KI50/22, Parashtrues: Fatmir Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML.nr.196/2021] të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI50/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 10 maj 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë e paafatshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, përkatësisht me kryerjen e veprës penale të “kontraktimit të përfitimit joproporcional” nga neni 270 i KPK-së nga parashtruesi i kërkesës, për të cilën ishte shpallur fajtor dhe dënuar më 1 (një) vjet, e 6 (gjashtë) muaj burgim, me Aktgjykimin e 16 majit 2016 të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Ky aktgjykim ishte bërë i formës së prerë pasi ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme. Pas përfundimit të gjykimit të rastit, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishikim të procedurës penale në Gjykatën Themelore, me pretendimin se kishte prova të reja që do të dëshmonin pafajësinë e tij. Gjykata Themelore me Aktvendimin e 29 janarit 2021, e refuzoi kërkesën për rishikim të procedurës penale. Ky aktvendim u konfirmua më pas nga Gjykatë e Apelit me Aktvendimin e 26 shkurt 2021. Kundër aktvendimit të kësaj të fundit parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë, e cila ishte refuzuar nga Gjykata Supreme me Aktgjykimin e 24 qershorit 2021.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt], të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë rast, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestonte Aktgjykimin [PML.nr.196/2021] të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, i cili bazuar në fletëkthesën e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore i është dorëzuar të njëjtit më 15 korrik 2021, ndërsa kërkesa ishte parashtruar në Gjykatë më 22 prill 2022, përkatësisht pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit.
Fatmir Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale