar ndonjë urgjencë për përshpejtim të rastit.

 

  •  Lidhur me veprimet e organeve kompetente në procedurën e lartpërmendur, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta që nga momenti i vënies së tyre në lëvizje ishin aktive në gjykimin e çështjes, ku gjatë gjithë procedurës janë nxjerrë gjithsej​​ tre​​ vendime gjyqësore.​​ Gjykata nga shkresat e lëndës vëren se rasti në shkallë të parë​​ ka zgjatur​​ gjithsej 3 vite e gjashtë muaj, më pas në Gjykatën e Apelit rasti ka zgjatur 2 vite e 8 muaj dhe pas parashtrimit të revizionit rasti në Gjykatën Supreme ka zgjatur 2 vite e 10 muaj. Nga kjo rezulton se e gjithë procedura nga momenti i parashtrimit të padisë e deri në vendimin e kontestuar janë gjithsej 8 vite e 10 muaj.

 

  • ​​ Gjykata, në dritën e rrethanave të këtij rasti, duke marrë parasysh bazën ligjore, veprimet e shumta e palëve procedurale, interesat legjitime të tyre dhe mjetet ligjore të përdorura nga palët, si dhe faktin se gjykatat kanë nxjerrë gjithsej​​ tri​​ vendime gjyqësore në këtë rast, arrin në përfundimin se gjykatat e rregullta, që nga momenti i vënies në lëvizje në këtë rast, nuk ishin pasive. Pra, bazuar në shkresat e lëndës dhe në dritën e rrethanave të rastit, Gjykata konstaton se gjykatat e rregullta që nga momenti i vënies në lëvizje ishin aktive në gjykimin e çështjes dhe, rrjedhimisht, nuk kanë shkaktuar tejzgjatje të paarsyeshme të procedurës.

 

  • Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se lidhur me pretendimin e parashtruesit për tejzgjatje të procedurës, parashtruesi nuk ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, sepse faktet e paraqitura nga ai nuk dëshmojnë që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar atij këtë të drejtë kushtetuese.

 

  • Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 32 dhe 54 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, Gjykata vëren se parashtruesi në këtë drejtim nuk ka ofruar​​ asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkelë nenet e lartcekura.

 

  • Gjykata, gjithashtu, rikujton se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafi 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).

 

  • Prandaj, pretendimet e lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të mbrojtura me​​ Kushtetutë janë pretendime “të shkallës së katërt”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe​​ rregullin 34​​ (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34​​ (2),​​ si dhe 48 (1) (b)​​ të Rregullores së punës, më​​ 30 gusht​​ 2023, njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË​​ këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe

 

  • TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues​​  ​​  ​​  ​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 ​​ 

 

 

Nexhmi Rexhepi  ​​ ​​ ​​​​  Gresa Caka-Nimani

 

1

​​ 

Parashtruesit:

Edison Muhaxheri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative