KI34/23, Parashtrues Veton Syla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit PN.nr.745/2022, të 26 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI34/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 29 gushtit 2023, publikuar më 20 shtator 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për rishikimin e procedurës penale, ratione materiae
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, me të cilin Gjykata e Apelit vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me ç’rast refuzoi kërkesën e parashtruesit për rishikim të procedurës penale. Në vitin 2018, me Aktgjykim të plotfuqishëm të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite e 6 (gjashtë) muaj për kryerjen e veprës penale “vrasje” nga pikat 2 dhe 3, të paragrafit 2 të nenit 30 të LPK-së dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 2 i nenit 328 të KPPK-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta në Mjetet Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe në lidhje me këtë theksoi se Gjykata e Apelit në aktvendimin e saj lidhur me refuzimin e kërkesës së tij për rishikim të procedurës penale: “[…] nuk ka jep përgjigje sa i përket dy shkaqeve të kërkesës për rishikimin e procedurës penale […]”
Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata sqaroi se: (i) sa i përket pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, andaj, ky nen nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen ose rishikimin e procedurës dhe rrjedhimisht ky pretendim shpallet i papranueshëm, për shkak se është i papajtueshëm me “ratione materiae” me Kushtetutën, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Veton Syla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale