Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.434/2022, të 24 nëntorit 2022

Nr. të lëndës KI07/23

Parashtruesit: Musli Morina

Shkarko:

KI07/23, Parashtrues: Musli Morina, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.434/2022, të 24 nëntorit 2022

KI07/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 16 maj 2023

Fjalët kyçe: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, mosshterim i mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte i përfshirë në një aksident trafiku,  ku ishin të përfshira edhe katër vetura të tjera. Më tej rezulton se aksidenti ishte shkaktuar nga parashtruesi i kërkesës si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me shpejtësinë e lejuar në rrugë. Në këtë aksident trafiku katër persona kishin mbetur të lënduar. Parashtruesi i kërkesës, automjetin e tij e kishte të siguruar në Kompaninë e Sigurimeve “Eurosig”, dhe nga shkresat e lëndës rezulton se kjo e fundit, përmes ujdive jashtëgjyqësore kishte kompensuar dëmin material dhe jomaterial për personat të cilët kishin mbetur të lënduar nga  aksidenti i lartpërmendur. Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik” nga paragrafi 6 i nenit 378 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kompania e Sigurimeve “Eurosig” kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prizren kundër parashtruesit të kërkesës për rimbursim të dëmit material dhe jomaterial të shkaktuar nga aksidenti i lartpërmendur. Gjykata Themelore në Prizren aprovoi në tërësi padinë e parashtruar nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig”. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë, dhe kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të lartpërmenura, dhe kjo e fundit e hodhi poshtë revizionin si të palejuar.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës  në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata analizoi në detaje pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se „vendimi i fundit“, në pajtim me nenin 49 të Ligjit, lidhur me rastin konkret, konsiderohet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit përmes të cilit ishin shqyrtuar meritat e rastit.

Më tej, Gjykata vërejti se vendimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 26 gusht 2022, ndërsa kërkesën në Gjykatë e kishte dorëzuar më 11 janar 2023, rrjedhimisht Gjykata konkludoi se kërkesa nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Musli Morina

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile