Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 31/2023 të 23 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI71/23

Parashtruesit: Mehmet Hoti

Shkarko:

KI71/23, Parashtrues: Mehmet Hoti, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 31/2023 të 23 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI71/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2023, publikuar më 7 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesa individuale, çështje penale, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurë penale, respektivisht me kryerjen e një vepre penale nga parashtruesi i kërkesës, për të cilën ishte shpallur fajtor me Aktgjykimin e 21 tetorit 2022 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe ishte dënuar nga e njëjta me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një (1) viti, e gjashtë (6) muajve, si dhe me dënim me gjobë në shumën prej 800 (tetëqind) euro. I pakënaqur me këtë Aktgjykim të lartcekur, parashtruesi i kërkesës i është drejtuar me ankesë Gjykatës së Apelit, e cila me Aktgjykimin e 30 nëntorit 2022, e refuzon ankesën e tij dhe e konfirmon Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, me arsyetimin se Aktgjykimi i goditur nuk ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilave u ishte referuar mbrojtësi në ankesë, ngase dispozitivi i Aktgjykimit ishte i qartë i kuptueshëm dhe konkret. Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit nga parashtruesi i kërkesës ishte kontestuar me pas në Gjykatën Supreme, nëpërmjet kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë, për të cilin, kjo e fundit me Aktgjykimin [Pml.nr. 31/2023], e 23 shkurtit 2023, e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe konfirmoi aktgjykimet e instancave më të ulëta. Në Aktgjykimin e  saj, Gjykata Supreme, ndër të tjera arsyetoi se, rezulton se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale, për të cilën është shpallur fajtor.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 36.2 [E  Drejta e Privatësisë], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje, dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj). Shkeljen e neneve respektive parashtruesi i kërkesës në esencë e kishte ndërlidhur me procesin e rregullt gjyqësorë, respektivisht me: (i) ligjshmërinë e marrjes së provave.  Parashtruesi i kërkesës, pos tjerash nga Gjykata Kushtetuese kërkoi edhe vendosjen e masës së përkohshme, për të pezulluar kësisoj ekzekutimin e vuajtjes së dënimit, deri në vendosjen e meritave të kërkesës së tij.        

Gjykata në këtë rast shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, respektivisht me: (i) ligjshmërinë e marrjes së provave dhe aplikoi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në rrethanat e rastit konkret, konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të dëshmojë se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për “gjykim të drejtë, si rezultat i marrjes dhe i pranimit të paligjshëm të provave. Për më tepër, në ndërlidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret nuk bëhej fjalë as për shkelje të “privatësisë” në kuptim të nenit 36 të Kushtetutës, meqë nuk u vërtetua pretendimi i ngritur i parashtruesit të kërkesës për veprime joligjore dhe jokushtetuese nga ana e autoriteteve përkatëse, përgjatë fazës së grumbullimit të provave. Parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, kishte pretenduar edhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese, për të cilat Gjykata vlerësoi se vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo instrumenteve të tjera ndërkombëtare, nuk mjafton për të ngritur pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe se kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë, parashtruesi/ja duhet të paraqesë dëshmi dhe argumente bindëse, për të dëshmuar shkeljet e pretenduara të neneve përkatëse.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës,  nenit 6.1 të KEDNj-së, si rezultat edhe ato për shkelje të nenit 36 të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 54 dhe 55 të Kushtetutës, i takonin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese, gjithashtu i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj u deklarua e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, po ashtu edhe kërkesa për vendosje të masës se përkohshme u refuzua, përderisa kërkesa në tërësi u deklarua e papranueshme për të gjitha pretendimet e ngritura.

Parashtruesit:

Mehmet Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale