KI08/23, Parashtrues Sejdi Selimi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 362/21] të 14 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI08/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 prillit 2023, publikuar më 25 prill 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil (pronësor), për të cilin parashtruesi i kërkesës së bashku me disa paditës të tjerë, më 25 janar 2007, dorëzuan kërkesëpadi në ish- Gjykatën Komunale në Prishtinë, kundër të paditurit F. K., nëpërmjet së cilës kërkuan lirimin e pronës nga ky i fundit, e cila ndodhet në lagjen Ulpianë në Prishtinë. Gjykata Themelore, në lidhje me kërkesëpadinë kishte nxjerrë Aktgjykimin C. nr. 2071/2015, me të cilin refuzoi në tërësi të njëjtën. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës dhe paditësve të tjerë, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin Ac. nr. 3949/18, refuzoi si të pathemeltë ankesën e të njëjtit dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës dhe paditësit e tjerë parashtruan kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Kjo e fundit, nëpërmjet Aktgjykimit Rev. nr. 362/21, të 14 nëntorit 2022, refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion dhe përfundimisht vërtetoi aktgjykimet e instancave me të ulëta.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi që aktgjykimi i kontestuar i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës. Sipas tij, gjykatat e rregullta e kishin zbatuar gabimisht të drejtën materiale, sepse nuk i vlerësuan drejt provat e administruara dhe rrjedhimisht, nxorën konkludime të gabuara.
Në vlerësimin e pretendimeve kryesore, Gjykata vërejti se esenca e ankesës, e parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe interpretimin e gabuar të ligjit. Prandaj, Gjykata këto pretendime i cilësoi si “pretendime të shkallës së katërt”. Gjykata rikujtoi që sipas Kushtetutës dhe parimeve të GJEDNj-së, ajo nuk vepron si gjykatë e shkallës së katërt përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta, duke përsëritur qëndrimin se është në domenin e gjykatave të rregullta që t’i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Gjykata në të tilla rrethana vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë saqë parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë. Parashtruesi i kërkesë, ndër tjerash kishte ngritur edhe pretendime të tjera për shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij, për të cilat Gjykata vlerësoi se vetëm përmendja e neneve ose referimi në to nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata në fund, konkludoi se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, përkitazi me interpretimin dhe vlerësimin e gabuar të fakteve dhe të provave, i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”, andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese deklarohen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallen qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u shpall e papranueshme në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Sejdi Selimi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile