Aktgjykim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [ARJ. UZVP. nr. 83/2021], të 7 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI185/21

Parashtruesit: SHPK “CO COLINA”

Shkarko:

KI185/21, Parashtrues: SHPK “CO COLINA”, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [ARJ. UZVP. nr. 83/2021], të 7 shtatorit 2021 

KI185/21, Aktgjykim i 8 shkurtit 2023, publikuar më 15 mars 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në pronë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, efektet e aktgjykimit, kërkesë e pranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ndërprerjen e ushtrimit të aktivitetit të bastores sportive të parashtruesit të kërkesës, aktivitet ky që ishte ushtruar në bazë të licencave të lëshuara nga Administrata Tatimore e Kosovës sipas Ligjit nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit. Bazuar në këtë të fundit, licenca e fundit që i ishte lëshuar parashtruesit të kërkesës për të ushtruar këtë aktivitet, ishte e vlefshme nga data 8 gusht 2018 deri më 7 gusht 2019. Megjithatë, më 10 maj 2019, hyri në fuqi Ligji nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit, sipas të cilit, të gjitha lojërat e fatit në territorin e Republikës së Kosovës u mbyllën dhe u ndaluan. Si pasojë dhe në zbatim të Ligjit të lartcekur, Drejtoria e Lojërave të Fatit brenda Administratës Tatimore të Kosovës, kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për revokimin e licencës së biznesit të tij, me efekt të menjëhershëm, përkatësisht nga 10 maji 2019, pra para skadimit të saj më 7 gusht 2019. Ndaj Njoftimit për revokim të licencës dhe pas refuzimit të ankesës nga Administrata Tatimore e Kosovës, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e Njoftimit për revokim të licencës me pretendimin se, mes tjerash, (i) si rezultat i revokimit të licencës para afatit të skadimit atij i ishte cenuar e drejta në pronë sipas nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; (ii) se i njëjti, përkatësisht Njoftimi ishte i bazuar në Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, duke pretenduar se ky i fundit ishte në kundërshtim me Kushtetutën; si dhe (iii) i propozoi Gjykatës Themelore që nëse e njëjta kishte dyshime lidhur me kushtetutshmërinë e këtij Ligji, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese përmes procedurës së “kontrollit incidental” bazuar në paragrafin 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës, paralelisht me paraqitjen e padisë së lartcekur, iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit afektonte drejtpërdrejtë të drejtat e tij dhe ishte në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës, duke kërkuar shfuqizimin e të njëjtit. Gjykata Kushtetuese, në rastin KI136/19 e kishte shpallur të papranueshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se e njëjta është e parakohshme, për faktin se parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat gjyqësore në lidhje me Njoftimin për revokim të licencës.

Përgjatë zhvillimit të procedurës në gjykatat e rregullta, Gjykata Themelore e refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës lidhur me revokimin e licencës nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke arsyetuar se (i) revokimi i licencës ishte i ligjshëm pasi i njëjti ishte bazuar në Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit; (ii) në procedurën për konflikt administrativ, Gjykata Themelore ka kompetencë vetëm për të vlerësuar ligjshmërinë e aktit dhe jo shkeljen e të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës; dhe (iii) përkundër pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për kundër kushtetutshmërinë e Ligjit bazuar në të cilin i ishte revokuar licenca para skadimit të afatit, nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese përmes “kontrollit incidental”, për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës kontestuese. Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme konfirmuan arsyetimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës iu drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së (i) Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit; dhe (ii)  vendimeve të gjykatave të rregullta, duke pretenduar se i është shkelur e drejta e gëzimit paqësor të pronës sipas nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i revokimit të licencës dhe lejes së punës së vlefshme, përkatësisht, ndalimit të menjëhershëm të veprimtarisë ekonomike. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me arsyetimin se (i) gjykatat e rregullta është dashur që të vlerësojnë pretendimet e tij për shkeljen e së drejtës në pronë si rezultat i Ligjit të kontestuar dhe Njoftimit pasues të ATK-së; ose (ii) në rast dyshimi, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

Sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit, Gjykata vlerësoi se, sipas praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të kontestuar një ligj drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese, mes tjerash, është e nevojshme që parashtruesi i kërkesës të jetë drejtpërsëdrejti i afektuar nga ligji në fjalë dhe që të mos ketë akt të ndërmjetëm, përkatësisht masë zbatuese nga autoriteti publik lidhur me ligjin në fjalë. Lidhur me këtë, Gjykata duke u referuar në vendimmarrjen e saj të vitit 2019 përkitazi me parashtruesin e kërkesës, përkatësisht Aktvendimin për Papranueshmëri në rastin KI136/19, ritheksoi se në rastin konkret kishte ekzistuar një masë zbatuese lidhur me Ligjin në fjalë, përkatësisht, Njoftimi i Administratës Tatimore, përmes së cilit ishte revokuar licenca e parashtruesit të kërkesës para skadimit të afatit të saj, dhe të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar në gjykata të rregullta. Andaj, në këto rrethana, Gjykata theksoi se e njëjta, në mungesë të një pale të autorizuar për të kontestuar kushtetutshmërinë e ligjit në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetutës,  nuk mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit për Lojërat e Fatit, por vetëm kushtetutshmërinë e vendimeve gjyqësore lidhur me revokimin e licencës së parashtruesit të kërkesës.

Në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimeve të gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi së të njëjtat ishin nxjerrë në kundërshtim me (i) nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përkitazi me shkeljen e konstatuar lidhur me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata theksoi që, sipas praktikës së saj dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në vlerësimin e shkeljeve të lartcekura, fillimisht duhet të përcaktojë, nëse përmes akteve të kontestuara, përkatësisht vendimeve të gjykatave të rregullta (i) ka pasur “ndërhyrje” në të drejtën për gëzim paqësor të pronës në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, dhe nëse ky ishte rasti, të vlerësojë nëse  “ndërhyrja” përkatëse është (ii) e “përcaktuar me ligj”; (iii) ka ndjekur  një “qëllim legjitim”; si dhe (iv) është “proporcionale”.  Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se me revokimin e licencës së vlefshme përmes Njoftimit të Administratës Tatimore të Kosovës, ka pasur “ndërhyrje” në të drejtën e pronës së parashtruesit të kërkesës, sepse bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “licenca” përbën “pronë” për qëllime të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më tej, Gjykata gjithashtu sqaroi që “ndërhyrja” që kishte rezultuar si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta, (i) ishte “përcaktuar me ligj”, përkatësisht në Ligjin për Ndërprerjen e Lojërave të Fatit; dhe (ii) ndiqte një “qëllim legjitim”, megjithatë (iii) nuk ishte “proporcionale”, sepse parashtruesi i kërkesës, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, kishte pritje legjitime që gjatë periudhës për të cilën kishte pasur licencën dhe lejen e punës së vlefshme, bazuar në Ligjin paraprak për Lojërat e Fatit, ai do të mund të ushtronte aktivitetin e tij ekonomik dhe të gëzonte në mënyrë paqësore pronën e tij.

Ndërsa, përkitazi me shkeljen e konstatuar lidhur me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata, ndër të tjera, theksoi se në kundërshtim me garancitë që ngërthejnë nenet e lartcekura, gjykatat e rregullta (i) nuk kishin zbatuar garancitë kushtetuese në vlerësimin e ligjshmërisë së revokimit të licencës së vlefshme të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht pretendimeve përkatëse për shkeljen e të drejtës në pronë siç është e garantuar me Kushtetutë; dhe për më tepër, (ii) nuk kishin dhënë arsyetim adekuat për mos-referim të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit kontestues, përkundër kërkesave të vazhdueshme të parashtruesit të kërkesës.

Në fund, dhe përkitazi me efektin e këtij Aktgjykimi, Gjykata theksoi se, në interes të sigurisë juridike, ky Aktgjykim prodhon efekt juridik vetëm ndërmjet palëve në procedurë dhe nuk mund të prodhojë efekt prapaveprues juridik lidhur me personat e tjerë fizikë dhe juridikë që mund të kenë ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit bazuar në Ligjin për Lojërat e Fatit. Gjykata më tej theksoi se, parashtruesi i kërkesës në procedurën pranë gjykatave të rregullta mund të kërkojë kompensim të drejtë për shkeljen e të drejtave kushtetuese të konstatuara përmes këtij Aktgjykimi, përfshirë kompensimin e mundshëm për kohëzgjatjen sa parashtruesi i kërkesës kishte licencë të vlefshme, pra nga data 10 maj 2019, kur kishte filluar efekti i revokimit të licencës, deri më 9 gusht 2019, kur skadonte licenca e parashtruesit të kërkesës për të ushtruar veprimtarinë e tij, bazuar në ligjin paraprak, përkatësisht Ligjin për Lojërat e Fatit.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi [ARJ. UZVP. nr. 83/2021] i Gjykatës Supreme, i 7 shtatorit 2021, në lidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 242/2021] të Gjykatës së Apelit, të 8 qershorit 2021, dhe Aktgjykimin [A. nr. 1861/21] e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 9 shkurtit 2021, nuk janë në përputhshmëri me (i) nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; si dhe (ii) nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe se të njëjtat, si të tilla, shfuqizohen.

Parashtruesit:

SHPK “CO COLINA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative