KI16/23, Parashtrues: Gjok Gega dhe Bajram Sinani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC. nr. 5597/2022 të Gjykatës së Apelit të 8 shtatorit 2022
KI16/23, Aktvendim për papranueshmëri i 25 majit 2023, publikuar më 27 qershor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për seancë dëgjimore publike, procedurë paraprake, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti ndërlidhet me padinë përkatësisht masën siguruese në procedurën paraprake që paditësi B.B kishte paraqitur në raport me 43 ngastra pronësore, me qëllim të ndalimit të disponimit apo tjetërsimit të tyre nga parashtruesit e kërkesës si kundërshtarë të masës së sigurisë. Gjykata Themelore në Pejë aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese dhe ndaloi parashtruesit e kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra pronësore. Gjykata Themelore duke vepruar sipas kundërshtimit të parashtruesve të kërkesës sërish aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese dhe ndaloi parashtruesit e kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra pronësore. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit aprovoi të themelta ankesat e parashtruesve të kërkesës dhe prishi aktvendimin e Gjykatës Themelore duke kthyer çështjen në rigjykim tek gjykata e shkallës së parë. Gjykata Themelore në ri-procedurë sërish aprovoi të bazuar propozimin e paditësit-propozuesit B.B., për caktimin e masës siguruese dhe ndaloi parashtruesit e kërkesës që të tjetërsojnë, ngarkojnë apo disponojnë me pasurinë e paluajtshme përkatësisht me 43 ngastra pronësore. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa, të shfuqizohet masa e sigurimit apo çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit refuzoi të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës, ndërsa vërtetoi aktvendimin e gjykatës të instancës më të ulët. Gjykata e Apelit konstatoi se-duke vepruar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e Gjykatës së Apelit-gjykata shkallës së parë prap e mbajti shqyrtimin, i ka dëgjuar palët në procedurë, ka nxjerrë të gjitha provat dhe mbas kësaj ka marrë vendimin e atakuar.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës në thelb pretenduan shkelje të së drejtës së përgjithshme për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës pohuan se në rastin e tyre janë cenuar: a) e drejta për vendim të arsyetuar sepse gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vendimmarrjen e tyre; b) të drejtën për seancë dëgjimore sepse gjykatat e rregullta nuk kanë mbajtur seancë dëgjimore për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike; dhe c) të drejtës për shqyrtim të plotë të rastit të tyre nga gjykatat e rregullta me qëllim të nxjerrjes së një epilogu të drejtë të procedurave që ata kontestojnë.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesve të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesve u është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditëse; (ii) Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në rigjykim tek gjykata e instancës më të ulët: a) për të vërtetuar drejtë çështjen faktike nëse ka apo nuk ka marrëveshje serioze për shitblerjen e të drejtës së paluajtshmërive lëndore ndërmjet palëve ndërgjyqëse; b) vërtetimin e ligjshmërisë të të drejtës subjektive të paditësi B.B kundrejt paluajtshmërive lëndore në kuptim të dispozitave përkatëse të LMD-së; c) vërtetimin e raportit dhe natyrës kontraktuale ndërmjet paditësit B.B dhe të paditurit të parë B.P dhe parashtruesve të kërkesës si të paditur të dytë; dhe ç) vlerësimin dhe vërtetimin e ligjshmërisë të caktimit të masës së sigurimit të propozuar nga paditësit B.B kundrejt të drejtave të parashtruesve të kërkesës si kundërshtues të masës së sigurimit ndaj paluajtshmërive lëndore.
Gjykata më tej vlerësoi se konstatimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit në kombinim me mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjykata Themelore: (i) plotësojnë kushtin formal për mbajtje të seancës dëgjimore; (ii) me arsyetimet gjithëpërfshirëse dhe shqyrtimin e çështjeve që ishin qendrore për parashtruesit e kërkesës, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore në tërësi kanë vërtetuar gjendjen faktike por edhe zbatimin e dispozitave përkatëse ligjore në rastin e parashtruesve të kërkesës.
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Gjok Gega dhe Bajram Sinani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile