KI107/22, Parashtrues: Valdet Avdiu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.5/2022, të 19 prillit 2022
KI107/22, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2023, publikuar më 14 shkurt 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për t’u dëgjuar, sanksioni disiplinor, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se KPK-ja kishte pranuar nga autoriteti kompetent (Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit) propozimin për fillimin e procedurës hetimore kundër parashtruesit të kërkesës, me propozim që të njëjtit t’i shqiptohet masa disiplinore zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një vit. KPK-ja, themeloi Panelin Hetimor për hetimin e rastit disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës. Paneli Hetimor i dorëzoi raport KPK-së me konstatim se parashtruesi i kërkesës ka vepruar në shkelje të nenin 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP. Në raportin e Panelit Hetimor thuhej në lëndën penale PP.I.nr.117/21 lidhur me një aksident në komunikacion nga dy automjete me ç ‘rast kanë vdekur pesë persona në mesin e tyre një i mitur, parashtruesi i kërkesës në cilësi të prokurorit të çështjes, kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe po ashtu kishte ngritur aktakuzë pa kryer hetimet. KPK-ja aprovoi të bazuar raportin e Panelit Hetimor, në rastin disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi shkeljen disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe i shqiptoi masën disiplinore Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Gjykata Supreme aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe lëndën e ktheu në rishqyrtim në KPK. Parashtruesi i kërkesës u ankua sërish në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje procedurale ligjore dhe gabime faktike që kanë ndikuar në procedurë dhe në vendimmarrje lidhur me masën disiplinore me propozim që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet vendimi i goditur duke e liruar parashtruesin e kërkesës nga përgjegjësia disiplinore ose që të ndryshohet masa disiplinore e shqiptuar, me një masë më të butë në pajtim me shkeljen e konstatuar. Gjykata Supreme e pranoi pjesërisht të themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi vendimin e KPK-së sa i përket sanksionit disiplinor, ashtu që parashtruesit të kërkesës i shqiptohet masa “zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 50 %, për një periudhë prej 6 (gjashtë) muajve.”
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm me aktgjykimin e kontestuar i janë cenuar garancitë specifike nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me mos ftesën e parashtruesit të kërkesës përkatësisht të drejtën për t’u dëgjuar në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i) Gjykata Supreme dy herë ka ndrequr vendimet e KPK-së; (ii) herën e parë rasti i parashtruesit të kërkesës është kthyer në KPK për shkak të precizimit të bazës ligjore lidhur me sanksionin disiplinor; (iii) herën e dytë, më të rreptë me një sanksion disiplinor më të butë, bazuar në vetë kërkesën e parashtruesit të kërkesës; (iv) KPK-ja përmes “videolinkut” i ka dhënë mundësinë parashtruesit të kërkesës që prezantojë argumentet e tij; dhe, (v) duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi, konstatohet se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqiste në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideronte të rëndësishme për rastin e tij.
Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Valdet Avdiu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative